Në Shqipëri, Parlamenti miratoi sot disa ndryshime në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” të cilat i hapin rrugë ndërtimit të strukturave të hoteleri turizimit, apo dhe zhvillimit të aktiviteteve të tjera ekonomike, të konsideruara si investme strategjike. Ndryshimet e propozuara nga qeveria janë kundërshtuar me forcë nga organizatat mjedisore si dhe nga opozita, sipas të cilave zonat e mbrojtura rrezikonë të kërcënohen seriosht. Delegacioni I Bashkimit europian nga ana e tij ka shprehur shqetësim për mungesën e konsultimeve publike dhe të një procesi të parashikueshëm dhe transparent.
Thelbi i ndryshimeve ka të bëjë me fshirjen e nenit 33 të ligjit ekzistues, i cili kufizonte veprimtaritë në këto zona vetëm në ato që ishin në shërbim të përmirësimit të mjedisit të tyre. Neni i ri i propozuar në të kundërt, lejon ngritjen e “strukturave akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit” apo dhe të agroturizmit.
Organizata të shumta dhe ekspertë të mjedisit, të cilët kanë ngritur zërin dhe më parë, protesuan sot përpara parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ndryshimeve të cilat sipas tyre “vulosin përfundimisht fundin e sistemit të Zonave të Mbrojtura dhe biodiversitetit në Shqipëri dhe nuk vendosin asnjë kufi ndaj aktiviteteve shkatërruese të papërcaktuara”.
Përfaqësuesë të opozitës po ashtu folën me tone shqetësuese për miratimin e ndryshimeve ligjore, tw cilat sipas tyre do t’u shërbejnë vetëm klientëve të kryeministrit Edi Rama. “Nëse flasim për parlament të kapur, për shkeljen e procedurës ligjore, për mosruajtjen e kontrollit dhe balancës në parlament, ky është shembulli më i mirë. Mos e shikoni këtë ligj si të izoluar. Mos shikoni lidhjen vetëm për mjedisin. Eshtë shumë problematik dhe për mjedisin, por shikojeni si kryekëput korruptiv”, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku. Edhe për kolegen e saj Ina Zhupa “sot nëse ti pret një pemë në pyll, ti të dënohesh,. Nëse ti vret një kafshë të egër, me moratoriumin e gjuetisë, ti dënohesh, por nëse ti sot shkon dhe shkatërron e ndërtn në mes të zonave të mbrojtura, ku pret pafund pyje, e vret pa fynd kafshë ti quhesh investititor strategjik”
Por ministrja e Turizimit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se gjithshka do të zhvillohet në bazë të kritereve shumë të rrepta “dhe me rregulla shumë të qarta,vetëm në ato nënzona të parashikuara, për aktivitete turistike elitare, ekoturistike, agroturistike, apo të turizimit të nivelit shumë të lartë, brenda kritereve shumë strikte të miratuara nga ministria dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, do të mund të zhvillohen me 3-4 filtra shumë strikte, nga Agjencia te Qeveria”.
Ndryshimet i japin kompetenca Këshillit Kombëtar të Territorit në përcaktimin e kritereve, ndërsa po ashtu vetë qeveria do të përcaktojë veprimtaritë që do të lejohen, sipas përkufizimit të zonave, të cilat ndahen dhe në zona natyrore “të pashqetësuara” dhe të tjera “pak të shqetësuara”.
Qeveria ka këmbëngulur se ajo ka kryer konsultime të shumta publike. Por një letër e kreut të Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë, Silvio Gonzato, dërguar pak ditë më parë Komisionit parlamentar të aktiviteteve prodhuese, të cilën Zëri i Amerikës e ka lexuar, zbulon në fakt se konsultimet janë zhvilluar mbi një variant të mëparshëm, ndërkohë që popozimet e qeverisë, vlerësohen se “ndryshojnë ndjeshëm nga amendamentet fillestare që ishin në shqyrtim dhe për të cilat është konsultuar shoqëria civile”. Letra po ashtu i kujton parlamentit se sipas edhe raportit të BE-së për Shqipërinë “legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit”.
Edhe pas votimit në parlament, Delegacioni saktësoi se “miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, duke nënkuptuar se diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Kryeministri Edi Rama reagoi duke shkruar në një postim në rrjetet sociale se ishte 100 përqind në një mendje me Bashkimin Europian. Por nëse do të ishte kështu, atëherë parlamenti nuk do të kishte nxituar për votimin e sotëm, dhe do të duhej të kishte marrë në konsideratë thirrjen e Delegacionit përmes së cilës, siç shkruhet në letrën e kreut të tij Silvio Gonzato “rekomandohet fuqimisht që Komisioni i Aktiviteteve Prodhuese, të rikonsultohet me organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha palët e interesuara për propozimet e paraqitura nga qeveria në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse”.
💯% në një mendje me Bashkimin Europian!
*Me vizionin #Shqipëria2030🇦🇱 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot… pic.twitter.com/VdR7389SMq
— Edi Rama (@ediramaal) February 22, 2024
/VOA/
Discussion about this post