Ambasadori Luigi Soreca ka dhënë disa detaje në lidhje me Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet për herë të parë në një vend jashtë BE, në Shqipëri më 16 tetor.
Në një intervistë për News24, Soreca u shpreh se Samiti do japë një sinjal të rëndësishëm të mbështetjes për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori Soreca thotë se në fund të Samitit, do të ketë edhe një deklaratë që partnerët e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen zonës unike të pagesës me euro, për të lehtësuar pagesat ndërkufitare.
Ndërsa sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë, Soreca paralajmëroi se nëse Shqipëria vazhdon të japë rezultate, siç ka bërë deri tani, në dhjetor mund të ketë një lajm shumë të mirë për vendin.
“Ka ardhur koha të shmangen çështjet shqetësuese në këtë rrugë deri në dhjetor, në mënyrë që Shqipëria të mund të hapë kapitullin më të rëndësishëm, që është i ashtuquajturi kapitull i çështjeve themelore, i cili është, si të thuash, karburanti që Shqipëria të ecë shpejt drejt procesit të integrimit. Nëse gjatë kësaj periudhe Shqipëria vazhdon të japë rezultate, siç ka bërë deri tani, jam i bindur se në dhjetor mund të ketë një lajm shumë të mirë për vendin”, tha nder te tjera Soreca.
Zoti ambasador përshëndetje dhe mirëse u rikthyet në Shqipëri!
Luigi Soreca: Shumë faleminderit! Jam shumë i lumtur që jam kthyer që të kontribuoj në këtë moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë drejt BE-së.
Zoti ambasador, “Procesi i Berlinit” është një iniciativë e ish-Kancelarjes gjermane Angela Merkel në vitin 2014, qëllimi i së cilës ishte forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit me ndihmën e BE. Në 16 Tetor samiti i “Procesit te Berlinit” për herë të parë do të zhvillohet në Tiranë, jashtë kufijëve politikë të Bashkimit Europian. Çfarë duhet të presim nga ky samit?
Luigi Soreca: Samiti do të jetë një tjetër moment shumë i rëndësishëm për Tiranën, për Shqipërinë dhe për rajonin. Vetëm pak muaj më parë gjithë drejtuesit e Bashkimit Evropian u mblodhën në Tiranë, në 6 dhjetor, ndërsa tani, një tjetër moment i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Dua të theksoj faktin që Shqipëria është zgjedhur përsëri për një aktivitet kaq të rëndësishëm, sepse njerëzit duhet të kuptojnë se Shqipëria po ngrihet në nivel ndërkombëtar me kryesinë e Këshillit të Sigurisë të OKB-së, me kryesinë e OSBE-së dhe me punën e mirë që është bërë në procesin e anëtarësimit. Mbajtja e samitit të Procesit të Berlinit këtu është gjithashtu njohje e kësaj pune. Procesi i Berlinit është paralel me procesin e anëtarësimit, por ata përforcojnë në mënyrë të ndërsjellë njëri-tjetrin, sepse integrimi ekonomik, që është objektivi i Procesit të Berlinit, është ajo çka i nevojitet shumë edhe rajonit për procesin e anëtarësimit. Për mua fjala kyçe e datës 16 është përshpejtimi. Duhet të përshpejtojmë nga të dyja anët. Shqipëria dhe rajoni duhet të përshpejtojnë reformat për të kapur trenin e zgjerimit, ndërsa BE-ja duhet gjithashtu të përshpejtojë reformat e veta të brendshme, për të garantuar që partnerët e rinj, të cilët shpresojmë se do të bashkohen me ne sa më shpejt, të mund të punojnë si duhet. Më lejoni të them se nuk kam dëgjuar kurrë të flitet kaq shumë për zgjerimin në Bruksel sa gjashtëmbëdhjetë muajt e fundit, dhe kjo veçanërisht për shkak të punës së mirë të bërë këtu dhe kontekstit gjeopolitik që ka ardhur si pasojë e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës. Zgjerimi është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por është i rëndësishëm edhe për BE-në, tashmë edhe më shumë nga pikëpamja e sigurisë, në mënyrë që rajoni ynë të ndajë bashkërisht një mjedis më të sigurt për njerëzit tanë dhe begatimin e gjithë qytetarëve tanë.
Në samitin e Procesit të Berlinit, mbajtur në kryeqytetin gjerman më 3 Nentor 2022, u nënshkruan tre marrëveshje rajonale. Më 16 Tetor, a do ketë marrëveshje të reja që palëve do t’u vihen në tavolinë për t’u nënshkruar? A janë parashikuar financime në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit për lehtësimin e ekonomisë në këtë periudhë të vështirë ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë?
Luigi Soreca: Samiti, sigurisht, është fundi i një procesi, i cili ka parë të punojnë shumë njerëz për të arritur ato që ne i quajmë arritje, rezultate. Samiti sjell rezultate konkrete, por këtë herë fjala kyçe është ekonomia, është konvergjenca ekonomike. Gjithë marrëveshjet që do të nënshkruhen në Tiranë, në datë 16, do të kenë lidhje me ekonominë. Do të ketë një deklaratë të përbashkët nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të punuar për t’iu bashkuar aleancës evropiane për lëndën e parë. Kjo duket shumë e vështirë për t’u kuptuar, por pa lëndën e parë ekonomia në Shqipëri nuk mund të funksionojë si duhet. Do të ketë edhe një deklaratë që partnerët e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen zonës unike të pagesës me euro, në mënyrë që pagesat ndërkufitare pa para në dorë të jenë më të lehta. Ju e dini se që prej 1 tetorit shqiptarët dhe miqtë nga rajoni do të paguajnë shumë më pak për tarifat roaming për të folur me njëri-tjetrin dhe me miqtë në Evropë. Këto janë gjëra konkrete, por edhe më konkrete është mbështetja që Bashkimi Evropian i ka dhënë rajonit dhe Shqipërisë që prej vitit të kaluar kur u takuam në Tiranë. Komisioni vendosi, veçanërisht, dhënien e 80 milionë Eurove Shqipërisë për të ndihmuar konsumatorët të përballojnë problemin e çmimeve të energjisë. 72 milionë Euro nga totali prej 80 milionë i janë dhënë tashmë, qershorin e kaluar, qeverisë shqiptare për të ndihmuar familjet, ndërmarrjet e vogla dhe personat e cenueshëm. E di që gazetarët duan shifra, prandaj po ju jap shifra. 1 milion familje po ndihmohen me këto para, 160.000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe 12.000 persona të cenueshëm po ndihmohen nga Bashkimi Evropian konkretisht, në përpjekjet e tyre të përditshme me çmimet e energjisë. Pra, jemi shumë krenarë që, si zakonisht, Evropa është këtu.
Procesi u nis me qëllimin për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe si shtysë drejt integrimit europian të këtyre vendeve. A do të dëgojmë një sinjal jo thjeshtë mbështetjeje politike, por edhe konkrete për integrimin e rajonit në BE?
Luigi Soreca: Procesi i Berlinit dhe integrimi në BE shkojnë paralel. Procesi i Berlinit është aty për të ndihmuar vendet e rajonit për të ecur përpara me integrimin dhe ky moment është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, për shkak të Samitit Ballkani Perëndimor–BE më 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel. Ky është momenti që Shqipëria duhet të mbajë parasysh. Lidhur me punën e bërë nga Shqipëria vitin e kaluar për integrimin, dua të përgëzoj këtu me dhjetëra zyrtarë të administratës publike që kanë ardhur në Bruksel për të prezantuar legjislacionin shqiptar për t’u dëgjuar nga Komisioni Evropian. Ata kanë bërë një punë shumë të mirë. Ata kanë qenë ambasadorët më të mirë të këtij vendi dhe kanë përgatitur terrenin për një vendim pozitiv. Por ka ardhur koha të shmangen çështjet shqetësuese në këtë rrugë deri në dhjetor, në mënyrë që Shqipëria të mund të hapë kapitullin më të rëndësishëm, që është i ashtuquajturi kapitull i çështjeve themelore, i cili është, si të thuash, karburanti që Shqipëria të ecë shpejt drejt procesit të integrimit. Nëse gjatë kësaj periudhe Shqipëria vazhdon të japë rezultate, siç ka bërë deri tani, jam i bindur se në dhjetor mund të ketë një lajm shumë të mirë për vendin.
Discussion about this post