Ndryshimet në ligjin kinez për kundërspiunazhin, që hyjnë në fuqi të shtunën, mund të krijojnë edhe më shumë sfida për korrespondentët e huaj që raportojnë nga brenda vendit, thonë gazetarë dhe analistë.
Të miratuara në prill, këto ndryshime zgjerojnë spektrin e asaj që mund të përkufizohet si spiunazh dhe ndalojnë transferimin e çdo informacioni që konsiderohet se ka lidhje me sigurinë kombëtare.
Disa gazetarë të huaj me bazë në Kinë, thonë se po presin me shqetësim të shohin se si këto ndryshime do të ndikojnë në punën e tyre. Analistët e lirisë së shtypit nga ana tjetër, parashikojnë se ato do ta bëjnë më të vështirë sigurimin e informacioneve për të raportuar.
“Shumë prej nesh janë të shqetësuar rreth saj se çfarë janë dhe çfarë nënkuptojnë këto ndryshime. Është pak e vështirë të thuhet për momentin, pasi nuk është plotësisht e qartë se çfarë janë dhe si do të zbatohen”, tha për Zërin e Amerikës një korrespondent i huaj që raporton nga Pekini. Ai kërkoi të mos identifikohet për shkak të shqetësimeve të lidhura me sigurinë e tij.
“Çdo veprim për të mbledhur informacion ka gjasa të interpretohet si shkelje e këtij ligji”, shtoi gazetari.
Rishikimet zgjerojnë përkufizimin e asaj çka quhet spiunazh, duke përfshirë qasjen tek “dokumentet, të dhënat, materialet ose sendet që lidhen me sigurinë dhe interesat kombëtare”.
Sipas Cedric Alvianit, përfaqësues i organizatës Reporterë pa Kufij, “në thelb kjo do të thotë të çdo lloj informacioni”.
Ndryshimet do t’u japin autoriteteve gjithashtu mundësinë për të mos lejuar persona të ndryshëm të largohen nga vendi, pavarësisht nga kombësia e tyre, si dhe fuqi gjithëpërfshirëse për të hetuar këdo që dyshohet për spiunazh.
Si përgjigje ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment, Ambasada kineze në Uashington iu referua një deklarate të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, e cila gjatë një Konference për shtyp kohët e fundit tha se: “Nuk është e nevojshme të bëhet një lidhje mes ligjit kundër spiunazhit, me aktivitetin e gazetarëve të huaj”.
“Kina gjithmonë i mirëpret organet e mediave dhe gazetarët e të gjitha vendeve për të kryer intervista si dhe që të shkruajnë artikuj në Kinë, në përputhje me ligjet dhe rregulloret, dhe ne do t’u ofrojmë lehtësim dhe ndihmë atyre”, shtoi ajo. “Për sa kohë që dikush respekton ligjet dhe rregulloret, nuk ka nevojë të shqetësohet”, tha ajo më tej.
‘Paqartësia si armë’
Sipas analistëve të shumtë kinezë, karakteristika përcaktuese e këtyre ndryshimeve ligjore, është paqartësia e tyre. Por kjo është tipike për Kinën, thanë ata, ku transparenca e qeverisë, nuk ka qenë kurrë normë.
“Një sekret shtetëror ka qenë gjithmonë një sekret shtetëror”, i tha Zërit të Amerikës, shefi i zyrës së një gazete amerikane që operon në Pekin. Në Kinë, “paqartësia si armë është përdorur për një kohë të gjatë”.
Ai nuk kishte autorizimin e punëdhënësit për të folur me gazetarë të tjerë mbi këtë temë, për shkak të ndjeshmërisë së saj dhe për këtë arsye kërkoi të mbetej anonim.
Zoti Alviani ndan një pikëpamje të ngjashme, duke thënë se ndryshimet e paqarta e kthejnë ligjin në “një rregullore që përfshin çdo opsion të mundshëm që mund të përdoret si një justifikim për të ndaluar dhe burgosur çdo person e për çfarëdo arsye”.
Megjithatë, James Zimmerman, një partner në zyrën e firmës ligjore ‘Perkins Coie’ në Pekin, një firmë që këshillon kompanitë e huaja, nuk mendon se ndryshimet ligjore, do të kenë një ndikim të madh në lirinë e shtypit në Kinë.
“Mjedisi vazhdon të jetë sfidues për gazetarët me ose pa ato ndryshime”, tha zoti Zimmerman për Zërin e Amerikës. Ai shtoi se ndryshimet do të përdoren më shumë për të inkurajuar autocensurën.
Por kjo nuk bën shumë për të zbutur shqetësimet e gazetarëve të huaj në Kinë.
“Fakti që ata u ndjenë të detyruar t’i bënin të qarta këto ndryshime e t’i vendosnin ato në ligj është padyshim shqetësues”, thotë korrespondenti i Pekinit. “Dhe kjo na bën të gjithëve të pyesim veten se çfarë do të ndodhë më pas”.
Për zotin Zimmerman, i cili më parë ka shërbyer si kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë, rishikimet pasqyrojnë se Pekini e percepton çdo sfidë ndaj linjës zyrtare të qeverisë, si një kërcënim për legjitimitetin e saj.
Në të njëjtën kohë, tha ai, Pekini ende dëshiron që mediat e huaja të shkruajnë për “historitë e suksesshme” të Kinës.
“Ajo që makina e propagandës nuk e kupton është se frikësimi është kundërproduktiv ndaj qëllimit përfundimtar për të reklamuar gjërat e mira në Kinë dhe vetëm sa krijon një rrjedhë të re ngjarjesh. Kjo zakonisht është negative”, tha zoti Zimmerman.
Mjedisi i lirisë së shtypit në Kinë është i dobët, duke u renditur në vendin e 179 nga 180 vende.
Korrespondentët e huaj shpesh përballen me frikësime, mbikëqyrje dhe vështirësi për të gjetur burime të gatshëm për të folur me ta.
Mund të jetë gjithashtu e vështirë të gjesh korrespondentë të huaj me bazë në Kinë, për të biseduar. Disa gazetarë të huaj në Kinë i thanë Zërit të Amerikës se nuk donin të komentonin ligjin e kundërspiunazhit, qoftë edhe në mënyrë anonime, sepse tema është shumë e ndjeshme.
Yaqiu Wang, një eksperte për Kinën në organizatën ‘Human Rights Watch’, tha se gazetarët kinezë, përkthyesit apo të tjerë persona që ndihmojnë mediat e huaja, janë edhe më të rrezikuar.
“Ata janë zakonisht në situatën më të pasigurt”, tha ajo. “Nuk duhet t’i harrojmë ata”.
Fakti që Kina është një nga vendet që burgos më shumë gazetarë se çdo vend tjetër në botë, shumica e të cilëve kinezë, nënvizon rreziqet thotë ajo.
Gazetarët që folën me Zërin e Amerikës thanë se nuk janë të sigurt se si rishikimet ligjore do të ndikojnë tek ata personalisht dhe nëse ato do të ndikojnë në mënyrën se si ata raportojnë. Për disa, kjo paqartësi i ka lënë vendin frikës dhe ankthit.
“Të punosh me pasiguri nëse ajo që po bën mund të interpretohet si spiunazh, është shumë rrënqethëse duke iu shtuar shumë të tjerave me të cilat jemi përballur deri tani”, tha shefi i zyrës së gazetës amerikane.
Ndërsa korrespondenti i huaj nga Pekini, i cili gjithashtu nuk pranoi të identifikohet, thotë se të gjithë ndihen në një farë mënyre të kërcënuar, por për momentin është më shumë ajo ndjenja: “të presim e që shohim çdo të ndodhë”./VOA
Discussion about this post