Tetë tenderë pa garë ka mbyllur në një ditë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu! Në bazë të këtyre, procedurave, ministrja ka lidhur kontratë për blerje barnash, madje edhe me oligarkë të akuzuar më herët për kontrabandë ilaçesh. I pari është tenderi me vlerë 35 milionë lekë për blerjen e një ilaçi të quajtur “Viper venom antiserum”. Ky prokurim me numër reference REF-39246-08-18-2022 mban “Flamur të kuq” sepse Manastirliu ka shkelur rregullat bazë të procedurës. Duket se fituesi ishte paracaktuar sepse firma “Farma Net” është e biznesmenit të njohur Sokol Topçiu, i cili është arrestuar më parë për kontrabandë barnash.
Vetëm “FarmaNet” kishte shfaqur interes për këtë kërkesë dhe pa humbur kohë, ministrja e shpalli fituese. Topçiu ka paraqitur ofertën 32 425 870,00 lekë, sa 98% e fondit limit. Këtu shtohet një tjetër risk tjetër për korrupsion në prokurim. Këto fakte tregojnë se kemi të bëjmë më një tender klientelist, pasi Topçiu ishte i paracaktuar si fitues.
Tendera nga arresti shtëpiak
Kujtojmë se Sokol Topçiu, një nga përfituesit e parave publike në shëndetësi, u arrestua me urdhër të Prokurorisë në tetor të vitit 2021, si pjesë e një grupi të organizuar me natyrë kriminale, i cili kishte ngritur një skemë për shitjen e ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë së COVID-19. Por, duke pasur miq si ministrja, biznesmeni doli shpejt nga burgu dhe për të u dha vendimi arrest shtëpie.
Por edhe pas goditjes nga prokuroria, Sokol Topçiu vijoi të kalonte në llogaritë e tij paratë publike, falë një lidhje misterioze me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, të cilën duket qartë që e ka pas vetes. Në 19 maj 2022, Manastirliu i ka dhënë pa garë Topçiut tenderin për blerje Oxytocin me vlerë rreth 200 milionë lekë. Oferta e “FarmaNet Albania” ishte sa fondi limit. Në shkurt të vitit 2022, ‘Farma Net Albania’ e Sokol Topçiut ka lidhur edhe kontratën e fundit me Spitalin e Traumës me vlerë 77 milionë lekë për furnizimin me ilaçe. Si gjithmonë, oferta fituese është gati sa fondi limit, për shkak se tenderat për bosin e mbi 100 farmacive janë të paracaktuara.
Vetëm disa ditë para të se të arrestohej, Topçiu ka marrë nga Manastirliu një tender me vlerë rreth 2 milionë USD, për furnizim me materiale mbrojtëse anti-Covid. Tenderi është zhvilluar me negocim pa garë, pra me pazar në tavolinë. Oferta e Topçiut normalisht është sa fondi limit, ndërsa dyshohet se janë ndarë mes tij zyrtarëve të paktën 1 milion dollarë. Qysh më ardhjen e Manastirliut në krye të Shëndetësisë, Sokol Topçiu u kthye në një nga përfituesit kryesorë të parave në shëndetësi. Kompania e tij ka marrë rreth 200 tendera të dyshimtë nga Manastirliu dhe njerëzit e saj, ndërkohë që po zbatonte një skemë të shitjes së ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë.
2 miliardë lekë tender Vilma Nushit dhe Merita Sheqit
Në të njëjtën ditë, më 11 tetor 2012, Manastirliu ka mbyllur një tender me vlerë 2 miliardë lekë për blerjen e ilaçit “Bevacizumab”, që ia ka falur dy biznesmenëve Vilma Nushi dhe Merita Sheqi. Këto të dyja kanë garuar si bashkim shoqërive me kompanitë përkatëse “T R I M E D shpk” dhe “Rejis Farma”. Dokumentet që disponon Gijotina.com tregojnë se ky tender është dhënë pa konkurrim, pasi vetëm “T R I M E D shpk” dhe “Rejis Farma” kanë paraqitur ofertë. Por, edhe në këtë rast, në kundërshtim me rregullat e prokurimit, Manastirliu e ka mbyllur tenderin duke shpallur fituese pjesëmarrësin e vetëm në garë.
“T R I M E D shpk” në të vërtetë është kompania e Vilma Nushit, por që e kaluar në emër të nipit të saj Endrit Hido për të fituar tenderë publikë. Kujtojmë se, oligarkja Vilma Nushi zotëron koncesionin e Check Up. Kujtojmë se për tenderin e sterilizimit dhe ‘Check Up’, SPAK ka marrë në pyetje zv-ministrin dhe ish-zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë.
Sakaq, bashkëshortët Merita dhe Nexhat Sheqi janë pronarë të kompanisë “Rejsi Farma”, e përfshirë në skema korrupsioni me FSDKSH me rimbursimin e ilaçeve nga vitit 2007 deri më sot. “Rejsi Farma” është pjesë e disa listave të zeza të prokurorisë, policisë, organeve anti-korrupsion etj, si një nga kompanitë farmaceutike më të kompromentuara në Shqipëri.
Krahas barnave me cilësi të dyshimtë, trusteve, lejeve ekskluzive, “Rejsi Farma” është monitoruar edhe për kontrabandë ilaçesh dhe lëndësh të paligjshme. E megjithatë, vetëm gjatë viteve të fundit, çifti Sheqi ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë rreth 500 tendera klientelistë për furnizim me ilaçe, me vlerë miliona euro.
2 miliardë lekë për Petrit Vasilin
Pjesë e këtyre tenderave korruptiv sigurisht është bërë edhe kompania “MEGAPHARMA shpk” e Petrit Vasilit (që formalisht e ka vendosur kompaninë në emër të kushëririt). Kjo kompani, në bashkëpunim me disa simotra ka arritur të marrë 4 tenderë, që kapin vlerat 2 miliardë lekë. Tenderi i parë është hapur për blerje “Metamizole sodium” dhe është vënë në dispozicion fondi 11 milionë lekë. Në garë ka qenë vetëm Megapharma, me administrator Robert Çina dhe Rasim Hamzaraj. Për saktësim, deputeti Petrit Vasili ka 60% pronësi në këtë firmë, të fshehur pas djalit të dajës, Rasim Hamzaraj. Ky i fundit ka 4 dosje penale me vlerë totale 30 milionë Euro, për mashtrim me kontratat e ilaçeve e vaksinave, kur Petrit Vasili ishte Ministër Shëndetësie dhe për 11 milionë Euro gjatë viteve 2018-2021. Ky tender është klasifikuar nga Open Data Albania me flamur të kuq, pasi nuk ka konkurrencë dhe është shpallur tender i dyshimtë.
Pas këtij tenderi, Vasili ka nënshkruar edhe një tjetër kontratë. Këtë herë në bashkëpunim me Nadir Çaushollin, mikun e Veliajt. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerjen e Ondansetron”. Në fakt “Megapharma” e Vasilit e ka bërë ofertën si bashkim operatorësh me “CFO PHARMA sh” të Nadir Çaushollit dhe ALBANIA NEË FARM shpk të Lefter Tolit. Sërish në garë ka qenë vetëm ky bashkim operatorësh, dhe për të disatën herë brenda një dite Manastirliu e ka shkelur gazin e abuzimit sikur të ishte dita e fundit e jetës në pushtet.
Kontrata tjetër ku është përfshirë sërish kompania e Petrit Vasilit është prokurimi me objekt “Human Coagulation Factor IX”. Ky tender mban numrin e referncës REF-39300-08-18-2022 dhe për të janë shpenzuar 95 milionë lekë nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Në këtë prokurim “Megapharma” ka bashkëpunuar me kompaninë “M E D I C A M E N T A shpk”, në pronësi të Ilir Shehut. Pa u lodhur fare dhe pa konkurrencë ata kanë sirguruar kontratën e Ministrisë së Shëndetësisë për 2 vjet.
Bashkë me këtë firmë, Vasili ka përfituar edhe një tjetër tender me vlerë 56 milionë lekë. Por, këtë herë kanë futur në skemën e tyre edhe një tjetër firmë, LEKLI shpk në pronësi të Luan Leklit. Ky i fundit gjithashtu renditet në listën e biznesmenëve që kanë përfituar tenderë pa garë nga QSUT, sidomos kur në krye të saj ishte Enkelejd Joti. Tenderi për të cilin flasim mban numrin e referencës REF-39320-08-18-2022 dhe objekt “Human Plasma Immunoglobulin”.
1 miliardë lekë për dy tenderë të tjerë korruptivë
Dy tenderat e tjerë të Manastriliut të regjistruara me datë 11 tetor, gjithashtu janë dhënë pa garë. Këto dy prokurime kapin vlerën 1 miliardë lekë. I pari është fituar nga LEKLI shpk e Luan Leklit. Ky prokurim mban numër reference REF-39322-08-18-2022 dhe është hapur për blerjen e “Human plasma proteins”. Sipas të dhënave të Open Data, kjo kontratë është dhënë në mungesë të konkurrencës, pasi ka paraqitur ofertë vetëm firma “Lekli shpk”.
Fill pas tij është mbyllur edhe tenderi për blerje “Cisplatine”, i fituar nga firma FUFARMA sha, në pronësi të Isuf Berberit, por që një përqindje të aksioneve e ka edhe Ministria e Financave. Pra, dy ministri kanë punuar që Berberi të marrë pa garë fare tenderin me vlerë 11 milionë lekë. Pra, kjo ishte dita e tenderave pa garë e ministres Ogerta Manastirliu, që xhiroi në drejtim të oligarkëve 5 miliardë lekë.
Esmeralda Hida
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post