Një projekt-ligj për ndryshimet në gjyqësor që prej muajsh ka ngjallur protesta masive në Izrael, do të votohet të hënën në parlamentin e vendit në një seancë maratonë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, pasi iu shtrua një procedure në zemër, the se do të jetë i pranishëm në seancë për të mbështetur reformën e ndërmarrë nga qeveria e tij.
Dhjetëra mijëra izraelitë kanë paralajmëruar se do të mblidhen para Knesset-it për të demonstruar kundër reformës që do të kufizonte pushtetin e Gjykatës së Lartë.
Janë të shumtë ata që thonë se qëndrimet e kundërta për këtë projektligj po shkatërrojnë unitetin e vendit.
Protestuesit izraelitë u zgjuan të dielën në një kamp tendash që kanë ngritur pranë parlamentit në Jerusalem, përpara votimit përfundimtar që pritet të mbahet nesër për një projektligj përmes së cilit dobësohen kompetencat e Gjykatës së Lartë të Izraelit.
“Miratimi i projektligjit është pjesë e grushti shteti gjyqësor dhe ne do të jemi këtu për ta luftuar atë hap pas hapi. Ne nuk do të shkojmë në shtëpi, do të qëndrojmë në rrugë, kemi qenë këtu për një gjysmë viti dhe do të jemi këtu për aq kohë sa të duhet”, tha studentja 24 vjeçare, Tzivia Guggenheim.
Ndërsa dhjetëra-mijëra protestues u mblodhën në Jerusalem, kryeministri Netanyahu ishte në spital ku iu vendos një pajisje që i kontrollon aritminë e zemrës. Pas procedurës, ai tha se ishte “në gjendje të shkëlqyer shëndetësore” dhe planifikon të jetë në parlament për votimin e ndryshimeve në gjyqësor.
“Ne po vazhdojmë përpjekjet për të përfunduar legjislacionin, si dhe përpjekjet për ta bërë këtë përmes konsensusit, por në çdo rast dua që ju të dini se nesër në mëngjes do t’i bashkohem kolegëve të mi në Knesset”, tha ai përmes një videodeklarate të bërë publike pas procedurës në spital.
Lajmi se ai është mirë, u konfirmua edhe nga mjekët që i vendosën pajisjen për t’i kontrolluar aritminë në zemër.
“Vendosja e pajisjes shkoi pa probleme, ai nuk është në gjendje të rrezikshme për jetën, ndihet mirë dhe po i kthehet rutinës së përditshme”, tha Profesor Roy Beinart, Drejtor në Qendrën e Aritmisë Davidai në Institutin e Zemrës në Qendrën Mjekësore Sheba.
Qeveria e zotit Netanjahu argumenton se ndryshimet në pushtetin e Gjykatës së Lartë janë të nevojshme pasi ajo bën ndërhyrje të shumta në politikën e vendit. Kritikët thonë se projektligji krijon mundësinë për abuzim me pushtetin.
Protestuesit antiqeveritarë planifikojnë po mbajnë një demonstratë të madhe para Knessetit sot dhe do të vazhdojnë protestën edhe nesër përpara votimit. Një protestë pro-qeveritare në mbështetje të ndryshimeve gjyqësore po mbahet të dielën në Tel Aviv.
Protestat disa mujore kanë ngritur një shqetësim tjetër edhe tek ata që e kundërshtojnë propozimin e qeverisë së zotit Netanjahu. Krahas protestave kundër qeverisë, në Jeruzalem sot janë mbledhur edhe mijëra njerëz për të bërë thirrje për unitet.
Turma që përfshin kundërshtarë dhe mbështetës të ndryshimeve gjyqësore mbajti një lutje masive në Murin Perëndimor, vendin më të shenjtë të xhudaizmit, dhe më pas formoi një rresht të gjatë në të gjithë Jeruzalemin.
Moran Zer Katzenstein, një aktiviste e njohur izraelite për të drejtat e grave dhe udhëheqëse e protestave kundër ndryshimeve në gjyqësor ka themeluar grupin “Ndërtimi i Një Proteste Alternative”.
“Ne po ndiejmë se vendi ynë dhe populli ynë po përçahen dhe mendoj se kjo është përpjekja jonë e fundit për t’u thënë atyre: ‘Ne nuk jemi kundër jush, por ju lutemi, thuajuni udhëheqësve tuaj të ndalojnë ndryshimet në drejtësi. Le të fillojmë të flasim”, thotë zonja Katzenstein, drejtuese e grupit “Ndërtimi i Një Proteste Alternative”.
Ish-ligjvënësi dhe aktivisti i dajthtës së skajshme izraelite, Yehuda Glick, iu bashkua turmës që këndonte dhe lutej bashkë.
“Unë personalisht i mbështes reformat e kësaj qeverie. Ka njerëz që janë kundër tyre, por sot, vendosëm të qëndrojmë dorë për dore, për t’i thënë botës: ‘Ne jemi një. Ne jemi një demokraci e fortë’. Ne mund të demonstrojmë, mund të flasim gjëra shumë të dhimbshme, por në fund të fundit jemi vëllezër, jemi një komb”, thotë zoti Glick. Një nga shqetësimet e izraelitëve për unitetin e vendit nxitet edhe nga debati i tensionuar maratonë në Knesset për ndryshimet në gjyqësorin e vendit.
Në një fjalim të zjarrtë që nisi seancën, Simcha Rothman, udhëheqësi i Komisionit Parlamentar që solli projektligjin në Knesset, denoncoi gjykatat, duke thënë se ato dëmtuan bazat demokratike të Izraelit duke rrëzuar në mënyrë arbitrare vendimet e qeverisë.
“I bëj thirrje anëtarëve të Knessetit që të miratojnë ligjin, të refuzojnë rezervat që të rivendosin demokracinë në shtetin e Izraelit”, tha gjatë fjalimit zoti Rothman. Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid kundërshtoi ashpër projektligjin, por mbajti fjalim më të përmbajtur.
“Ndaloni këtë legjislacion, duhet të shkojmë tek presidenti dhe të mos ndalim kurrë përpjekjet për një zgjidhje pasi fati i popullit të Izraelit varet nga kjo”, tha zoti Lapid në parlamentin e vendit.
Ndryshimet e propozuara gjyqësore nga qeveria e zotit Netanjahu përpos kufizimeve për Gjykatën e Lartë kërkojn gjithashtu ndryshime gjithëpërfshirëse që synojnë frenimin e kompetencave të gjyqësorit e deri te ndryshimi i mënyrës së përzgjedhjes së gjyqtarëve./VOA
Discussion about this post