Kryetares Emiriana Sako nuk i dridhet qerpiku nga SPAK-u, por vazhdon të shpërndajë qindra milionë lekë pa garë nga arka e Bashkisë Durrës. I vetmi ndryshim që ka bërë kryebashkiakja, pasi është thirrur në prokurori për korrupsionin me tenderat, ka autorizuar një nga zëvendësat e saj që të firmosë kontratat me fituesit e paracaktuar.
Një nga këto tendera fiktivë të Bashkisë Durrës, është organizuar këto ditë me objekt “Ndërtim terreni sportiv ish-ferma Xhafzotaj në njësinë administative Rrashbull”. Është një projekt që Vangjush Dako e ka premtuar në vitin 2020, më pas e ka theksuar Sako në vitin 2022, por tani i erdhi radha pazarit.
Fondi limit i caktuar për fushën sportive është 32 876 981,00 lekë pa TVSH, që financohet nga buxheti i bashkisë për vitet 2026 dhe 2027.
Tenderi u njoftua në Agjencinë e Prokurimit Publik më 22 tetor 2025 dhe u mbajt më 6 nëntor 2025 me vetëm një pjesëmarrës, kompaninë G.A.C shpk.
Oferta e bërë në tender është cinike, afro 99% e fondit limit: 31 999 993,00 lekë pa TVSH. Dhe më datë 21 nëntor 2025, një nga zëvendësat e Sakos i është drejtuar pronarit në letra Klodian Alimadhi (mbulesë e oligarkut Shpëtim Cinga) që të paraqitet për të firmosur kontratën në zyrat e Bashkisë Durrës.

Open Data Albania e ka qendisur këtë procedurë me “Flamur të kuq”, që është sinjalizimi për riskun e korrupsionit.
Tenderat, abuzimet e hershme të Sakos me Klodian Alimadhin
“GAC” shpk është kompani kliente e vjetër e Emirjana Sakos. Vitin e kaluar, Sako bëri disa manovra në një tender, derisa ia firmosi kontratën Klodian Alimadhit. Objekti i tenderit është “Rehabilitim i ndriçimit të akseve rrugore në qytetin e Durrësit”. Këtu duhet të bëjmë një saktësim ose ndreqje “gabimi” të bërë në vendosjen e emërtimit të tenderit. Projekti është për rrugën e plazhit, jo për gjithë qytetin. Fondi limit i përllogaritur nga komisioni i bashkisë ishte 24 859 914,00 lekë. Ky investim në këtë segment përfshinte ndërtim rrjetit të ndriçimit në rrugët “Zona e Plepave”, “Venecia”, “Porta e Detit”, “Iliria”, “Leoni dhe Koja” dhe “Brindisi”.
Tenderi u anuluar dy herë. Kryetarja ka urdhëruar që tenderi të anulohej dy herë sepse me ofertën që kishte Alimadhi, nuk mund të fitonte.
Fillimisht tenderi u njoftua nga Agjencia e Prokurimit Publik më 14 maj 2024 dhe data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 29 maj 2024.
Në mënyrë të befasishme në 28 qershor 2024 nga komisioni i Sako janë shpallur të skualifikuara të gjitha kompanitë dhe më 1 korrik është njoftuar anulimi i tenderit.
Disa prej kompanive u ankuan në Komsionin e Prokurimit Publik dhe kërkuan të rrëzohej ky vendim. Bashkia njoftoi KPP-në se i kishte pranuar këto ankesa dhe vazhdoi procedurën. Në datën 28 tetor 2024 bashkia ka njoftuar operatorët ekonomikë pjesëmarrës me anë të sistemit të prokurimeve elektronike, mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që ishte i njëjtë me të parin.
Në datën 30 tetor 2024 është publikuar vendimi i anulimit të tenderit për herë të dytë. Pas kësaj, më 5 nëntor 2024, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është administruar ankesa “G.A.C” SHPK e Klodian Alimadhit, ku ngrihen “pretendime për zhvillimin dhe anulimin e procedurës së mësipërme të prokurimit”.
Kuptohet vazhdimi i telenovelës në KPP-në e Jonaid Myzyrit (nën hetim për korrupsion) pasi në vijimësi është parë se vendimet e KPP janë të koordinuara sipas interesave që kanë kryetarët e bashkive dhe firmat private. Loja me KPP shërben në këtë rast për të shmangur konkurrimin mes ofertave. Pas vendimit të KPP, më 4 shkurt u shpall fituese G . A . C me ofertën 19 639 471,00 lekë. Pra, lëmshi i krijuar shmangu ballafaqimin e ofertave, pasi në ktë tender ishin disa kompani me oferta më të ulëta.

“Skualifikim i të gjithë operatorëve pjesëmarrës, përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania, që e ka shënuar me “Flamur të kuq”.
Edhe Lali Eri i jepte tendera pa garë!
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj para se të shkonte në burg e kishte kompaninë “GAC” shpk në listën e ngushtë të biznesmenëve që favorizoheshin në tendera. Në janar 2025 u shpik një projekt tek “Bregu i Lumit” në Tiranë, i destinur posacërisht për Klodian Alimadhin.
Në këtë zonë do të shpohet pus për vaditjen e Pyllit Orbital, që në fakt nuk ekziston. Për këtë u bënë letrat e një tenderi me vlerë 134 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës.
Në prokurim ka marrë pjesë vetëm një kompani: Operatori “G.A.C” sh.p.k. Oferta e kësaj kompanie është ishte 12 400 083,00 lekë, pa përfshirë TVSH dhe u shpall fituese më 14 janar 2025. Drejtoresha që ka firmosur tenderin, Liri Qoshi, nuk e ka pasur të vështirë që ta shpallë fitues mikun e Veliajt, sepse kompania e Klodian Alimadhit ishte e vetmja që u paraqit.

Alimadhi kapet në vjedhje në tenderin 1 milion dollarë
Kompania e Klodian Alimadhit është kapur në mashtrime më herët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Pas auditimit, në vitin 2023 është publikuar një raport ku theksohet se kompania “G.A.C” me administrator dhe pronar Klodian Alimadhin ka abuzuar me zbatimin e kontratës me vlerë 1 milion USD, me objekt zgjerimi i sistemit të lokalizimit të defekteve në linjat e tensionit të lartë të dhënë nga OST, duke përfituar padrejtësisht paratë për punë të pakryera.

Sipas informacioneve, kompania G.A.C fitoi në vitin 2020 tenderin 1 milion USD me firmën e drejtorit të OST, në atë kohë Skerdi Drenova, një zyrtar publik i lakuar për abuzime me vlerë miliona euro.
Në këtë procedurë, Klodian Alimadhi ka konkurruar me veten e tij, pasi nuk ka pasur pjesëmarrës të tjerë në garë. Si rrjedhojë, siç evidentohet në dokumentin më poshtë, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese ishte qesharake.
Si mos të mjaftonte oferta fituese në kufirin e fondit limit, pra fitimi që në procedurë, kompania G.A.C ka mashtruar edhe me zbatimin e kontratës, duke thelluar vjedhjen, duke ndarë me sa duket paratë me drejtorin e OST, përgjegjës për monitorimin e zbatimit të kontratave që i firmos vetë.
Kush fshihet pas emrit të Klodian Alimadhit?
Kompania “GAC” shpk u krijua në vitin 2016 nga dy punonjës të oligarkut Shpëtim Cinga, të cilët pas disa muajsh ia kaluan aksionet të bijës së tij Hajrie Cingës. Kompania u krijua për të shmangur vëmendjen nga emri i tij, pasi firma kryesore e tij “Shansi invest” shpk ishte në qendër të disa skandaleve me tenderat në atë kohë. Ndërkohë, bashkë me disa firma të tjera të familjes, bëhej qarkullimi i brendshëm i shërbimeve.
Në vitin 2021, ndodhi një ndryshim tjetër pronësie brenda familjes. Hajrie Cinga ia dhuroi aksionet e saj Klodian Alimadhit.
Ndërkohë Shpëtim Cinga njihet për gamën e tenderëve që përfiton me vlera të larta sidomos nga Energjetika. Në vitin 2020, Cinga është denoncuar gjerësisht në media se si arriti të merrte 20 milione euro në 18 muaj përmes tenderëve pa garë nga Skerdi Drenova. Kryesisht bëhej fjalë për tenderët e ndërtimit të nënstacioneve:
Në Qershor të vitit 2019, Cinga fitoi tenderin me objekt “Ndërtim i Nënstacionit 220/110/35 kV, Shumat dhe i traktit 220 kV në Nënstacionin 220/110/10 kV, Komsi”, me fond limit 730 milionë lekë të reja, pa TVSH. Shansi Invest bashkëpunoi me dy firma të tjera.
Në shtator të vitit 2019 , OST mbyll tenderin “Ndërtim i linjës 220 kV me dy qarqe Komsi-Shumat”, me fond limit mbi 1 miliard lekë të reja pa TVSH. U fitua nga bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Shansi Invest” i biznesmenit Shpëtim Cinga, e pjesëmarrës të tjerë “G.A.C” e Hajrie Cingës, si edhe “Lala” shpk dhe “Pastrime Silvio”.
Në vitin 2020, tenderi me objekt “Zgjerimi i sistemit të lokalizimit të defekteve në Linjat e Tensionit të Lartë”. Me fond limit 100 milionë lekë të reja pa TVSH. U fitua nga kompania “G.A.C” në pronësi të Hajrie Cingës, vajza e Shpëtim Cingës.
Po në atë vitit, tenderi me objekt “Blerje e një Autotransformatori të ri 300 MVA, 400/230 kV për N/ST Tirana 2”, me fond limit 293. 279. 980 lekë të reja pa TVSH. U fitua nga “Shansi Invest ne bashkëpunim me dy firma të tjera.
Gjithashtu SHANSI INVEST i Shpëtim Cingës renditet si një nga firmat mes 14 të tjerave që vilnin fondet e Bashkisë Tiranë me ndihmën e zyrtarëve të tenderëve ne bashkepunim me “5D”. Shpëtim Cinga merr të paktën 12.3 miliardë lekë në vit nga taksat e kryeqytetasve.
Në vitin 2023, ish-drejtori Ergys Verdho, do t’i jepte Shpëtim Cingës tenderin me objekt “FV impiant i ri 0.4kV i nevojave vetjake te përgjithshme të centralit, me dy hyrje 3200A dhe seksionator me automatike change-over e mbrojtje termomagnetike, dalje me kontroll manual 400A dhe 800/1000A, pajisur me mbrojtje termomagnetike”.

800 milionë lekë do t’i firmoste Verdho kompanisë “Shansi Invest” me stilin “skualifikim i të gjithë pjesëmarrësve, përvec fituesit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post