Graham Allison është profesor në Harvard dhe ish-zyrtar amerikan i mbrojtjes me ekspertizë në armët bërthamore, Rusinë, Kinën dhe planifikimet e sigurisë. Libri i tij i botuar më 1971 për krizën kubane të raketave konsiderohet një vepër e rëndësishme. Në vitet ’90, si ndihmëssekretar i Mbrojtjes, Allison, 82 vjeç, punoi për të koordinuar strategjinë e SHBA-së ndaj shteteve pasardhëse të Bashkimit Sovjetik pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Gjatë një interviste për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, ish-diplomati foli se pse presidenti rus, Vladimir Putin, do të vazhdojë të përshkallëzojë situatën në Ukrainë, ndoshta edhe duke zgjedhur që të përdorë armë bërthamore dhe duke thyer kështu “tabunë” dekadëshe e duke e zhytur botën në pasiguri të mëtejshme.
Radio Evropa e Lirë: Më herët gjatë këtij muaji, Putin festoi ditëlindjen e 70-të një ditë pasi më 8 tetor u sulmua Ura e Krimesë, që Moska beson se u krye nga një kamion-bombë. Pas kësaj, Rusia nisi sulmet më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt, duke treguar se Putin është i gatshëm që të përshkallëzojë situatën. Sipas jush, cili do të jetë veprimi i tij i radhës?
Graham Allison: Nëse Putin detyrohet të zgjedhë mes një humbjeje poshtëruese, në njërën anë, dhe përshkallëzimit të nivelit të shkatërrimit… kam të gjitha arsyet që të besoj se ai do të zgjedhë këtë të fundit. Kur ngrehni nivelin e shkatërrimit, hapi i parë është bombardimi i infrastrukturës. Mendoj se ai është duke e bërë këtë tani, edhe pse ai nuk ka aq shumë bomba të mençura sa do të donte, prandaj ata nuk po mund t’i shënjestrojnë caqet me kujdes, por ngritja e kësaj shkalle të shkatërrimit, thjesht po i shkatërron njerëzit.
Prandaj, unë mendoj se fillimisht ai po shënjestron infrastrukturën sepse ai dëshiron që ta ngrijë Ukrainën dhe ta zhysë në terr këtë shtet. Por, përmes këtyre sulmeve vriten njerëz. Dhe pas kësaj vijnë armët kimike, dhe pas kësaj vijnë sulmet bërthamore.Radio Evropa e Lirë: Ju po paraqisni një pamje mjaft të zymtë lidhur me atë se në cilin drejtim mund të shkojë konflikti.
Graham Allison: Është një pamje shumë e shëmtuar. Edhe pse një humbje poshtëruese e Rusisë në Ukrainë, sipas meje, nuk do të ishte ekzistenciale për Rusinë – Rusia mund të mbijetojë pa Ukrainë – por mendoj se do të ishte ekzistenciale për Putinin.
Radio Evropa e Lirë: A jemi në atë moment kur Putin e ndien se është mbështetur për muri?
Graham Allison: Mendoj se po. Sikurse ka thënë presidenti [amerikan, Joe] Biden, në deklarata private, por që u bënë publike javën që shkoi, ai mendon se jemi duke ecur drejt asaj pike.
Radio Evropa e Lirë: Nëse me të vërtetë do të ketë sulme bërthamore në Ukrainë, për shembull, si një shfaqje e forcës vendimtare, çfarë do të thotë kjo jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Rusinë dhe për pjesën tjetër të botës?
Graham Allison: Kjo është një pyetje, që sigurisht se çdo person vendimmarrës në Uashington –që ka shumë – por sigurisht edhe presidenti Biden dhe i gjithë ekipi i tij i sigurisë kombëtare, është duke e bërë. Këtë pyetje po e bëjnë evropianët dhe sigurisht se ata duhet ta bëjnë këtë pyetje. Pra, cila është pamja e përgjithshme? Ne kemi kaluar shtatë dekada pa përdorimin e armëve bërthamore në luftë. Kjo është e jashtëzakonshme. Nuk është një gjë natyrale. Është një arritje. Tabuja bërthamore është krijuar ngadalë, por është krijuar. Dhe, fatmirësisht, shtetet janë përmbajtur nga përdorimi i armëve bërthamore.Sigurisht, Putin ka aftësi për të kryer një sulm bërthamor. Sipas tij, ai madje ka edhe mund të ketë arsye për të kryer sulm bërthamor nëse ai mendon se ka shanse që do t’i lejonin atij që të dilte nga kjo situatë si fitues, e jo si humbës. Putin nuk e mendon veten si një humbës dhe besoj se do të jetë i dëshpëruar, siç ka thënë drejtori i CIA-s, [William] Burns, për të gjetur një rrugë për të dalë nga situata, nëse mbështetet për muri.
Prandaj, mendoj se nëse ai e bënë këtë [përdorimin e armëve bërthamore] ne do të jetojmë në një botë të re, ashtu siç ka thënë Biden. Se si do të përgjigjej SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë nëse do të ndodhte kjo, është ende e paqartë. Shumë mund të varet se cili do të ishte caku i sulmeve me armë bërthamore. Ai [Putin] mund të ketë ‘bombë demonstruese’, pra të hedhë në ajër diçka në një pyll apo në Detin e Zi. Ai mund të godasë një cak ushtarak, mund të godasë një qytet.
Nëse dëgjoni se çfarë deklaroi javën e kaluar, ai tha se hedhja e bombave bërthamore në Hiroshima dhe Ngaasaki nga [ish-presidenti amerikan, Harry] Truman, ishte precedent. Kështu deklaroi ai. Epo, në Hiroshima, bombën që e lëshuan amerikanët në këtë qytet, la të vrarë 140.000 persona. Prandaj, një sulm bërthamor ndaj Kievit me armë taktike bërthamore mund të shkaktojë të njëjtin dëm – bomba që u lëshua në Hiroshima ishte 15 kilotonëshe – duke vrarë shumë njerëz. Mund të thoni “Oh, Zot, cila do të ishte përgjigja ndaj kësaj?”. Unë mendoj se Uashingtoni ka një sërë opsionesh për këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ndonjëri nga këto opsione është që Uashingtoni të përgjigjet me armë bërthamore?
Graham Allison: Uashingtoni do të deklarojë se të gjitha opsionet janë në tavolinë. Por, unë mendoj se një përgjigje bërthamore ka pak gjasa të ndodhë dhe unë jam kundër kësaj. Pastaj pyetja do të ishte se si do të kundërpërgjigjej Putini. Kështu që, jemi në një zonë ku ka opsione të këqija dhe më të këqija, dhe nuk ka opsione të mira. Prandaj ka shumë përpjekje tani që Putin të bindet se kjo është një ide e keqe, edhe për veten e tij, për shtetin e tij dhe për botën. Por, ai duhet ta kuptojë këtë vetë, në kuptimin se SHBA-ja dhe Perëndimi do të përgjigjej, dhe shpresoj se ai po merr këshilla nga ata që u beson, sikurse Kina.
Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë për Der Spiegel që dhatë disa muaj më parë, ju deklaruat: “Ne duhet t’i japim fund luftës me djallin”. Një prej shembujve që ju përmendët ishte se si [ish-presidenti amerikan Franklin] Roosevelt dhe [ish-kryeministri britanik Winston] Churchill u ulën dhe biseduam me [ish-diktatorin sovjetik Josep] Stalin, i cili kishte vrarë miliona njerëz. Po ashtu ju përmendët shembullin e [ish-presidentit amerikan] Nixon që u takua [me ish-liderin komunist të Kinës, Mao] Zedung, i cili po ashtu kishte vrarë njerëz. Prandaj, më lejoni t’iu pyes: Si do të dukej një marrëveshje me djallin, kur bëhet fjalë për Putinin?
Graham Allison: Nëse e dëgjoni presidentin Biden, nëse i lexoni deklaratat e tij, ata qartësisht po mendojnë për opsione alternative – në këtë mënyrë po mendon Uashingtoni për këtë çështje.
Skenari më optimist, sipas meje, është që në muajt e ardhshëm, situata do të pësojë një ngërç. Me gjasë diku në vijën aktuale të kontrollit, ndoshta Ukraina do ta kontrollojë shumicën e pjesës perëndimore të Lumit Dinepër dhe lumit tjetër (Inulets) afër Hersonit dhe Rusia do të kontrollojë shumicën e territorit në pjesën tjetër; intensiteti i luftimeve me gjasë do të ulet, sikurse që ndodhi ndërmjet viteve 2016-2020 në Donjeck dhe Luhansk.Dhe në këtë fazë, Putin do të mendonte se ka mjaftueshëm arsye për të deklaruar se ka pasur sukses. Ai do të kishte lidhje tokësore me Krimenë dhe disa territore shtesë. Prandaj, në një situatë të tillë ai do të mendonte se ka pasur sukses. Dhe ana tjetër po ashtu do të thoshte se ka korrur sukses, sepse do të argumentonim se Ukraina shpëtoi si shtet i pavarur dhe i lirë, se nuk po jep territor. Po ashtu, Kievi do të zotohej për të rimarrë territorin e humbur në të ardhmen. Dhe më pas Ukraina do të përqendrohej në ndërtimin e suksesshëm të shtetit, që është një ndërmarrje e vështirë, por mendoj se Perëndimi do t’i ofronte mbështetje të madhe financiare.
Nëse ndodh kështu, unë mendoj se do të ishte një lajm i mirë që do të zgjaste për një vit, dy ose pesë vjet. Më kujtohet historia e Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore. Gjermania Peërndimore kur nuk hoqi dorë së pretenduari Gjermaninë Lindore. Kjo histori tregon se çfarë mund të arrijë një shoqëri e lirë, në krahasim me autokracitë e kontrolluara socialiste. Ose shembulli i Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, ose ndoshta shembulli që i përshtatet më shumë Ukrainës: shtetet e Baltikut.
Doracaku i Putinit në Ukrainë më duket se është marrë drejtpërdrejt nga doracaku komunist për Baltikun në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur ata mbajtën referendume të rreme, aneksuan Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë dhe thanë se ishin republika të Bashkimit Sovjetik. Perëndimi, SHBA-ja nuk i njohën këto pretendime të Bashkimit Sovjetik mbi këto territore. Ato nuk u pranuan as nga njerëzit që jetonin jashtë këtyre shteteve në atë kohë, dhe më pas këto tri shtete u pavarësuan.
Prandaj, mund të marrë shumë kohë. Kjo është për keqardhje, por pasi alternativa do të ishte edhe më e keqe, unë do ta cilësoj këtë si skenarin më optimist./REL
Discussion about this post