Nga Dom Gjergj Meta
Ngjarja e këtyre ditëve në Klos të rrethit të Matit, që pati si rezultat vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, ishte vërtetë tronditëse. Në ato zona, ngjarja e fundit tronditëse, ka ndodhur rreth para katër vitesh, kur u vranë tre punëtorë të Bashkisë Mat në fshatin Shlli për motive krejtësisht të dobëta. Zona është e njohur për njerëz fisnikë dhe që punojnë edhe pse me shumë halle, si një pjesë e mirë e kësaj zone veri-lindore të Shqipërisë ku unë jam edhe ipeshkëv.
Kjo ngjarje nxjerr në pah problematika që nuk mund të anashkalohen krejt lehtë.
Së pari nuk kemi të bëjmë me larje hesapesh, as me banda që kanë interesa të dyshimta financiare, as me kriminelë apo njerëz me precedent penalë. Këta janë njerëz të jetës së përditshme të vendit tonë që në mënyrën e tyre mundohen të punojnë, të jetojnë e të rrisin fëmijë me ato mundësi që kanë dhe mënyra që dinë.
Në këtë rast krimi, pasi aty është kryer një krim, çau perden e brishtë të përditshmërisë së shqiptarëve dhe u ul këmbëkryq. Nëse do të kisha zgjedhur një gjuhë gjysmëreligjioze do të thoja se djalli kësaj here fitoi duke ardhur nga pothuajse hiçi. Kjo tregon se normaliteti i jetës së shqiptarëve është shumë i brishtë.
Së katërti kjo ngjarje nxjerr ende në pah një mendësi të pazhvilluar rreth zgjidhjes së konflikteve. Mungesa e njerëzve të urtë që zgjidhin konfliktet, pasi në një shtet demokratik duket se instancat paraligjore nuk janë ligjore, ka lënë një boshllëk të madh, pasi ata që duhet të merren me zgjidhjen e konfliketeve janë ende në konflikte të natyrave të tjera. Njerëzit e urtë të zgjidhjes së konflikteve duhet të jenë punonjësit e rendit. Shpesh kur jam në biseda me policë e shefë policie flasim rreth një policie komunitare e cila nuhat konfliktin dhe vihet në shërbim, së pari të zgjidhjes së tij e më pas të ndëshkimit. Një pjesë e mirë e konflikteve, që më pas degjenerojnë në dhunë apo në vrasje, mund të jenë lehtësisht të zgjidhshëm nëpërmjet atyre njerëzve që kanë për detyrë të ruajnë rendin. Detyra e një njeriu të rendit nuk është vetëm të gjejë shkeljen, por edhe ta parandalojë atë, të këshillojë e të qortojë e të mos ketë dorën direkt e në bllokun e gjobave apo në shënimin e veprave penale. Jo se kjo e fundit nuk duhet bërë, por nuk është detyrë parësore e njerëzve të rendit.
Ka ende edhe një element në këtë ngjarje. Nga “investigimet” mediatike duket se shkak për përkeqësimin e situatës janë bërë edhe kërcënime të tipit virtual. Bota e internetit, në të cilën të rinjtë tanë, por jo vetëm ata, janë të zhytur këmbë e krye, me gjithë kinse mbrotjet e kompanive të ndryshme të rrjeteve sociale, herë pas here kthehet në mollë sherri midis personave të kategorive dhe moshave të ndryshme. Një problem që nuk duket se ka një zgjidhje të menjëhershme, pasi virtualja është një jo-vend i frekuentuar nga të gjithë e si e tillë lë mundësi zhvillimesh të papëlqyera.
Ngjarja e ndodhur hapi disa plagë. Shoqëria shqiptare, sidomos e Klosit me rrethina, u gjakos edhe në ekzistencën e saj. Janë shumë ekuilibra që prishen, një Zot e di se sa. E kushedi kur këto plagë mbyllen, e nëse ndonjëherë mbyllen, pasi koha nuk është e vërtetë që shëron gjithmonë, por shpesh ajo transporton konfliktet. Unë nuk e di se sa pas ngjarjeve të tilla reflektohet si shoqëri. Në përgjithësi ndodh një shfryrje apo keqardhje e momentit, por nuk ka një vijimësi reflektimi në nivele të ndryshme të shoqërisë. Kemi tashmë shumë ngjarje të “arkivuara” nga memoria kolektive. Shumë prej tyre kanë tronditur thellë komunitetin e shqiptarëve e megjithatë janë harruar. Janë të pranishme vetëm në dosjet e hetuesve, të gazetarëve investigativë që i përdorin sipas momentit dhe sigurisht në jetën e familjeve që kanë qenë protagonistë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Nevojitet një reflektim komunitar kapilar, i të gjithë faktorëve dhe aktorëve të shoqërisë. Përndryshe do të harrojmë edhe këtë herë menjëherë sa të mbarojnë të tretat, pikërisht kur po botohet edhe ky shkrim. Zoti na qoftë ndihmë!
Discussion about this post