Tri ditë më parë, u shfaqën pamje nga liqeni i Tiranës, ku mbizotëronin algat jeshile, që u dyshua se vinin për shkak të ndotjes së tij apo derdhjes së ujërave të zeza në të.
Por si qëndron e vërteta? A ka ndotje të liqenit të Tiranës apo është diçka biologjike dhe natyrore? Po era e pakëndshme që vjen prej tij, cili është shkaku?
Alarmi u dha tre ditë më parë edhe nga deputeti Erjon Braçe, me një postim-video në rrjetin social Facebook, i cili theksonte se “vinte erë e keqe, kishte shtresë të trashë dhe “duhej ndërhyrë menjëherë”.
Ish-nënkryetarja e Bashkisë tha se shkaku kryesor që algat jeshile shfaqen në liqen janë temperaturat e larta dhe jo normale në këtë sezon, muaji tetor dhe procesi natyral i tyre, por edhe disa ujëra të patrajtuara, për të cilat po bëhen analiza në bashkëpunim me institucionet e tjera, si Fakulteti i Shkencave dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Ajo tha se nuk ka rrezikshmëri për popullatën e kryeqytetit dhe se janë marrë masat për trajtimin e tyre, ashtu siç bëhet gjithnjë me anë të një makinerie, e cila është prezentë. Edhe era e pakëndshme që vjen prej liqenit, sipas Rusetit, vjen për shkak të prerjes së tyre nga makineria. Por ajo pranoi se nga analizat vihet re një lloj mikrobi dhe verifikimet po vijojnë për të zbuluar shkakun.
“Kemi një numër të shtuar të algave në liqeni dhe gjatë kësaj periudhe kemi një numër të shtuar të tyre, për shkak të disa faktorëve me të cilët jemi përballur përgjatë këtyre ditëve. E para dhe kryesorja që e kemi vënë re të gjithë janë temperaturat shumë të larta, që nuk janë fare tipike për këtë sezon dhe për këtë zonë, 25 gradë në tetor dhe pa një periudhë shirash, që ka ndikuar së tepërmi që algat e liqenit të Tiranës të kenë nevojë për më shumë oksigjen. Kjo ka bërë që ato të duken akoma më shumë në sipërfaqe dhe të kenë akoma më shumë zhvillim. Procesi ka 10 ditë që ka ndodhur, në fillim kishte zhvillim më të vogël, jo shqetësues, por pastaj ka shkuar duke u agravuar situata, edhe për shkak të temperaturave dhe të rënies së shiut”, deklaroi Anisa Ruseti në një prononcim televiziv.
Drejtoresha u mundua t’i dredhonte problemit duke minimizuar shkakun. “Jo, nuk ka ujëra të zeza që derdhen pafund. Kemi një situatë, e kemi pranuar dhe jemi duke e menaxhuar. Të gjitha subjektet e trajtimit në liqen janë të certifikuara dhe licencuara për të bërë ndërhyrjen apo trajtimin e ujërave, ndonjëherë nëpërmjet gropave septike apo trajtimit të ujërave që i bëjnë në burim. Ne nuk jemi duke thënë se kjo nuk ndodh dhe nuk ekziston si fenomen. Por përmasa e problematikës që ne duam të adresojmë, dhe këtu kryesisht kemi parasysh të mos përhapim panik në popullatë. Pra qëllimi kryesor këtu është që asnjë nga rosat dhe patat që janë tani në liqen nuk ka ngordhur. Peshqit e liqenit nuk kanë ngordhur. Habitati përreth, përveç një ere, përveç faktit se është e pakëndshme për të gjithë vizitorët, ajo që duam të sigurojmë qytetarët është se nuk jemi në kushtet e një rreziku për popullatën dhe kjo është e rëndësishme, ndërkohë që ne po marrim të gjitha masat për ta menaxhuar situatën dhe për ta rikthyer atë në situatën normale sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Ruseti.
Discussion about this post