Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur një hetim të thelluar për tregun e grumbullimit të shitjes me shumicë të fruta-perimeve në pesë qarqe të vendit
Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, pranoi propozimin e sekretariatit për hapjen e hetimit paraprak në tregun e grumbullimit të shitjes me shumicë në Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Vendimi erdhi pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve.
Nga monitorimi i Autoritetit të Konkurrencës, konkluzioni është se nga fermeri deri tek konsumatori në Tiranë, çmimi i frutave dhe i perimeve është shtrenjtuar deri në 100% nga grumbulluesit.
Nga monitorimi rezultoi se në treg ka diferenca të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor.
Sipas AK, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese, si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Janë 86 ndërmarrje të grumbullimit dhe tregtimit me shumicë të frutave dhe perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, që kanë abuzuar me çmimet e produkteve bujqësore, duke i blerë me vlera të ulta tek fermeri, dhe duke i shtrenjtuar hap pas hapi deri në tavolinat e konsumatorëve. Për këtë arsye Konkurrenca ka nisur hetimi për periudhën 1 janar 2023-31 maj 2024.
Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës, thuhet se në qarkun e Tiranës, për 18 ndërmarrje grumbullimi e tregtimi me shumicë me xhiro 4.4 miliardë lekë, nga monitorimet në terren është konstatuar se çmimi i produkteve nga momenti i blerjes tek fermeri deri tek shitja me shumicë është rritur nga 11-55%. Abuzimi nuk ka ndalur këtu, pasi çmimet nga shumica tek tregjet e pakicës janë rritur nga 27-100%.
E njëjtë situatë paraqitet edhe në Fier, me një total prej 41 ndërmarrje me xhiro 9.9 miliardë lekë. Autoriteti i Konkurrencës thotë se grumbulluesit, i kanë blerë produktet me çmime të lira, dhe më pas i kanë shitur me shumicë 11-50% më shtrenjtë.
Deri në 56% i kanë shtrenjtuar frutat e perimet, nga fermeri deri tek pika e shumicës, edhe 3 grumbulluesit e qarkut të Elbasanit që kanë xhiro vjetore 55.3 milionë lekë.
Ndërsa 16 ndërmarrjet e qarkut të Korçës i kanë rritur çmimet deri në 40% për produkte të ndryshme.
Sa i përket qarkut të Beratit, për 8 ndërmarrjet e tij nuk raportohet për të dhëna mbi abuzimin, pasi grumbulluesit, mblidhnin produktin pa fatura tek fermerët, deklaronin çmime jo reale, ndërkohë që kishin fiksuar çmimet me njëri-tjetrin, dhe ua blinin produktet fermerëve shumë lirë. Për këto 8 kompani ka nisur një hetim më i thelluar.
Në të gjitha qarqet, është konstatuar se pikat e grumbullimit operonin pa kontratë, duke bërë që fermerët t’i shesin produktet e tyre nën kosto, duke ju shkaktuar humbje. Një tjetër problematikë e konstatuar ishte edhe fakti që vetë grumbulluesit kishin sera dhe prioritet kanë pasur produktin e tyre. Raporti paraprak i hetimit do të bëhet publik brenda tre muajve.
REZULTATET E MONITORIMIT
Nga monitorimi i tregut të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve vërehet re se:
“Në qarkun e Tiranës operojnë 18 ndërmarrje me një xhiro totale prej 4,494,352,131 lekë. Ndërmarrjet me pjesën më të madhe të xhiros në raport me xhiron totale të realizuar në vitin 2022 për këtë qark paraqiten:
Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 7.7 % në raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark; Nga monitorimi në terren në këtë qark vihet re se nga çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese, deri te çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 11 – 55 % për produkte të ndryshme fruta-perime. Ndërsa diferenca nga çmimet me shumicë të aplikuara nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese me çmimet e shitjes me pakicë, rezulton nga 27 – 100%.”
“Në qarkun e Fierit operojnë 41 ndërmarrje me një xhiro totale prej 9,939,341,789 lekë. Ndërmarrjet me pjesën më të madhe të xhiros në raport me xhiron totale të realizuar në vitin 2022 për këtë qark paraqiten:
Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 5.5% në raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark.
Nga monitorimi në terren në këtë qark, vihet re se nga çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese, deri te çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 11 – 50 % për produkte të ndryshme fruta-perime.”
“Në qarkun e Beratit operojnë 8 ndërmarrje me një xhiro totale prej 1,932,775,704 lekë. Ndërmarrjet me pjesën më të madhe të xhiros në raport me xhiron totale të realizuar në vitin 2022 për këtë qark paraqiten:
Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 7 % në raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark.
Gjatë takimit të realizuar me fermerët në qarkun e Beratit nga ana e tyre është pretenduar se:
a) Çmimet e produkteve bujqësore (fruta dhe perime) janë të padrejta dhe krijimi i një burse për çmimet e prodhimeve bujqësore do të parandalonte spekulimet me çmimet.
b) Pikat grumbulluese në shumicën e rasteve mbledhin produktin e fermerëve pa një cmim dhe nuk lëshojën fature TVSH-je, dhe si pasoje kjo sjell pasoja për fermerin, sepse fermeri nuk njihet me cmimin real që produkti shitet në tregun vendas ose me cmimin me të cilin ky produkt është shitur në eksport. Fermerët paraqitën ankesa të ndryshme ku problematika kryesore qëndronte në fiksimin e cmimit të blerjes së produkteve nga ana e të gjitha pikave grumbulluese të zonës.
c) Faturat që deklarojne në bilancet e tyre pikat grumbulluese janë fiktive dhe nuk paraqesin cmimin real, e cila sipas fermerëve bëhet me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
d) Pikat e grumbullimit operojnë pa kontratë me fermerët, duke i ekspozuar këta të fundit përballë rreziqeve, që një produkt bujqësor ta shesin me humbje. Sipas fermerëve kjo mënyrë pune nga ana e grumbulluesve ku punohet pa kontratë, pa çmime dhe në shumë raste edhe pa faturë, e ka deformuar tregun, duke sjellë çmime abuzive.”
“Në qarkun e Elbasanit, ku rezulton se operojnë 3 ndërmarrje me një xhiro totale prej 55,333,943 lekë. Ndërmarrjet me pjesën më të madhe të xhiros në raport me xhiron totale të realizuar në vitin 2022 për këtë qark paraqiten:
Nga monitorimi në terren në këtë qark, vihet re se cmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese, deri te cmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 7 -56% për produkte të ndryshme fruta-perime.
“Në qarkun e Korçës, ku rezulton se operojnë 16 ndërmarrje me një xhiro totale prej 676,963,750 lekë. Ndërmarrjet me pjesën më të madhe të xhiros në raport me xhiron totale të realizuar në vitin 2022 për këtë qark paraqiten:
Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 8.5% ne raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark;
Nga monitorimi në terren në këtë qark vihet re se nga çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese, deri te çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 17-40 % për produkte të ndryshme fruta-perime.”
“Tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, ndër të tjera ka problematika sa i përket: ekonomisë informale dhe integrimit vertikal pasi grumbulluesit mund të zotërojnë edhe vetë sera. Duke qenë se tregu i prodhimit, grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve është i përbërë nga shumë nivele tregtimi, çmimet nga fermeri te konsumatori përfundimtar rezultojnë shumë të larta për konsumatorin fundor (marzhe deri në 50% në qarqet e monitoruara) megjithëse çmimi final i produkteve në tregun e pakicës ndikohet nga firot (humbjet) dhe jetëgjatësia e produktit në raft.
Sa më sipër, referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para një sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes më shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve: Qarku i Fierit ka 53.5% të totalit të xhiros së realizuar në të gjithë Shqipërinë, e ndjekur nga qarku i Tiranës me 24% dhe qarku i Beratit me rreth 10%.”
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve.
Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024.
Discussion about this post