Nën hundën e SPAK, që ka sekuestruar inceneratorin e Elbasanit, ECO-ELB, kompania që e menaxhon, po zhvatë paratë e taksapaguesve me tendera abuzivë. Madje i harxhon fondet për punë që nuk sjellin asnjë dobi. Ndërmarrja e drejtuar nga Leli Kaja po bën së fundmi tender për monitorimin e mjedisit në landfill.
Shpikja e momentit: Me paratë që mbledh nga buxheti i shtetit dhe i bashkive të Prefekturës Elbasan për inceneratorin, kjo shoqëri po bën studime për landfillin (vendin e grumbullimit të plehrave).
Elbasani është i mbytur nga gazrat e plehrave dhe të Metalurgjikut, kurse ECO-ELB bën ”studime” për landfillin. Tenderi i çuditshëm ka për objekt (Për landfillin) Monitorimi i parametrave mjedisore dhe hartimi i raporteve mjedisore me fond limit 3.000.000 lekë të reja (pa TVSh). Procedura është zhvilluar në datë 10 tetor 2023 nga autoriteti kontraktor, Shoqëria “ECO – ELB” SHA.
Në këtë tender janë shpallur fitues kompaninë ECCAT Environmental Consulting, Chemical Analysis & Testing me pronarë Luan Bahollin dhe Indrit Dajën. Kjo kompani ka paraqitur ofertën 18 milionë lekë. Në 30 tetor 2023 u publikua fituesi dhe në nëntor parashikohej të niste puna që do të zgjasë disa muaj.
Tenderi është përgatitur shkel e shko, sa për t’i dhënë fondin kompanisë së paracaktuar. Duke filluar nga fondi limit, ECO-ALB e ka caktuar si i do qejfi, pa argumentuar përse duhen 30 milionë lekë. Ndërkohë kompanitë afrojnë ta kryejnë këtë “studim” me gjysmën e fondit të caktuar. Ose oferta është anormale, ose administratori Kaja po i shpërdoron paratë.
Por ka edhe një ngërç që nxjerr në shesh abuzimin me tenderin. Më datë 6 nëntor 2023, subjekti “Qendra e Monitorimit të Mjedisit” SHPK ka paraqitur një ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike, ku konstaton se fituesi nuk përmbush kriteret e vendosura në tender.
Pasi ka bërë shqyrtimet, KPP ka evidentuar disa mangësi, ku një prej tyre është mungesa e një dokumenti, pa të cilin operatorët nuk mund të marrin përsipër të zhvillojnë këtë projekt.
“Sa më sipër, rezulton se qëllimi i plotësimit të kushteve të përcaktuara në aneksin 1 të urdhrit nr. 126, datë 10.06.2022 është për operatorët e pajisur me leje mjedisi, të cilët duhet të dorëzojnë këto dokumente mbi zbatimin e kushteve të lejes mjedisore.
Ndërkohë referuar shtojcës 5 “Specifikimet teknike”, rezulton, se mungon plani i mostrimit, një ndër dokumentet që duhet dorëzuar në zbatim të urdhrit të sipërpërmendur, duke mos i shërbyer në këtë mënyrë qëllimit, që është monitorimi i parametrave mjedisore dhe hartimi i raporteve mjedisore”, thuhet në vendim.
Sakaq, më poshtë komisioni vlerëson se këto mangësi dhe boshllëqe, kur krijohen hapësira për abuzim, vijnë për shkak se “autoriteti kontraktor nuk i ka hartuar dokumentet e tenderit në përputhje me ligjin për prokurimin publik, si dhe aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me objektin e kontratës objekt – prokurimi, pasi mungon një ndër dokumentet që duhet të dorëzohet në zbatim të urdhrit nr. 126, datë 10.06.2022, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”.
Prandaj KPP ka vendosur pranimin e ankesës dhe i kërkon ECO -ELB të hartojë si duhet dokumentacionin e tenderit. Pra, vërtetohet dyshimi ynë se këtu kemi të bëjmë një shpërdorim të pastër.
Ndërkohë po i kthehemi pyetjes së fillimit se çfarë studim mjedisi mund të bëjë ECO-ELB në një landfill plehrash?! Sipas të dhënave të tenderit do të studiohet niveli i grimcave dhe i gazit në ajër në landfill dhe ndikimi që ka në popullsi.
Që në një vendgrumbullim mbeturinash ajri është shumë i ndotur kjo është e qartë. Çfarë zgjidhje do të japë Eco-ELB dhe fituesi i parave, këtë nuk e shohim në asnjë kërkesë të tenderit. Anulimi i procedurës në KPP, është një shenjë se tenderat e administratorit Kaja po mbahen shënim dhe po i vjen radha të pyetet në SPAK.
Kush e drejton ECO-ALB?
Shoqëria ECO-ELB u krijua në fund të vitit 2021 për zbatimin e detyrimit koncesionar të transferimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane (Inceneartorit) pas vendosjes nën sekuestro konservative nga prokuroria të të gjithë aseteve të kompanisë “Albtek Energji”, që ishte mbajtëse e koncesionit.
Nga data 15 dhjetor 2021 drejtori teknik i impiantit për shkak të mungesës së lëndëve të para të nevojshme për punën e impiantit ka urdhëruar fikjen e komanduar të tij. Ndërkohë që, nga kjo datë mbetjet vetëm trajtohen në Landfilld (nuk digjen) pra janë krijuar male me plehra. Mosvënia në punë e inceneratorit u bë edhe objekt i një kronike radios “Zëri i Amerikës” në mars 2022. Një muaj më pas zyrtarët deklaruan për sy e faqe se inceneratori po vihet në punë. Gjithsesi është fakt se impianti nuk funksionon në mënyrë të vazhdueshme. Sipas “Zërit të Amerikës”, plehrat po digjeshin në landfill ose hidheshin buzë lumit në Bradashesh.
Bashkia e Elbasanit ka 52% të aksioneve të ECO- ELB dhe ka vendosur administrator Leli Kajën. Siç thotë populli në këtë rast i janë varur ujkut mëlçitë në qafë. Ky i fundit,. dy herë është kapur në shkelje nga KLSH dhe është propozuar të dyja herët për shkarkim nga detyra, por ia ka hedhur pa u lagur me ndihmën e kryetarit Sejdini. Administratori Kaja më parë ka qenë kryeinspektor i INUV, drejtor i ujësjellësit dhe në detyra të tjera me para, pushtet dhe tendera. Në funksionet që ka pasur Kaja njihet leva e korrupsionit e ish-kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini.
Sipas auditimit të KLSH, kur Kaja drejtonte INUV, “Në 52 raste të vendimeve për prishje të objektit pa leje ndërtimi, nuk është marrë vendimi për të detyruar subjektin kundërvajtës për kthimin e truallit në gjendjen e mëparshme. Në 26 raste, është aplikuar masa e gjobës ndaj subjektit kundërvajtës, në vlerë më të vogël se sa është parashikuar në kërkesat ligjore”.
Po ashtu, në atë kohë, Leli Kaja është gjetur me përgjegjësi për humbjen e buxhetit të bashkisë në vlerën 48 milionë lekë në favor të një kompanie private që bënte shërbimin e pastrimit të qytetit të Elbasanit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post