GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Ndotja e ajrit në Shqipëri mbi trefishin e normës së OBSH, mijëra vdekje të parakohshme regjistrohen në vit

në Aktualitet, Ekonomi & Sociale
Kohë leximi: 4 min
A A
Eurostat ngre alarmin: Shqipëria renditet e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Ndotja e ajrit në Shqipëri lidhet me rreth 3,551 vdekje të parakohshme gjatë vitit 2023, ndërsa kostoja e saj për mirëqenien ekonomike dhe sociale vlerësohet në ekuivalentin e 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Megjithëse treguesit e vdekshmërisë së lidhur me ndotjen janë përmirësuar gjatë dy dekadave të fundit, ekspozimi ndaj grimcave të imëta në ajër mbetet një problem serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe familjet më të cenueshme.

Sipas raportit të Bankës Botërore për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit në Ballkanin Perëndimor, vlerësimi për 3,551 vdekje të parakohshme në Shqipëri gjatë vitit 2023 bazohet në modelimin e ndikimit shëndetësor nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA). Shifra përfaqëson vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, të cilat, për shkak të përmasave shumë të vogla, mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të ndikojnë në sistemin kardiovaskular.

Banka Botërore i referohet edhe një vlerësimi të mëparshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilit ndotja me PM2.5 lidhej me rreth 4,600 vdekje të parakohshme në Shqipëri në vitin 2021. Megjithatë, institucioni sqaron se këto dy shifra nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt për të përcaktuar uljen e vdekshmërisë, pasi janë përllogaritur mbi metodologji dhe baza të ndryshme të dhënash.

Një tregues më i qëndrueshëm i ecurisë afatgjatë është reduktimi me rreth 53% i vdekshmërisë së parakohshme të lidhur me PM2.5 gjatë periudhës 2005–2022. Pavarësisht këtij përmirësimi, niveli i rrezikut mbetet i konsiderueshëm. Sipas një vlerësimi të OECD-së për vitin 2022, të cituar në raport, vdekshmëria e parakohshme nga ndotja e ajrit në Shqipëri përllogaritet në rreth 164 raste për 100 mijë banorë.

Kostoja e ndotjes, sa 7% e ekonomisë

Përveç pasojave shëndetësore, ndotja e ajrit përbën edhe një barrë të konsiderueshme ekonomike. Banka Botërore vlerëson se kostoja për mirëqenien e shkaktuar nga ndotja e ajrit të jashtëm në Shqipëri është ekuivalente me 7% të PBB-së.

Ky tregues nuk përfaqëson një shpenzim të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit apo një humbje të matur të prodhimit ekonomik. Ai është një vlerësim monetar i dëmeve ndaj mirëqenies, i mbështetur në të dhënat e studimit Global Burden of Disease 2021, ku përfshihen pasojat shëndetësore të ndotjes.

Në shkallë rajonale, Banka Botërore vlerëson se kostot për mirëqenien nga ndotja e ajrit luhaten nga 7% deri në 19% të PBB-së në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Raporti e identifikon ndotjen si një pengesë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, pasi dëmet shëndetësore shoqërohen edhe me humbje të produktivitetit, mungesa në punë për shkak të sëmundjeve dhe pasoja në aftësitë njohëse të individëve.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, ekspozimi ndaj ndotjes është veçanërisht shqetësues në zonat urbane. Sipas një studimi të cituar nga Banka Botërore, vdekshmëria mesatare që i atribuohet ndotjes së ajrit në qytetet e rajonit luhatet nga 137 deri në 158 raste për 100 mijë banorë, afërsisht dyfishi i mesatares prej 69 rastesh për 100 mijë banorë në qytetet e Bashkimit Europian.

Ndotja në Shqipëri, mbi trefishin e udhëzimit të OBSH-së

Pavarësisht përmirësimeve në treguesit afatgjatë të vdekshmërisë, përqendrimet e grimcave të dëmshme në ajër vazhdojnë të jenë mbi nivelet e rekomanduara për mbrojtjen e shëndetit.

Sipas të dhënave të IQAir, të cituara në raport, përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 në Shqipëri ishte 16.7 mikrogramë për metër kub në vitin 2023, mbi trefishin e nivelit prej 5 mikrogramësh për metër kub të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ky nivel ishte gjithashtu 67% mbi kufirin e ri vjetor të Bashkimit Europian prej 10 mikrogramësh për metër kub, i cili duhet të përmbushet deri në vitin 2030.

Të dhënat për ndotësit e tjerë tregojnë se problemi është veçanërisht i theksuar në disa qytete. Gjatë vitit 2023, përqendrimi mesatar vjetor i grimcave PM10 në Tiranë rezultoi 35.4% mbi kufirin europian, ndërsa në Elbasan 19.6% mbi këtë nivel.

Në Korçë u regjistruan 60 ditë me tejkalim të kufirit ditor të PM10, ndërsa në një stacion monitorimi në Tiranë u regjistruan 58 ditë, kundrejt kufirit prej 35 ditësh të lejuara në vit.

Banka Botërore thotë se një nga burimet kryesore të ndotjes me grimca të imëta është ngrohja e banesave. Sipas modelimit GAINS, djegia e lëndëve për ngrohje në sektorin rezidencial gjeneron afërsisht 50% të emetimeve kombëtare PM2.5. Industria dhe transporti janë gjithashtu burime të rëndësishme, ndërsa pesha e secilit sektor ndryshon sipas qyteteve.

Megjithatë, raporti paralajmëron se vlerësimi i ekspozimit të popullsisë ndaj ndotjes në Shqipëri mbetet i pasigurt për shkak të mbulimit të kufizuar dhe jo të njëtrajtshëm të rrjetit të monitorimit. Përqendrimi i stacioneve në zona urbane dhe pranë trafikut mund të japë nivele më të larta se mesatarja kombëtare, ndaj kërkohet zgjerimi i matjeve.

Për të reduktuar pasojat shëndetësore dhe ekonomike, Banka Botërore thekson nevojën për kalimin drejt sistemeve më të pastra të ngrohjes, kontroll më të fortë të emetimeve industriale, përmirësimin e transportit urban dhe rritjen e investimeve për cilësinë e ajrit.

Sipas Bankës,  zbatimi i masave duhet të përqendrohet veçanërisht në zonat ku nivelet e ndotjes dhe ekspozimi i popullsisë janë më të larta, pasi ndërhyrjet në këto zona mund të sjellin përfitimet më të mëdha për shëndetin publik.

 

Etiketa: ndotje ajriVdekje

Lajme të lidhura

Gjobitet me 5 mln lekë pse protestoi/ Mesazhi i të miturit: Babin e kam të verbër! Flet i ati: Marrim vetëm 140 mijë lekë e jetojmë me qira
Aktualitet

Gjobitet me 5 mln lekë pse protestoi/ Mesazhi i të miturit: Babin e kam të verbër! Flet i ati: Marrim vetëm 140 mijë lekë e jetojmë me qira

09:07 - 17/11/26
Rama dhe Berisha janë e keqja e vendit! Kryedemokrati i shtrin dorën e bashkimit, reagon Qori: Duhet një opozitë morale e serioze
Aktualitet

Rama dhe Berisha janë e keqja e vendit! Kryedemokrati i shtrin dorën e bashkimit, reagon Qori: Duhet një opozitë morale e serioze

08:23 - 17/11/26
Pensionet dhe shteti që nuk jep llogari për dështimet!
Aktualitet

Do të duhen mbi 100 vjet për t’u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë blerëse

07:48 - 17/11/26

Discussion about this post

TË FUNDIT

Eurostat ngre alarmin: Shqipëria renditet e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit
Aktualitet

Ndotja e ajrit në Shqipëri mbi trefishin e normës së OBSH, mijëra vdekje të parakohshme regjistrohen në vit

09:22 - 17/11/26

Ndotja e ajrit në Shqipëri lidhet me rreth 3,551 vdekje të parakohshme gjatë vitit 2023, ndërsa kostoja e saj për...

Lexo më shumë
Gjobitet me 5 mln lekë pse protestoi/ Mesazhi i të miturit: Babin e kam të verbër! Flet i ati: Marrim vetëm 140 mijë lekë e jetojmë me qira

Gjobitet me 5 mln lekë pse protestoi/ Mesazhi i të miturit: Babin e kam të verbër! Flet i ati: Marrim vetëm 140 mijë lekë e jetojmë me qira

09:07 - 17/11/26
Ekzekutohet gazetari në Kosta Rikë, kishte denoncuar lidhjet e politikanëve me kartelet e drogës

Ekzekutohet gazetari në Kosta Rikë, kishte denoncuar lidhjet e politikanëve me kartelet e drogës

08:57 - 17/11/26
‘Ruani qetësinë’, mesazhi i parë i Hashim Thaçit pas dënimit nga Haga

Sot mbahet sot në Hagë aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve për pengim të drejtësisë

08:43 - 17/11/26
Rama dhe Berisha janë e keqja e vendit! Kryedemokrati i shtrin dorën e bashkimit, reagon Qori: Duhet një opozitë morale e serioze

Rama dhe Berisha janë e keqja e vendit! Kryedemokrati i shtrin dorën e bashkimit, reagon Qori: Duhet një opozitë morale e serioze

08:23 - 17/11/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com