Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Në një intervistë ndryshe nga të tjerat, Presidenti Duka diskutoi për zhvillimet pozitive të futbollit në Shqipëri duke përfshirë organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare dhe rritjen e infrastrukturës teksa nënvizoi rëndësinë e kësaj loje për të gjithë shoqërinë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli për rritjen e vazhdueshme të ekipit kombëtar dhe krenarinë që u jep shqiptarëve kjo skuadër ndërsa ndau në këtë emision edhe arritjet e futbollit të vajzave. Ai theksoi angazhimin për të rritur numrin e fëmijëve që luajnë futboll dhe përmirësimin e kushteve për ta.
Presidenti Duka përmendi edhe rëndësinë e eventeve si “Topi i Artë 2024” për të motivuar dhe promovuar futbollin shqiptar, ndërsa foli edhe për maskotën e Kombëtares “Alban”. Ndër të tjera, Presidenti Duka foli për përvojën e tij personale në biznes dhe kalimin në sport si edhe rrëfeu emocionet për jetën si gjysh i dy nipërve.
Futbolli në Shqipëri ndër vite – Janë bërë gjëra të bukura dhe të mira dhe vazhdojnë të bëhen gjëra të mira. Futbolli është loja më e dashur në botë dhe në Shqipëri akoma edhe më shumë. Është gati-gati si fe. Kjo na vë para detyrimeve akoma edhe më të mëdha për t’i ofruar sa më shumë gjëra të mira. Pa dyshim që futbolli duke qenë lojë dhe shumë i ndjekur si sport, ka kritikat e veta. Por ne bëjmë më të mirën për të.
Marrëdhëniet me nipërit – Jam gjysh, me dy nipër shumë të bukur. Si të gjithë gjyshërit e tjerë që i kanë nipërit shumë të bukur. Jam gjysh nga Lori, vajza ime. Ndërsa djali ende jo. Ndjesia e gjyshit është ndryshe nga ndjesia e babait. Mbase edhe sepse jemi shumë më të pjekur tani dhe se kur kemi pasur fëmijët tanë kemi qenë në një moshë pak më ‘të papërgjegjshme’ ndërsa tani i shijojmë jashtëzakonisht shumë.
Thotë populli ‘mjalti i mjaltit’ po mua më duket më shumë se aq. Padyshim që i dua shumë, shpesh më mungojnë, sepse nuk jetojnë me mua. Nuk e di nëse jam gjysh i mirë për ta, por ata janë shumë nipër të mirë për mua. Punoj shumë që ata të jenë shumë të lidhur me vendin dhe gjithçka sepse jetojnë jashtë Shqipërisë.
Padyshim që do bëhen tifozë futbolli dhe uroj që edhe të luajnë futboll. Duke u diskutuar futboll jo vetëm nga unë, por edhe nga mami dhe babi i tyre besoj se do të jenë të interesuar për futbollin. Nëse luajnë apo jo, edhe nëse luajnë në nivel amator, unë do të jem shumë i lumtur.
Ua këshillon futbollin nipërve? – Futbolli është gjë e bukur. Ia këshilloj nipërve të mi dhe çdo prindi për fëmijën e vet. Sepse është edukim. Nëse do të bëhen profesionistë të mirë dhe do të bëjnë një karrierë sportive është akoma edhe më mirë. Por edhe për shëndetin dhe edukimin e tyre, mënyra për t’i edukuar fëmijët nëpërmjet futbollit është shumë e mirë.
Sidomos në kohët e sotme ku prania e lojërave elektronike, telefonave, kompjuterave është shumë e madhe dhe i merr kohë fëmijëve. Nëse ne i ofrojmë një fushë të gjelbër, të luajë me shokët dhe të kënaqet me ta, do të jetë shumë mirë për edukimin e tyre. Nëse nipërit e mi do ta bëjnë këtë gjë, unë do të jem shumë i lumtur. Futbolli është shëndet dhe edukim. Nëse kthehet në profesion, është një vlerë e shtuar për fëmijën dhe prindin e tij.
Është e lehtë të jesh një futbollist i mirë? – Është shumë i bukur futbolli. Futbollistët kanë karakteristika të veçanta dhe shumë të mira nëse do t’i njohësh nga afër. Jetesa në ekip dhe në kolektiv i bën më tolerantë, më të mirë, më të komunikueshëm.
Padyshim që ka edhe vështirësitë e veta dhe për t’u bërë futbollist i niveleve të larta ka sakrifica. Në moshën kur shokët shkojnë nëpër club-e apo bëjnë jetë nate, një futbollist e ka të privuar dhe duhet të mbajë regjim dhe të stërvitet. Futbolli është i vështirë dhe i bukur dhe kur arrin nivele të larta të sjell edhe benefite.
Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024” – Kemi rreth 3 vite që kemi nisur ta organizojmë këtë event. Çdo komunitet ka nevojë për një festë finale për të gjithë aktivitetin që ka bërë në një vit. Dhe kemi organizuar mbrëmjet për më të mirët e vitit ndërsa këtë vit në bashkëpunim me Ardit Gjebrean, të cilin dua ta falënderoj sepse është hera e parë që e kam njohur nga afër dhe është një profesionist i vërtetë që na ka ndihmuar. Ne jemi shumë të mirë për të organizuar ndeshje futbolli, evente sportive. I gjithë stafi i FSHF-së është vërtetë shumë i mirë, por për të bërë spektakle, nuk ia themi shumë.
Kështu që Arditi, bashkë me stafin e tij e plotësoi këtë gjë. Eventi i këtij viti ishte me diferencë nga të kaluarit. Shumë më i mirë organizuar, shumë më i bukur dhe që i kënaqi njerëzit tanë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte vërtetë për të falënderuar ata që kanë kontribuar në një vit futbolli gjatë 2024. Për të motivuar ata që u zgjodhën si më të mirët dhe për të qenë një objektiv për ata që nuk ishin më të mirët, por të luftojnë për të qenë në vitin e ardhshëm.
Dhe në fund, për ta promovuar lojën tonë dhe për të ftuar sa më shumë fëmijë që t’i bashkohen lojës tonë sepse edhe kjo e plotëson kuadrin. Opinionet nga komuniteti ynë kanë qenë të mira nga ky organizim dhe ne do ta vazhdojmë këtë dhe ta bëjmë edhe më të mirë dhe më të madh. Me më shumë njerëz dhe me nivel më të mirë. Dhe të kemi fitues dhe sa më shumë promocion për lojën. Duam t’i tregojmë botës që ne nuk luajmë vetëm futboll, por bëjmë edhe spektakle. Edhe gocat tona që luajnë futboll, kur i shohim të veshur me fustan, janë vërtetë të bukura dhe të mira.
Futbolli i vajzave në Shqipëri – Ka ndryshuar shumë. Kemi një histori jo të gjatë në futbollin e vajzave. E kemi nisur vonë, në vitin 2008 dhe kemi një numër të madh të vajzave që luajnë futboll. Kemi rezultate pozitive me klubet dhe ekipet kombëtare. Kemi një kampionat kombëtar të mirëorganizuar.
Kemi arritur një sukses historik deri më tani me kampionen e Shqipërisë, Vllazninë që mori pjesë në Champions League me kundërshtare si Real Madrid, PSG dhe Chelsea. Ishte një gjë e bukur për vajzat që morën pjesë. Me ekipin kombëtar kemi bërë përballje pozitive në vitin 2024, u rendit i pari në grupin e Nations League. Ka vërtetë zhvillime pozitive.
Objektivi i të gjithë botës së futbollit është që të barazojë futbollin e djemve me atë të vajzave në të gjithë këndvështrimet: në numrin e pjesëmarrësve, në shpërblime, në kushtet e stërvitjes dhe organizimin e ekipeve. Ne akoma nuk jemi afër këtij objektivi, kështu që kemi shumë punë për të bërë.
E kemi në fokus, e incentivojmë shumë. Ne incentivojmë në mënyrë direkte më shumë futbollin e vajzave se të djemve sepse mendojmë që ai i djemve është i konsoliduar ndërsa futbolli i vajzave ka nevojë. Incentivojmë vajzat që luajnë futboll, skuadrat, shpenzimet organizative të tyre. Mendoj që jemi në rrugën e mbarë.
Video-mesazhi i Jasir Asanit – Jasiri ka lënë shenja të rëndësishme dhe kontribut të rëndësishëm në kualifikueset e Europianit. Golat e tij përveç se ishin shumë të bukur, ishin edhe shumë të rëndësishëm për ne për të shkuar në Europian. Nëpërmjet tij, unë falënderoj Jasirin dhe të gjithë çunat.
I kam falënderuar, i falënderoj dhe do vazhdoj t’i falënderoj gjithë jetën sepse na kanë dhuruar emocione që nuk mund t’i provosh në asnjë lloj mënyre tjetër. Mund të jesh njeri i biznesit, mund të kesh pasuri, mund të bësh çfarë të duash, por emocionet që na kanë dhuruar, të paktën mua dhe si mua shumë shqiptarëve nuk mund t’i përjetosh në asnjë lloj mënyre tjetër. Ne kemi pak evente dhe ngjarje që na bëjnë ta themi me krenari që jemi shqiptarë.
Në vitet 90’, shumica jonë edhe fshiheshin për të mos thënë që jemi shqiptarë. Sot e themi me krenari. Dhe një kontribut shumë të rëndësishëm për ta thënë me krenari ka qenë ekipi kombëtar. Pjesëmarrja në Euro 2016 dhe vulosja në 2024 që e konsolidoi këtë gjë. Aq shumë flamuj dhe shqiptarë bashkë me këngë e valle nga të gjitha trevat shqiptare, nuk e kemi bërë kurrë. Dhe për këtë arsye dua t’i falënderoj çunat, ekipin dhe të gjithë stafin e FSHF-së dhe ata që kanë kontribuar.
Alban, maskota e Kombëtares shqiptare – Ideja e maskotës ishte për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian U-17 në vendin tonë. Më 19 maj është ndeshja hapëse. Për ta organizuar sa më bukur, u dha edhe ideja e maskotës. Emri është vendosur duke bërë një pyetësori në të gjithë tifozerinë shqiptare. I është vendosur numri 12, sepse është lojtari i 12-të dhe përfaqëson ata që mbështesin futbollin, të gjithë tifozerinë.
Ne kemi një nga numrat 12-të më të mirë në botë sepse tifozët nuk kanë kursyer kurrë mbështetjen për skuadrën, pavarësisht rezultateve. Ky lloj nivel mbështetje, sidomos vitet e fundit sepse dikur kur ne nuk kishim rezultate pozitive, mbështetja edhe mungonte. Por tashmë lojtari i 12-të e mbështet skuadrën në çdo rast dhe në çdo aktivitet. Albani është një shqiponjë, simboli ynë kombëtar. Është kuqezi, është modeluar nga një agjenci dhe më pas është vlerësuar nga një komision. Është një gjë e bukur dhe jep mesazhin që ne duhet të japim, për të përfaqësuar në fushë lojtarin e 12-të.
Albani do të jetë edhe në ndeshjen tonë të parë të Kombëtares kundër Andorrës më 24 mars në stadiumin “Arena Kombëtare”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Albani do të jetë aty dhe në kampionatin Europian të 17-vjeçarëve, i cili ka ndeshjen hapëse më 19 maj në stadiumin kombëtar.
Shorti do të hidhet me 31 mars në “Shtëpinë e Futbollit”. Fillon ky aktivitet i rëndësishëm për futbollin shqiptar sepse është hera e parë që Shqipëria organizon një kampionat Europian. 7 skuadrat më të mira të Europës dhe Shqipëria si vend organizator do të marrin pjesë në këtë aktivitet. Është një aktivitet i rëndësishëm për futbollin europian, por më i rëndësishëm për ne. Për një vend si Shqipëria, që nuk kemi organizuar ndonjëherë një aktivitet të këtyre përmasave dhe nuk kemi mundësi infrastrukturore të bëjmë aktivitete më të mëdha.
Pra, maskota do të jetë disa vite me futbollistët e rinj? – Këtë edicion sigurisht që do të jetë kështu siç është, mbase në edicionin tjetër mund të ketë një rikompozim, por duke ndenjur në simbolet kombëtare të Shqipërisë.
Sa ka ndryshuar futbolli shqiptar? – Realisht, edhe periudha është e gjatë dhe zhvillimet janë të mëdha. Nëse do kthehem në fillimet e mia, ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Në atë kohë, nga të gjitha këndvështrimet, vërtetë ka qenë një federatë modeste. Duhet të jemi falënderues që ishte të paktë, që ekzistonte si federatë. Ndryshimi është i jashtëzakonshëm.
Para dy ditësh kishim një mbledhje, një analizë dhe pjesë e saj ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe, Sulejman Starova. E pyeta: Sa veta kemi qenë në federatë në atë kohë? 12 me tha. 12 veta me një buxhet shumë modest dhe sot jemi 180, me buxhet më shumë se 1000 herë më të madh.
Gjatë kësaj periudhe, kurrë më parë në Shqipëri nuk janë zhvilluar aktivitete ndërkombëtare. Vetëm vitin e kaluar kemi organizuar 13 aktivitete ndërkombëtare europiane në Shqipëri, me nga 4 skuadra. Pra, mbi 30 skuadra europiane kanë marrë pjesë në këto aktivitete. Të njëjtën gjë do të kemi edhe në vitin 2025. Si rezultat i eksperiencës, besimit të institucionit europian apo edhe pozicionimit që ka Federata e Futbollit në atë institucion, i është besuar organizimi i kampionatit Europian për 17-vjeçarët në 2025 dhe kampionati Europian për 21-vjeçarët në 2027-ën.
Këto janë pak a shumë ndryshimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar gjatë kësaj kohe, por për t’i renditur të gjitha, nuk mjafton vetëm ky emision. Kjo punë vazhdon dhe jo vetëm në futboll, por në çdo fushë të jetës, sa më lart të ecësh, aq më e vështirë bëhet, sa më lart ta vendosësh stekën, aq më e vështirë është ta kalosh. Tani vështirësitë janë endë më të mëdha.
Nëse gjatë kësaj periudhe hapat e zhvillimit kanë qenë shumë të mëdhenj, sepse realiteti ka qenë në nivelin bazik, tani, për të bërë hapa kualitativë, duhet akoma më shumë ekspertizë, profesionalizëm, është më e vështirë, sepse tentojmë të konkurrojmë me vendet e zhvilluara të Europës. Tani jemi të pakënaqur dhe kemi kritika të jashtëzakonshme kur humbasim një ndeshje me Ukrainën, dikur ne ishim të kënaqur nëse mund të merrnim ndonjë pikë.
Janë rritur pretendimet? – Përveç gjithë objektivave tonë, në mendjen time dhe të gjithë stafit të Federatës, objektivi kryesor është që të kemi sa më shumë njerëz që luajnë futboll. Që të kesh sa më shumë njerëz që luajnë futboll, duhet të krijosh kushtet, dhe ne i kemi këto kushte, mbase më të mira se shumë vende të rajonit. Kemi disa gjëra që mbase nuk i ka asnjë federatë në botë.
Një fëmijë që do të luajë futboll, i japim çdo gjë, uniformë, topa, madje edhe fushat e stërvitjes për moshat e vogla i paguajmë ne që të kemi sa më shumë fëmijë në futboll dhe kjo i ka dhënë rezultatet, dhe do të vazhdojmë të bëjmë kështu. Me objektivin akoma më shumë të vajzat siç e thashë, të organizojmë më mirë, të ndryshojmë infrastrukturën. Nëse do të shohim një ndeshje të vitit 2000, ndryshimi është i madh. Ne kemi nevojë për një inventar akoma më të madh, sepse nëse shtojmë fëmijët, duhet të shtojmë fushat.
Këtu nuk jemi shumë të suksesshëm, jo për mungesë të mbështetjes apo financimeve tona. Ne kemi një projekt që quhet “100 fushat” dhe financon qoftë edhe një person privat apo klub e bashki që ka një hapësirë. Por këto hapësira na mungojnë, sidomos në qytetin e Tiranës, ku popullsia është shumë e madhe. Vetëm vitin e kaluar kemi ndërtuar 10 fusha futbolli, por duhen akoma më shumë. Që të arrish këtu, duhet të kesh një shembull dhe shembulli janë lojtarët e ekipit kombëtar, që fëmijët, duke parë rezultatet, duke u kënaqur me lojën e ekipit Kombëtar, afrohen më shumë me futbollin.
Unë kam një shok që ka emigruar në Amerikë dhe të dy djemtë e tij nuk flisnin shqip. Kam qenë shumë kritik ndaj tij, se si mund t’i lësh fëmijët pa folur shqip. Ata erdhën në Gjermani për të parë Kombëtaren dhe që nga dita që ishin në Gjermani, kanë filluar të flasin shqip dhe të vijnë në Shqipëri. Kjo është ajo që bën një event i rëndësishëm siç është kampionati Europian dhe ekipi Kombëtar.
Tani e kemi një objektiv dhe duam të bëjmë diçka të madhe. E dimë që është e vështirë që të shkojmë në botëror. Kemi përballë Anglinë, djepin e futbollit, që është edhe në një ditë të mirë, kemi përballë Serbinë, Letoninë, Andorrën dhe pse jo, do tentojmë. Nëse do të realizojmë këtë, do të jemi të gjithë shumë të lumtur. Çunat dhe i gjithë futbolli e ka vendosur stekën aty dhe tani është e vështirë ta kalosh, por ne do ta tentojmë.
Punë e palodhur, e bërë vit pas viti për të arritur ku jemi sot… – Asgjë nuk vjen rastësisht në jetë, ata që mendojnë se vjen rastësisht, e kanë gabim.
Video-mesazhi i trajnerit Silvinjo për Presidentin – Silvio është drejtues i ekipit dhe i suksesit të 2024-ës. Është një personazh shumë korrekt dhe i përkushtuar. Është trajneri që jeton në Shqipëri, në ndryshim nga trajnerët e tjerë të huaj që kemi patur ne, punon 24 orë. Edhe për atë, edhe për ekipin, rezultati nuk ka ardhur rastësisht. Ai, stafi i tij dhe ne, ëndërrojmë gjithmonë për Botërorin, ata po punojnë shumë për këtë dhe uroj që ta arrijmë.
Ju keni qenë ekonomist në fillimet tuaja? – Edhe jam ende. Ky lloj sensi, kjo lloj kulture e marrë në shkollë dhe punë, më ka ndihmuar, sepse menaxhimi duhet të ketë një sens ekonomik. Iniciativa ime në vitet ‘90 për të bërë biznes, se di a ka pasur ndikim të qenurit ekonomist. Nëse s’jam i pari në Shqipëri, jam te 10 të parët. Jam fëmijë i dy mësuesve dhe të dy prindërit e mi në 91-shin kur unë fillova të bëj këtë gjë dhe biznesi i asaj kohe ishte vetëm një tregti shitje dhe blerje.
Kur fillova të merrem me biznes, mami im u mërzit dhe më tha: Ti nuk mund ta bësh këtë, sepse ti nuk je matrapaz, të blesh lirë dhe të shesësh shtrenjtë. Ishte një gjë e turpshme, sepse e quante matrapaz. Vitet e para kanë qenë shumë të vështira, u bënë akoma më të vështira në 97-n. Në ato luftëra e beteja jemi rritur e mbase forcuar, jo vetëm unë, por çdokush që ka marrë iniciativën për të bërë biznes, pasi në vitet ‘90 kanë qenë shumë të vështira.
Në vitin 1993 kur krijuam Aiba-n dhe blemë nga shteti një kompani shtetërore që prodhonte ushqime blegtorale, ka qenë kompania e para kompani shtetërore në Shqipëri që u ble nga një privat. Unë në fakt nuk doja, vëllai im insistonte për ta blerë, unë kisha frikë, sepse mendoja atë vitin ’44 kur u kthyen edhe ia morën paratë e i torturuan e burgosën ata që i kishin bizneset. Por vëllai më shtyu që tashmë ka ndryshuar kjo dhe jemi në një rend tjetër, ai kapitalist dhe falë Zotit vazhdoi kështu dhe ja ku jemi.
Si u gjendët ju te futbolli? –Lidhja me futbollin ka qenë pikërisht biznesi. Ne jemi familje sportive që nga babai, i cili ka qenë futbollist dhe trajner, vëllai im ka qenë volejbollist mbi 20 vite me Erzenin. Pasi ai e la volejbollin, kemi sponsorizuar dhe drejtuar ekipin e volejbollit te Erzenit për disa kohë. Më pas, gjithmonë për arsye të biznesit, u afruam me Erzenin dhe Teutën. Unë u bëra pjesë e komunitetit sportiv.
Federata e Futbollit në atë kohë, realisht ma ka propozuar ish-presidenti i Vllaznisë, miku im, i cili nuk jeton më, Myftar Çela. Më tha, duke parë sensin e menaxhimit në biznes: pse të mos jesh presidenti i Federatës së Futbollit? Nuk është se bëra një fushatë apo vuajta për t’u bërë presidenti i futbollit, sepse ishte diçka e lehtë dhe pothuajse askush nuk kishte dëshirë ta bënte atë punë. Nuk e kam menduar në atë kohë që është një gjë kaq impenjative dhe që do të shkojë kaq gjatë dhe do më marrë kaq kohë.
Tani, kur takoj dikë tjetër, kam miq të mitë që bëhen presidentë klubesh, si për shembull Gaz Demi, që mori Partizanin. I kam thënë që nëse hyn në futboll, është e vështirë të dalësh, sepse emocionet që të dhuron futbolli, është e vështirë që t’i kesh në fusha të tjera.
Që nga viti 2023 jeni zëvendës-president i UEFA-s & kryetar i Komisionit të Medias. Po president i UEFA-s? – Nuk e kam objektiv për të qenë president i UEFA-s. Ka ndryshuar Shqipëria, pozicionimi i saj në futboll në Europë. Në vitin 2002, kur unë jam bërë President i Federatës së Futbollit, kolegët e mi atje apo Komiteti Ekzekutiv, nuk e di a ma jepnin dorën ndonjëherë. Sot FSHF përfaqësohet në UEFA me mbi 20 njerëz, në komitete të ndryshme.
Gjyqtarët tanë drejtojnë ndeshje në nivelet e grupeve të Conference League dhe Europa League, kemi 5 delegatë nëpër ndeshje edhe të Champions League, kemi vëzhgues arbitrash, kemi edhe presidentin si zv.president të Federatës Europiane të Futbollit, UEFA. Është një gjë e mirë për Shqipërinë besoj ky përfaqësim dinjitoz në ekip, jo vetëm me zv. presidentin, jo thjeshtë se do marrim benefite, por me gjithë kontributet, merr eksperienca dhe organizon gjëra akoma më të mira.
Një mesazh për të rinjtë – Mesazhi im është për prindërit: Besojini dhe shtyjini fëmijët tuaj për të luajtur futboll. Ne jemi të gatshëm të bëjmë maksimumin, jemi ekspertë, kemi kushtet, kemi projekte shumë të mira. Mjafton shtysa juaj, dëshira dhe pasioni i fëmijëve nuk mungon, sepse të gjithë e duan futbollin, që të rrisim fëmijë sa më të shëndetshëm sportivisht.
Discussion about this post