Lista është e gjatë: fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët viktima të dhunës, fëmijët në situatë rruge, fëmijët që kryejnë punë të rënda, fëmijët përdorues të substancave narkotike.
Që nga dhjetori i vitit 2023, për këto kategori të fëmijëve janë limituar ose mbyllur shumë shërbime që më parë ofroheshin falas nga organizatat joqeveritare në Kosovë.
Për çfarë shërbimesh bëhet fjalë?
Se çfarë shërbimesh janë mbyllur është e qartë në përgjigjen e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Fushë Kosovës, Abaz Xhigoli.
Ai tregon që “për mungesë fondesh” është mbyllur shtëpia për mbrojtjen e fëmijëve, ku ata merrnin shërbime të strehimit, ushqimit, kujdesit shëndetësor, përkrahjes psikologjike dhe psikiatrike, shkollimit, si dhe ndiqnin kurse të ndryshme dhe aktivitete rekreative.
Vetëm Komuna e Fushë Kosovës dhe ajo e Prishtinës i kanë pranuar telashet me financim të shërbimeve sociale, ndërsa komunat e tjera kanë thënë se nuk kanë mbyllur apo kufizuar shërbime sociale.
Nga 38 komuna në Kosovë, nëntë u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.
Por, Loreta Keqekolla, nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), thotë se problemet janë të përhapura nëpër të gjitha komunat.
Ajo tregon se në mesin e organizatave anëtare të KOMF-it, janë shumë që janë detyruar t’i mbyllin ose t’i reduktojnë shërbimet për fëmijë.
Lista përfshin organizatën Handikos që ofron shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara, qendrën e kujdesit ditor Pema, qendrën Labyrinth ku trajtohen përdoruesit e lëndëve narkotike, etj.
“Nëse kjo situatë vazhdon edhe më tutje, ka rrezik tamam nga një kolaps i shërbimeve sociale dhe ka rrezik që edhe shërbimet që janë vetëm të kufizuara, të mbyllen plotësisht. E, kështu, shumë fëmijë mbeten pa shërbime tejet të nevojshme për funksionimin e tyre”, thotë Keqekolla për REL-in.
Pse nuk ka fonde?
Shumë nga shërbimet sociale të parapara si shërbime parësore me Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare – si strehimoret për të mbijetuarit e dhunës në familje – ofrohen vetëm nga organizatat joqeveritare e jo nga institucionet shtetërore, si Qendrat për Punë Sociale.
Për financimin e këtyre shërbimeve, OJQ-të aplikojnë në thirrje për mbështetje financiare nga donatorë ndërkombëtarë, Qeveria apo komuna përkatëse.
Për Dardan Kryeziun, nga organizata Civikos, problemi nis qysh nga ideja se financimi i këtyre shërbimeve është vetëm opsional për institucionet shtetërore.
“Shumica e ministrive dhe komunave ndajnë grante për OJQ-të në formë të projekteve. Është krijuar një praktikë në Kosovë që edhe shërbimet sociale parësore që ofrohen nga OJQ-të, të mbështeten përmes granteve”, thotë Kryeziu për REL-in.
“Ministria e Kulturës jep vazhdimisht projekte, këto janë opsionale. Por, shërbimet sociale nuk duhet të trajtohen kështu, ato duhet të kontraktohen në vazhdimësi”, shton ai.
Pse shihet si problem mbështetja përmes granteve në këtë formë? Për shkak se ato janë afatshkurta.
“Ato pak subvencione që ofrohen, ai pak buxhet që ndahet, ndahet për periudha nga gjashtë deri në 10 apo 12 muaj. Dhe, gjithmonë pastaj i kemi këto zbrazëtirat kohore kur nuk ka shërbime”, thotë Keqekolla nga KOMF-i.
Në vitin 2022, sipas një hulumtimi të KOMF-it, vetëm katër për qind e buxhetit të Kosovës ishte ndarë për politika dhe shërbime sociale.
Në përgjigjet e tyre për REL-in, shumica e komunave kanë kërkuar që të krijohet granti specifik për shërbime sociale si mënyrë më e mirë e financimit të shërbimeve sociale.
Ky grant do t’i detyronte komunat që fondet e ndara, t’i shfrytëzojnë vetëm për financim të shërbimeve sociale.
Edhe pse KOMF-i ka bërë thirrje ndër vite që të krijohet ky grant, Keqekolla thotë se komunat është dashur të ndajnë fonde për shërbime sociale edhe nga granti i përgjithshëm qeveritar për komunat dhe nga të hyrat vetanake komunale.
“Komunat kanë përgjegjësi të plotë për këto shërbime që nga decentralizimi i shërbimeve sociale në vitin 2009. Por, edhe sot, pas 15 vjetësh, ato ende nuk kanë gatishmëri dhe vullnet për të ndarë financa për shërbime sociale”, thotë Keqekolla.
E, mungesën e ndarjes së buxhetit nga komunat për shërbimet sociale, OJQ-të kanë tentuar ta zëvendësojnë me fonde të fituara nga donatorë ndërkombëtarë.
Por, Keqekolla paralajmëron se këto nuk janë të qëndrueshme.
“Këtë herë ka rastisur që shumicës së OJQ-ve t’u përfundojnë projektet në fund të vitit 2023 dhe, pastaj, ka pasur më pak thirrje për projekte të ofrimit të shërbimeve sociale. S’dihet pse, por donatorët ndërkombëtarë i kanë politikat e tyre dhe i orientojnë fondet në çështje të caktuara në vite të caktuara”, sqaron ajo.
Si mund të zgjidhet ky problem?
KOMF-i nuk ka ndonjë numër të saktë se sa fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale shkaku i këtij problemi financiar. Por, duke qenë se shumica e shërbimeve të tilla të specializuara ofrohen nga OJQ-të, Keqekolla thotë se situata është “emergjente”.
“Për qytetarët që kanë nevojë për këto shërbime, duhet të shohim forma të tjera, si nga ofruesit privatë, që janë me pagesë. Dhe, kjo e thellon edhe më shumë varfërinë. E, në rastet më të këqija, fëmijët mbeten pa shërbime për shkak të pamundësive ekonomike”, thotë Keqekolla.
Sipas KOMF-it, 22,8% e fëmijëve në Kosovë jetojnë në varfëri. Për këtë arsye, KOMF-i kërkon edhe zgjidhje afatshkurta emergjente nga Qeveria, si financimin e përkohshëm të shërbimeve sociale përmes pakos për ringjallje ekonomike.
Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë temë.
Ndërsa, nga të gjitha komunat, KOMF-i tregon se vetëm Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë hapa për ta përmirësuar situatën.
Adelinë Sahiti, drejtoreshë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, tregon për REL-in se janë ofruar mbi 500 mijë euro për financimin e shërbimeve sociale nga OJQ-të.
“Tutje, kryeqyteti ka vënë në funksion dhjetëra hapësira publike falas për të ofruar shërbime”, thotë Sahiti.
Por, ajo bën thirrje që së shpejti të bëhen ndryshime legjislative, “nëpërmjet të cilave ne synojmë t’i kontraktojmë drejtpërdrejt shërbimet, të cilat nuk mund t’i ofrojmë”.
Ndryshimi legjislativ në fjalë është një udhëzim administrativ në të cilin ka qenë duke punuar Dardan Kryeziu nga Civikos, bashkë me Ministrinë e Financave.
Udhëzimi administrativ parasheh një mënyrë se si, përmes prokurimit publik, Qeveria dhe komunat do t’i blinin shërbimet sociale nga OJQ-të.
“Çka po tentojmë të bëjmë është ta krijojmë një sistem – udhëzimin administrativ – ku ministritë dhe komunat i blejnë shërbimet sociale përmes prokurimit, ashtu qysh e blejnë çdo shërbim tjetër, si furnizimin me ujë apo shtrimin e asfaltit. Kjo mundëson kontraktim afatgjatë”, tregon Kryeziu.
E, me minimumin e kontraktimit të vendosur në tre vjet, Kryeziu thotë se do të evitoheshin periudhat kohore kur kategori të ndryshme mbeten pa shërbimet e nevojshme sociale.
Kryeziu tregon se ligjet në Kosovë e lejojnë kontraktimin në këtë mënyrë edhe tani, mirëpo thotë se në mungesë të një udhëzimi administrativ, kjo praktikë nuk është përdorur.
Ai shpreson që procedurat deri në hyrjen në fuqi të udhëzimit administrativ të mos zgjasin shumë dhe të fillojë zbatimi i asaj që Kryeziu e quan “reformë që sjell ndryshim komplet rrënjësor”.
“Kjo krejt varet nga vullneti politik tash”, thotë Kryeziu.
Discussion about this post