Kur Ministria e Mbrojtjes ia dha tenderin e hangarit të helikopterëve nipit të Sadri Abazit, komisioni duhet të kishte marrë parasysh se korrupsioni mund të kafshojë këtë objekt të bazës ajrore. Tenderi 4.1 miliardë lekë iu dha kompanisë së Arbër Abazit “ALKO-IMPEX General Construcion” shpk dhe një firme tjetër në bashkëpunim. Por ja si erdhën punët: Kërkohet zgjatje afati dhe 570 milionë lekë shtesë të tjera nga buxheti i shtetit.
Kujtojmë se tenderi me objekt “Ndërtim hangari për helikopterë në Bazën Ajrore Farkë” e kishte fondin limit 407,623,670 lekë pa TVSH.

E ndërsa Ministri Vëngu shkonte dhe inspektonte punimet në bazë, Arbër Abazi bënte gati shkresat për të marrë lekë të tjera shtesë.
“Me qëllim përfundimin e punimeve të argumentuar si më lartë si dhe vendosjen në funksionalitet të plotë të hangarit në bazën Ajrore Farkë (për nevoja të Forcave të Armatosura), përveç shtesës së materialeve, është e domosdoshme dhe shtesa e afatit të realizimit të kontratës i cili nga 24 (Muaj) nga data e fillimit të punimeve bëhet 27 (muaj) nga data e fillimit të punimeve”, kështu argumentohet ndryshimi i kontratës nga pala ushtarake.

Shtesa e fondit është e dyshimtë, sepse kërkesat për ndryshmin e kontratës janë bërë qysh para një viti. “Mbikqyrësi i punimeve dhe shoqëria zbatuese me shkresat nr. 129, datë 31.05. 2024 “Kërkesë për pajisje me projektet e objektit “Ndërtim hangari për mirëmbajtje dhe strehim helikopterash UH60 Black Haẉk” si dhe shkresës së shoqërisë “Agri Costruction” me 132/1, datë 01.06.2024 “Kërkesë për pajisje me projektet e objektit “Ndërtim hangari për mirëmbajtje dhe strehim helikopterash UH60 Black Haẉk”, me anë të së cilës njofton mbi disa problematika të hasura gjatë zbatimit të punimeve për të cilat kërkohet zgjidhje”, njoftohet nga Komanda e Forcave Ajrore.
Konkretisht: porta e hangarit qenka bërë më e vogël. Lartësia e kapriatave nga kuota 0.00 e objektit është 9.7 m. Porta e hangarit në projekt është parashikuar në lartësinë 6.5 m. Më tej del se nuk është përcaktuar dhomë teknike për vendosjen e makinerive dhe pajisjeve të sistemit të shuarjes së zjarrit.
Ndërkaq, nga korrespondencat del se në preventiv nuk janë parashikuar depozita uji për këtë qëllim. Ndërsa në projekt jepen 5 depozita uji 10000 litroshe, problem i cili duhet të saktësohet nga projektuesi. Po ashtu, fituesi i tenderit nuk e paska të qartë, nëse duhet mbuluar e gjithë sipërfaqja e hangarit.
Korrespondenca ka vazhduar më tepër se 1 vit për këtë shtesë që kërkohet. Gjithashtu mbikqyrësi i punimeve shoqëria “Arena MK” me shkresën nr. 52, datë 15.04.2025 sqaron se realizimi i punimeve të paraqitura në dokumentacioni e mësipërm është domosdoshmëri për ta sjellur objektin në parametrat e duhura teknike dhe për ta vënë atë në funksion të plotë.
Rëndësia strategjike e hangarit
Objekti “hangar për mirëmbajtje dhe strehim helikopterash UH60 Black Haẉk”, në Bazën Ajrore Farkë” është një komponent kyç i infrastrukturës ushtarake, jo vetëm i Forcës Ajrore, por edhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai shërben si hapësirë funksionale për strehimin, mirëmbajtjen, servisimin dhe ruajtjen e mjeteve ajrore të Forcës Ajrore. Po citojmë Komandën e Forcave Ajrore për këtë proejkt. “Rëndësia e tij strategjike buron nga disa aspekte thelbësore: Garantimi i gatishmërisë së flotës ajrore në çdo kohë dhe për çdo skenar operacional; Sigurimi i mbrojtjes fizike të helikopterëve ndaj faktorëve atmosferikë (shi, borë, erë, ekspozim UV); Mundësimi i ndërhyrjeve të shpejta teknike për riparime dhe kontroll periodik; Mbështetje për operacione të përbashkëta të NATO-s në rajon; Rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe reagimit në kohë të Forcave Ajrore të Shqipërisë; Mbështetja e operacioneve humanitare dhe emergjencave civile në rast fatkeqësish natyrore”, theksohet në informacionin e Komandës Ajrore për këtë projekt.
Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe reformimit të Forcave të Armatosura, ky hangar është pjesë e strategjisë kombëtare për rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të mbrojtjes. Ndërtimi dhe përfundimi i tij i plotë është një domosdoshmëri për operimin efektiv të Bazës Ajrore
Sa lekë të tjera kërkon Arbër Abazi?
Vlera totale e kontratës së nënshkruar nga kompanitë fituese të tenderit është 384,361,462 lekë pa TVSH.

Vlera e modifikimit të kontratës bazë është 47,760,458.02 lekë pa TVSH, sipas një preventivi shtesë të paraqitur nga zbatuesi i punimeve lekë. Duke futur TVSH, shtesa është 56,035,749.62 lekë.
Nipin i Sadri Abazit në lojë edhe për sheshin e helikopterëve
Pas hangarit, Arbër Abazi iu turr edhe tenderit për “Ndërtimin e kuadrateve kryesore dhe drejtimet e ngritjes dhe uljes, rrugët lidhëse, sheshet e parkimit të helikopterëve si dhe sistemin e ndriçimit”, me fond limit 706,458,540 lekë pa TVSH.
Fillimisht Pirro Vengu shpalli fitues Pëllumb Salillarin, por tenderi u ankimua menjëherë në Komisionin e Prokurimit nga dy bashkime kompanish. Ankimimi i parë u bë nga bashkimi i kompanive mes “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” SHPK.
Ndërsa ankesa e dytë u bë nga bashkimi i kompanive “BE-IS”, “Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan” dhe “ERGI”.
KPP mori dy vendime të njëpasnjëshme, ku i pari e pezullonte tenderin, ndërsa i dyti ishte për “mosheqje pezullimi”.
Pas shqyrtimit të dokumentave, Komisioni i Prokurimit Publik i gjeti të paligjshme skualifikimet e ofertave më të ulëta. KPP i pranoi pjesërisht të dy ankesat, vendosi që në vend të ndryshimit të fituesit, të urdhërojë ministrinë e Mbrojtjes që të anullojë mënjëherë tenderin.
Madje njëri prej anëtarëve të KPP, ishte edhe më i prerë. Kreshnik Ternova, përmes mendimit të pakicës, votoi që ministra e Mbrojtjes të ndryshojë fituesin e tenderit duke ja dhënë atë bashkimit të kompanive “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” si dhe sugjeroi që t’i propozohej Agjencisë së Prokurimeve Publike që të niste hetim administrativ ndaj Pirro Vengut për shkeljet e konstatuara në tender.

Dihet se ish-Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri (aktualisht nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat) më parë ka mbajtur postin e juristit në kompaninë Alko Impex. Përtej kësaj, Arbër Abazi ka lidhje shumë të ngushta në majën e pushtetit. Në këto kushte ministri Pirro Vengu u tërhoq dhe e bëri tenderin si e urdhëruan.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post