Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare Prof.Fadil Spahiu.
Doktor Fadil Spahiu njihet si një nga baballarët e mjekësisë shqiptare.
Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në disiplinat e kirurgjisë ortopedike dhe onkologjike.
Kush është Fadil Spahiu?
Fadil Spahiu ka lindur në Kolesjan të qarkut të Kukësit në vitin 1926, në një familje patriotike lumjane. I ati, Rifati, ishte burrë me emër në të gjithë krahinën e Lumës e më tej, një vazhdues i denjë i traditave atdhetare dhe arsimdashëse të fisit të vet.
Kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit dhe për vite me radhë ai punoi si arsimtar në qytete e fshatra të Shqipërisë.
Rifati ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit menjëherë pas luftës (nëntor 1944), kur përfshihej nën juridiksion e tij edhe Prizreni.
Gjimnazist në Shkodër, shok me Emin Durakun në konviktin “Malet Tona”
Shkollën fillore Fadili e kreu në vendlindjen e tij dhe në vitin 1937 filloi studimet në gjimnazin e Shkodrës. Këtu ai shumë shpejt aktivizohet me grupet rinore të qytetit dhe merr pjesë në demonstratën e parë kundër pushtimit fashist më 28 nëntor 1939 dhe njihet me një nga organizatorët e saj, Emin Duraku. Aty bie në sy të autoriteteve për guximin dhe vendosmërinë e tij për të zhvilluar aktivitete antifashiste. Forcat qeveritare arrijnë t’i shpërndajnë demonstruesit dhe Fadil Spahiun së bashku me disa shokë të tjerë, midis të cilëve dhe nxënës të konviktit “Malet Tona” i arrestojnë.
Ende kur ishte në vit të dytë, rreth 14-15 vjeç, e përjashtojnë nga shkolla dhe e përplasin në birucat e burgut të Shkodrës. Prej këtej, me rreth 16 të arrestuar të tjerë e nisin për në burgun e Tiranës dhe pas pak ditësh e çojnë në burgun e Burrelit. Babai i Fadilit, që në atë vit ishte mësues në fshatin Kastriot të Peshkopisë, kërkon që t’ia sjellin të birin në konviktin e shkollës së fshatit. Fadilin e sjellin pranë të atit me detyrimin për t’u paraqitur çdo ditë në policinë e fshatit.
Përjashtohet nga të gjitha gjimnazet si antifashit dhe del partizan
Në pranverë të vitit 1940 në gjimnazin e Shkodrës fillon një revoltë brenda shkollës, ku nxënësit kërkojnë kthimin e 16 shokëve të tyre, që ishin arrestuar në demonstratë. Kishin kaluar rreth 3-4 muaj dhe Fadilin e kthejnë në bankat e shkollës. Këtu përfundon vitin e dytë. Për të shmangur kontaktet e tij me elementë revolucionarë të qytetit, atë e nisin për në Gjirokastër që të vazhdojë vitin e tretë. Këtu ai shumë shpejt bëhet anëtar i organizatës antifashiste të rinisë gjirokastrite dhe vihet në krye të protestave antifashiste, që u bënë në Gjirokastër më 28 nëntor 1941. Për këtë arsye, në fund të vitit 1941 Fadilin e përjashtojnë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë pa e mbaruar vitin e tretë të gjimnazit. Kështu detyrohet të largohet nga Gjirokastra për të shmangur një arrestim të dytë dhe niset për në vendlindje.
Me ndërhyrjen e prindërve shkon në Prishtinë tek disa miq të babait që të vazhdojë gjimnazin, por edhe këtu ai fillon sërish aktivitetin revolucionar, duke shtypur dhe shpërndarë trakte të organizatës së Partisë Komuniste të Prishtinës. Kur ky aktivitet bie në sy të organeve shtetërore, ai detyrohet të kthehet në vendlindje, ku sapo është krijuar çeta e Lumës dhe aty regjistrohet si partizan i saj. Më pas, Fadili kaloi si efektiv i batalionit të Lumës dhe luftoi në këtë formacion partizan deri në çlirimin e kryeqytetit, Tiranës më 17 nëntor 1944. Menjëherë mbas çlirimit të Tiranës, ai punoi si anëtar i Komitetit Qarkorë të Rinisë Antifashiste të Kukësit.
Në verën e vitit 1945 vjen në Tiranë për të ndjekur kursin veror që organizohet në shkollën “Nëna Mbretëreshë” me nxënës që i kishin humbur vitet e gjimnazit. Këtu mbaron vitin e tretë, ndërsa vitin e katërt e përfundon në Gjirokastër, duke marrë diplomën në maj të vitit 1946. Mbas pjesëmarrjes si vullnetar për ndërtimin e hekurudhës Brçko-Banoviç në Bosnje, në shtator të vitit 1946, ai filloi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevo, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme.
Student i Mjekësisë në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik
Në vitin 1948, pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos, ende pa mbaruar akoma vitin e dytë, Fadilin së bashku me studentët e tjerë shqiptarë që ishin në Jugosllavi, i kthejnë në Shqipëri. Fillimisht i grumbullojnë në plazhin e Durrësit, ku presin të nisen sërish me studime, por këtë herë duke i dërguar në Bashkimin Sovjetik, në qytetin Gorki. Ish- kolegë dhe shokë të tij tregojnë se Fadili ishte student që binte në sy për karakterin e tij, ai ishte tepër i zellshëm dhe aktiv në mësime.
Duke parë aftësitë dhe këmbënguljen e tij për të mësuar gjithçka, mjekët pedagogë e aktivizojnë në operacione në Institutin e Kirurgjisë Restauratore që merrej kryesisht me invalidët e luftës dhe traumat e tyre. Fadili si student ishte më i miri. Pedagogët, që ishin shefa klinike, vazhdimisht e marrin secili në klinikën e vet duke i besuar operacione specialiteti, si ortoped, operacione në veshka, stomak dhe mushkëri, etj.
Discussion about this post