Gëzim Sallaku, një biznesmen shqiptar që jeton rreth 30 vjet në Breshia të Italisë, është shndërruar, dyshohet se ka ngritur një skemë pastrimi qindra mijëra eurosh, që nis nga vend-qëndrimi i tij, shkon në Zvicër, në Panama e më tej vjen në Durrës. Ai ka shkuar në vitin 1992 me gomone drejt Italisë dhe pas shumë vitesh krijoi një perandori biznesi, për të cilën autoritetet italiane besojnë se e ka ngritur nëpërmjet veprave të ndryshme penale.
Ky dyshim është përcjellë edhe tek autoritetet shqiptare, të cilat disa muaj më parë vendosën nën sekuestro disa pasuri të paluajtshme të Sallakut, për të cilin ka një hetim të hapur edhe nga autoritetet italiane. Së fundmi, Policia Financiare në Breshia njoftoi se ka vendosur nën sekuestro preventive pasuri të Gëzim Sallakut, të cilat besohet se arrijnë në shifrën e rreth 6 milionë eurove.
Diçitura: Gëzim Sallaku
Më herët, edhe autoritetet shqiptare kishin vendosur një masë të tillë, për pasuri në pronësi të tij, e të cilat gjenden në vendlindje, në Durrës. “Gijotina.com” ka siguruar në mënyrë ekskluzive vendimin e plotë të Gjykatës së Durrësit, në të cilën detajohet mënyra se si janë lëvizur qindra mijëra euro nga njëri cep i botës në tjetrin, për të përfunduar në qytetin bregdetar shqiptar.
Dyshimet italiane
Autoritetet italiane njoftuan se kanë sekuestruar një pasuri, që arrin në rreth 5 milionë euro, të biznesmenit të lindur nga Durrësi, Gëzim Sallaku, i akuzuar për përfshirje në skemë mashtrimi financiar. Sallaku, i cili jetonte prej vitit 1992 në Breshia të Italisë, kishte arritur të krijonte pasuri të shumta të paluajtshme në të dy anët e Adriatikut. Policia Financiare e Breshias ka vendosur sekuestrimin preventiv të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme deri në shumën mbi 5.8 milionë euro, pasi e konsideron si person me precedentë të ndryshëm penalë.
Në veçanti, sekuestrimi u urdhërua pas hetimeve komplekse të natyrës ekonomike, pasurore dhe të të ardhurave që zbuluan një disproporcion të konsiderueshëm midis standardit të jetesës së Sallakut dhe të ardhurave të deklaruara nga i njëjti në organet tatimore. Sallaku është depërtuar nga Italia në drejtim të Shqipërisë, në vitin 2020. Në një zhvillim të mëvonshëm, ky urdhër administrativ u pezullua, në pritje të ecurisë së hetimit penal të zhvilluar ndaj tij nga autoritetet në Breshia.
Aksi Breshia-Panama-Durrës
Në Qershor të vitit 2021, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuritë e Gëzim Sallakut dhe familjarëve të tij, ku përfshiheshin shoqëria “GDA Sallaku” dhe 13 automjete në funksion të biznesit, 3 apartamente, 3 godina në procës legalizimi, si edhe disa sipërfaqe tokë arë. Hetimi pasuror shqiptar për Gëzim Sallakun në vitin 2014. Në 23 Korrik të atij viti, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave identifikon një pagesë në shumën 199 mijë euro, që vinte në emër të Gëzim Sallakut në Bankën Kombëtare Tregtare.
Pagesa shoqërohej me shënimin “Blerje vile në Plazh Durrës”. Urdhëruesi i kësaj transferte ishte subjekti “Caprisca Trading SA”, me adresë Panama. Kjo pagesë është kryer nga banka urdhëruese “Union Banca Repreive”, Gjenevë, Zvicër, në të cilën ka llogari kompania panameze. Një ditë më pas, në 24 Korrik 2014, në të njëjtën llogari ka mbërritur një shumë tjetër, me vlerë 242.292 euro, me të njëjtin urdhërues kompaninë panameze.
Pak ditë më vonë, Gëzim Sallaku paraqitet personalisht tek sporteli i BKT-së dhe urdhëron kryerjen e pagesës në shumën 345 mijë euro në favor të një subjekti që realizonte këmbim valutor. Ndërsa pjesën tjetër, rreth 105 mijë euro e tërhoqi cash. Drejtoria e Pastrimit të Parave ka ngritur dyshime për këto transaksione, pasi ishte vënë në dijeni të një artikulli në median italiane, publikuar në vitin 2011, ku flitej edhe për Gëzim (Zim) Sallaku.
Sipas atij artikulli thuhej se “në një aksion policor janë arrestuar 15 italianë dhe tre të huaj, ndër të cilët Gëzim Sallaku, pasi vidhnin makina luksoze, kryesisht në Breshia, të cilat më pas i shisnin në Shqipëri, Rumani, e të tjerë. Sipas artikullit, vlera e makinave të vjedhura arrinte në 2 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e kompanisë panameze “Caprisca Trading”, Ezequeil Ruis Rodrigues dhe Lilian de Muschet janë persona të implikuar në skandale financiare në Spanjë.
Shumat e dërguara në llogari të Gëzim Sallakut në 23 dhe 24 Korrik 2014 janë deklaruar prej tij si të dërguara nga shtetasja italiane Ana Maria Poiati, me qëllim blerjen e një vile në pronësi të tij në zonën e plazhit në Durrës, por që nuk rezulton ndonjë marrëveshje mes tyre. Italiania Ana Maria Poiatti, e pyetur nëpërmjet një letër-porosie, ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje financiare me Gëzim Sallakun, por vetëm ka njohje shoqërore.
Po ashtu, ajo deklaron se nuk ka pasur asnjëherë propozime konkrete nga Gëzim Sallaku apo vëllezërit e tij për blerjen e ndonjë pasurie të paluajtshme në Shqipëri. Ajo gjithashtu deklaron se nuk ka kryer asnjë transaksion në favor të Gëzim Sallakut.
Pasi është njohur me aktet e letër-porosisë, në lidhje me një shoqëri në Panama që ka llogari bankare pranë filialit të Luganos, Banka UBP Union Bancaire Prive, për të cilën është efektivisht titullarrja, shtetasja Ana Maria ka deklaruar se e ka hapur atë llogari para 40 vitesh dhe ka depozituar shuma të krijuara nga shitja e pasurive të paluajtshme në Itali.
Diçitura: Deklarimet e italianes Ana Maria Poietti
Ajo deklaron se në atë llogari ka pasur të depozituar rreth 500 mijë euro, me interes 4 përqind. Për shkak të moshës së saj, ka folur në një rast me shtetasin Landi Sallaku, menaxher i “Rrota Blu”, ku shkonte çdo ditë. Më pas, ka komunikuar me vëllain e tij, Gëzim Sallaku, ku kishin rënë dakord që të transferoheshin në llogarinë e tij në Shqipëri dhe kjo shumë do të ishte hua me një marrëveshje të shkruar, e cila do të rikthehej pas 5 vitesh. Ana Maria Poiatti deklaron se nga shumë, asaj i janë rikthyer 180 mijë euro.
Dënimet e Sallakut
Në letër-porosinë e autoriteteve italiane për Shqipërinë janë renditur edhe problemet penale që Gëzim Sallaku ka pasur në shtetin fqinj.
Diçitura: Lista e dënimeve e Gëzim Sallakut
Ai rezulton i dënuar për vjedhje në vitin 1999, me 5 muaj burg dhe 850 mijë lireta gjobë. Sallaku rezulton i dënuar me 3 vjet e 5 muaj burgim, si edhe 800 euro gjobë në vitin 2004, për veprat penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim, pastrim parash dhe kanosje, të kryera në Breshia dhe rrethinat e saj.
Po ashtu, ai rezulton i dënuar me gjobë edhe tre herë të tjera, për përdorim të sendeve të vjedhura. Ndërkohë, Gëzim Sallaku ka qenë nën hetim nga autoritetet italiane edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Prokuroria e Breshias dyshon se shuma prej 500 mijë eurosh që është derdhur në llogarinë e Sallakut nga Ana Maria Poietti, është përdorur prej tij për blerje të një sasie narkotikësh.
Diçitura: Lista e pasurive të Gëzim Sallakut dhe personave të afërt të tij, të sekuestruara në Shqipëri
Në bazë të këtyre të dhënave, gjykata e Durrësit vendosi në qershor të vitit 2021 sekuestron preventive për një numër të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme, të luajtshme dhe aksione të Gëzim Sallakut.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post