Në korrik të vitit që lamë pas, Olta Boka u bë nënë për herë të parë. Ajo solli në jetë një vajzë, të cilën e pagëzoi me emrin Gaia. Artistja ëmbëlson herë pas here ndjekësit e saj në rrjete sociale me imazhet e vogëlushes së saj.
Së fundmi, Olta ka dhënë një intervistë për “Revista Class”, ku folur për Gaian dhe për njeriun që ka në krah, për dhuratat e veçanta në këtë muaj të nxehtë, për rikthimin në muzikë me dy këngë zemre, për mëmësinë në vitin më të bukur e më sfidues e për gjithçka tjetër përtej asaj që shohim.
Rikthehesh në muzikë pas një periudhe relativisht të gjatë, si ishte mëmësia ‘me kohë të plotë’?
Mund ta quaj rilindje. Është periudha më reflektuese, motivuese dhe më përmbushëse që kam përjetuar ndonjëherë jashtë kamerave. Vendimi për t’iu dedikuar plotësisht Gaias është vendimi më i mirë që mund të kem marrë në jetë. Falë Zotit, pata mundësinë ta plotësoja këtë dëshirë, pasi njoh shumë nëna që kanë dëshirën, por jo mundësinë për të qenë pranë vogëlushëve të tyre, sidomos gjatë vitit të parë të jetës.
Kjo periudhë më shtoi njëkohësisht dëshirën dhe motivimin për të qenë më aktive se kurrë më parë, me shpresën për të qenë modeli i duhur për Gaian.
Pandemia të kapi në pritjen e ëmbël, e përjetove njëlloj si të gjithë, më mirë apo më keq, si ishte ajo kohë?
Fatmirësisht, karantina për mua ka qenë periudhë mjaftueshëm e qetë. Mbi të gjitha, më kamufloi pa përpjekje të shtuara lajmin e shtatzënisë, të cilën preferova ta mbaja pa vëmendje të shtuar. Dhe kjo bëri ta shijoja në maksimum si periudhë.
Po periudha pas lindjes, ke përjetuar vështirësi ‘post partum’ si shumë nëna të reja sot?
Fatmirësisht jo. Është e kuptueshme që jam përballur me frikëra në ditët dhe gjatë muajit të parë, por ishin lehtësisht të kalueshme me mbështetjen edhe të familjarëve. Fakti që Gaia erdhi në një moment të dëshiruar, e ka bërë më të thjeshtë ndryshimin.
Si ia dole me kilogramët pas lindjes, ishe në grupin e atyre nënave që 10 ditë pas lindjes iu rikthyen peshës ideale?
Gjatë shtatzënisë, unë mora vetëm 13 kg, por nga frika dhe dëshira për të pasur mjaftueshëm qumësht gjiri pas lindjes, ushqehesha çdo 2 orë duke filluar që nga ora 5 e mëngjesit. Kjo bëri që të mos fitoja më shumë kilogramë, por as të mos rrëzoja 5 kg e fundit që nuk kisha rrëzuar dot pas lindjes. 5 kg për dikë janë pak, për mua ishin më shumë nga sa isha mësuar. Por nënvizoj që nuk e kam pasur aspak prioritet peshën, pasi isha e bindur që do të rikthehesha në momentin e duhur në formë. Rrëzimin në peshë në mënyrë graduale e kam filluar pas muajit të 6-të, falë dhe bashkëpunimit me dietologë. Sot, pas 1 viti, peshoj më pak se para shtatzënisë.
Çfarë do t’u thoshe nënave të reja që e kanë kompleks, e vuajnë presionin e trupit pas lindjes?
Të sjellësh në jetë fëmijë është superfuqi! Superheronjtë nuk kanë pamjen ideale, por janë idealet për ata që i kanë në jetë. Stresi, në shumicën e rasteve, është faktor kryesor në fitimin e peshës, ndaj do të dëshiroja shumë të mos kontribuosh pa vetëdije në fitimin e peshës, por fokusi dhe prioriteti kryesor të jetë mrekullia që ke në krah.
Të ka ndihmuar bashkëshorti pasi Gaia erdhi në jetë?
Po, shumë, dhe i jam shumë mirënjohëse. Mbi të gjitha, sepse respektoi kohën që m’u desh të përshtatesha me ndryshimet që u përballa me ardhjen e Gaias në jetë dhe gjithashtu që u tregua i mirëkuptueshëm përgjatë kësaj kohe.
Si është ajo si fëmijë, kujt i ngjan më shumë?
Gaia, falë Zotit, është e mbarë. Mund të rritja edhe 10 fëmijë nëse do të ishin si ajo. Nga opinionet edhe të të tjerëve, themi se Gaia është një miks midis të dyve ne. Gjatë shtatzënisë doja shumë t’i ngjante vetëm Ivit, por prej tij ka marrë tipare dominante si në pamje, dhe ne karakter dhe kjo më pëlqen shumë.
Ndërhyjnë edhe tek ty njerëzit e afërt për të dhënë këshilla pa fund?
Nuk jam bezdisur asnjëherë nga këshillat e njerëzve të afërt, sepse m’i kanë thënë me shumë kujdes dhe dashuri.
Si mund të bëhesh një prind i mirë në kohën tonë, duke marrë shembull prindërit e tu apo duke e mësuar prindërimin gjatë rrugës?
Nuk besoj se jam në gjendje të jap përgjigjen e duhur. Por besoj, si për çdo gjë në jetë, mbajtja e balancës do të jetë lehtësuese. Mua më pëlqen t’i jap vlerë zërit të eksperiencës, por gjithashtu duke ecur me hapat e kohës. Në edukimin e Gaias, e kam shumë të rëndësishme ta trajtoj si individ duke i dhënë shumë përparësi aspektit psikologjik dhe emocional të saj. Për mua komunikimi i duhur është thelbësor në edukim.
Pse ke zgjedhur të mos e tregosh asnjëherë profilin e plotë të vajzës?
Sepse e kam shumë të vështirë të duroj, qoftë edhe një koment jo të pëlqyeshëm, që njerëzit shpesh i bëjnë edhe si shfryrje. Dua të mbroj veten, por nga ana tjetër, Gaia nuk është mjaftueshëm e rritur për të dhënë pëlqimin e saj. Ndoshta kur të rritet mund të mos e pëlqejë këtë vendim timin, edhe pse nuk e mohoj që ka shumë momente të bukura gjatë ditës, në të cilat mund të tundohem seriozisht për t’i ndarë edhe me të tjerët publikisht.
Kush të ndihmon tjetër me rritjen e Gaias, e ndien ajo mungesën kur e lë vetëm?
Prindërit e mi dhe të Ivit kanë qenë përherë të gatshëm dhe në çdo moment për të na ndihmuar, por kam zgjedhur që edhe ata ta shijojnë dhe jo ta ndjejnë për detyrim rritjen e Gaias. Unë gjatë këtij viti të parë të jetës, i numëroj me gishtat e dorës herët që mund të kem dalë vetëm pa Gaian dhe kanë qenë gjithmonë dalje për nevoja të caktuara. Në vazhdim e sipër do të jenë më të shpeshta për shkak edhe të rikthimit tim në aktivitet, por sa herë kam munguar, është përshtatur lehtësisht dhe jam shumë e lumtur që e kërkon praninë e gjyshërve dhe veçanërisht hallën dhe dajën, që i ka njerëzit e preferuar pas mamit dhe babit.
Si ndryshoi marrëdhënia me bashkëshortin pasi u bëtë prindër, është ai babai më i mirë në botë për Gaian?
Mendoj që çdo ndryshim ndodh për mirë. Sot jemi më të plotësuar, falë Zotit.
Si reagon Gaia kur të shikon në televizor, të njeh?
Më njeh. Në fillim habitej, më përqafonte dhe turpërohej. Tani, më ndryshe. Megjithatë, i preferuari i saj për ta parë në televizor është daja Stivi. Shkrihet dhe kënaqet duke kërcyer me këngët e Stivit dhe të gjysh Shitit.
Ke festuar edhe ti çdo muaj datën e lindjes së vajzës, si nënat e kohës së sotme?
Këtë vit, data 15 e çdo muaji ishte një festë e vërtetë në shtëpinë tonë. Si një ritual i përmuajshëm, ku festonim për jetën. Një nga muajt më të bukur ishte me tortën e realizuar në formën e Abetares, bashkautor i së cilës ishte gjyshi i Gaias, Shezai Rrokaj.
Çfarë ka ndryshuar më shumë mëmësia tek ty?
Më ka bërë më të lumtur. Gjithmonë kam qenë optimiste dhe mirënjohëse, por kur përjeton të tillë bekim, kupton rëndësinë e jetës. Lutem që Zoti të bekojë me mrekulli çdo vajzë që dëshiron të jetë nënë.
Tani që i je rikthyer këngës, sa i vështirë të duket organizimi i kohës edhe si mama?
Jam rikthyer në një moment kur gjërat i kam më në favor në aspektin e organizimit. Mora kohën e nevojshme për t’u mësuar dhe tani kam edhe më shumë motivim për të qenë edhe më e pranishme me materiale muzikore.
Menjëherë pas lindjes së vajzës, dy këngët e para ua dedikon dy njerëzve më të shtrenjtë, pse vendose të rikthehesh kështu?
Ishte ndjesi që flinte prej kohësh në shpirtin tim, si pasqyrë e kësaj periudhe të re të jetës sime. Nuk mund t’i këndoja askujt dhe asgjëje tjetër përveç atyre që i dhanë ngjyra jetës. Ndaj erdha edhe si tekstshkruese në projekt, për t’ua kushtuar atyre të dyve këto vargje.
Je gati për t’iu rikthyer koncerteve dhe mbrëmjeve live së shpejti?
Mendoj se edhe këtë verë do ta shfrytëzoj për t’u qetësuar. Edhe pse ka qenë viti më i bukur i jetës sime, ka qenë njëkohësisht edhe më intensivi. Mendoj që më duhen pushime për të pasur energjitë e duhura për vjeshtën.
Cili është projekti tjetër që ke në plan pas këtyre këngëve?
Uroj të vij me këngën e tretë për këtë vit në shtator.
Çfarë planesh ke për këtë verë, pushime, punë?
Të shijoj detin, të zhytem me kokë, sepse kam dy vjet që nuk kam arritur ta shijoj aspak.