Deputetët rikthehen sot në orën 17:00 në Kuvend, në sesionin e fundit për këtë legjislaturë. Deputetët do të rikthehen në Parlament ndërkohë që Presidenti Bajram Begaj do t’iu drejtohet me një mesazh.
Në seancën e sotme nuk parashikohet të miratohen ligje apo marrëveshje. Gjatë kësaj mbledhje pritet të flasin vetëm Kryetarja e Kuvendit dhe krerët e grupeve parlamentare. Edhe pse ky parlament qëndron në detyrë deri më 10 shtator, puna e tij ka një seri kufizimesh për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme.
Së pari, edhe pse zyrtarisht Kuvendi nuk shpërndahet, gjatë periudhës së fushatës elektorale nga 11 prilli deri në 11 maj nuk ka mbledhje të komisioneve dhe seancash plenare. Sipas Kodit Zgjedhor, nga sot deri më 11 maj parlamenti nuk mund të miratojë ligje që sjellin përfitime për kategori të caktuara të shoqërisë, si rritje pagash apo pensionesh, nuk mund të ulet taksa dhe nuk mund të miratojë privatizime.
Ndërkohë që, sipas Kushtetutës, ky Kuvend nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit, gjatë periudhës nga 10 korriku deri më 10 shtator. Ndër ligjet më të rëndësishme që pritet të miratohen në javët e ardhshme është ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të lehtësuar procesin e votimit të diasporës. PS beson se është e nevojshme të afrohen afatet e regjistrimit të kandidatëve për deputet për të prodhuar më herët fletën e votimit, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë më shumë kohë për të dërguar votën me postë.
Demokratët kërkojnë që të ndryshohet Kodi për t’u dhënë mundësi shtetasve shqiptarë që kanë emigruar herët e nuk janë pajisur me dokumentet biometrike të votojnë me dokumentet e shtetit ku jetojnë. Nëse dy partitë e mëdha do të gjejnë konsensus, Kodi Zgjedhor do të shënojë herën e fundit që PD dhe PS bashkojnë votat para se të nisë beteja për zgjedhjet parlamentare. Sfida më e afërt, është ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që imponohet nga realizimi i votës së diasporës, proces historik që implementohet për herë të parë në këto zgjedhje.
PD e PS duhet të bashkojnë votat për disa ndryshime, që lidhen sa me anët teknike, aq edhe politike të procesit. Me propozim të KQZ, por mbështetur edhe nga PS, dy ndryshime kanë të bëjnë me afrimin e afateve të regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të shpërndahet te emigrantët që do të votojnë me postë. Ndryshimi tjetër është ai që kërkon të specifikojë në ligjin zgjedhor, se për këto zgjedhje, emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto, pasi do të jetë i njëjtë si dërgimi i fletës së votimit, edhe marrja e saj do të bëhet me buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, PD kërkon që Kodi të rregullohet e ta thotë qartë që votat do të numërohen nga komisionerët politikë, dhe jo nga administrata e KQZ.
Kërkesa që duket të vështirësojë arritjen e dakordësisë është ajo e bërë së fundmi nga opozita, që emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja. Në seancat e para të këtij sesioni pritet të votohet edhe për dërgimin ose jo në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist vullnet Sinaj, çështje për të cilën u ra dakord disa ditë më parë në Këshillin e Mandateve.
Në Kuvend gjithsesi debate pritet të ketë edhe për nismat e fundit ligjore të depozituara nga të dyja palët përgjatë javëve të fundit e që do t’i nënshtrohen diskutimit parlamentar, siç është paketa e maleve e qeverisë, apo dy projektligjet e depozituara nga demokratja Jorida Tabaku për “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore” apo ai për “Mbrojtjen e Konsumatorëve”.
Discussion about this post