Enver Bytyçi
Emërtimi “malok” nuk është i këtij shekulli. Ka të dhëna se ky emërtim mund të jetë dy ose tre shekullor. Por “maloku” si nocion përbuzës dhe pezhorativ është bërë pjesë e fjalorit politik shqiptar në shekullin e kaluar, sidomos pas Kongresit të Lushnjës dhe zhvillimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Prej këtu u përhap kjo katëgori fjalësh në skenën politike shqiptare. Shumë “studiues” të ditëve të sotme po përpiqen të merren me këtë temë. Tendenca është që ata të thonë: “Pse mërziten “malokët” kur ne u themi “malokë”? Ata vetë e kanë përdorur këtë term kundër njëri-tjetrit”! Dhe qëmtojnë sikur një shkodran i paska thirrur një malësori të Shkodrës me këtë emërtim. Madje e lëshojnë këtë fjalë edhe në gojën e Fishtës a të dikujt tjetër.
I gjithë ky lloj diskursi është për të larguar përgjegjësinë politike e shtetërore për shprehjen e urrejtjes krahinore përmes këtij nocioni. Sikur gjithë e keqja të qëndronte në faktin se kush e si u përdor për herë të parë e të fundit fjala “malok”, nuk do të ishte ndonjë hata e madhe! Kur dikush i thërret dikujt “hej malok!”, ai shfaq karakterin e tij. Nxjerr në pah egon e tij, maninë e epërsinë mbi tjetrin dhe përpjekjen për imponim. Këto karakteristika i shohim sa herë kryeministri i Shqipërisë flet për “shpellarë”, ose “alpinë”! Por ato i shohim edhe te ata që përpiqen të shpallen si “njerëzit më të ditur” të këtij vendi e në fakt shprehin urrejtje dhe përbuzje për tjetrin.
Mustafa Nano në një libër të tillë e trajton përdorimin e këtij fjalori në histori dhe në aktualitet. Ai përpiqet të provojë se emërtimi “malok” është burimore në veri, në Shkodër. Por këtë “provë” ai e përdor si të drejtë për të sulmuar me këtë nocion politikanët e veriut, para së gjithash Sali Berishën. Kur Gafurr Mazrreku kreu atentatin e tij kundër Azem Hajdarit në sallën e parlamentit, (1998) kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, nuk e kurseu fjalën “arkaik” për ta, gjithnjë niisur nga fakti se ata vinin nga veriu i vendit. Në mediet shqiptare me porosi politike gjatë emëtimit të kronikës së zezë, malokëve” u kumtohej deri vonë prejardhja.
Përdorimi i emërtimit “malok” direkt ose përmes nën-herësve të tij është rigjallëruar pas shembjes së komunizmit. Në analizën time fyerja që u bëhet malësorëve duke i thirrur “malokë” shkon përtej një zhargoni të zakonshëm. Kudo në botë ka epitete të një krahinë ndaj një tjetre, të një entiteti kundrejt një tjetri, ose ndaj grupimeve të caktuara të popullsisë. Por ato shkojnë deri te shakatë dhe përdorimi jo politik e aq më pak institucional i tyre. Genta Bunga është rasti I fundit. Ajo është anëtare e një institucioni të caktuar. Si përfaqësuese e shtetit tha se Elisabeta Ymeraj nuk duhet të jetë në sistemin e drejtësisë, sepse na duhet “një maloke më pak”! Mjafton kjo sentencë për të kuptuar se përdorimi i kësaj skeme përbuzëse e fyese nga një institucion shteti nuk drejtohet vetëm kundër subjektit në fjalë, por kundër të gjithë veriorëve të klasifikuar në nocionin e “malokëve”!
Pra, bazuar në një përbuzje krahinore, shkurt rracore, përfaqësuesit e shtetit, madje ata që merren me drejtësinë dhe na thonë se do ta bëjnë atë, kryejnë akte kriminale të tilla diskriminimi, deri në linçimin e punonjësve të drejtësisë për shkak të prejardhjes apo origjinës. Përdorimi shtetëror e institucional i këtij termi është përpjekje kriminale, sepse bie ndesh me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk po flasim për atë se cënon lirinë dhe demokracinë, sepse këto dy nocione nuk ekzistojnë më në shtetin mafioz të Edi Ramës.
Përdorimi politik e institucional I fjalës “malok” ka çuar në një dasi të thellë krahinore në Shqipëri. Në periudhën e komunizmit ishte zbehur kjo praktikë jo aq shumë për shkak të diktaturës, sa për shkakun se regjimi i kohës në kushtet e dhunës mizore nuk kërcënohej nga “malokët”! Kur në krye të shtetit erdhi Sali Berisha, e deri më sot, nocioni i “malokut” u përhap me shpejtësinë e zërit pikërisht për shkak të pushtetit. Por nuk ishte pjesë e sistemit shtetëror! Nëse në Shqipëri kemi sot dy harta politike të rezultatit zgjedhor, të kuqe e blu, siç ndodhi më 25 prill të vitit të kaluar, kjo ndodh edhe për shkak të nxitjes së urrejtjes Veri-Jug. Edi Rama e përdori direkt në një miting elektoral në Vlorë insinuatën se “Nëse votoni PD-në, do ju vijnë “malokët” këtu”! E ndërkohë Vlora, Durrësi, Saranda, Himara, Ksamili etj, sipas Ramës, duhet të zhvillohen e të kënaqen me turizmin e “malokëve” kosovarë!
Këtyre “malokëve” shteti ua merr të gjitha pasuritë. Dhe sikur t’i përdorte për zhvillimin e vendit, qoftë dhe në jug të Shqipërisë, do të ishte gjysma e të keqes. Por pasuritë e veriut (të malokëve) përdoren për pazare mafioze nga kryeministri dhe ministrat e qeverisë shqiptare. Ushqimi ideologjik anti-verior vendosi në Kalimash traun e Rrugës së Kombit, gjë që nuk u vendos në asnjë autostradë ose superstradë tjetër të Shqipërisë. Për ta kamufluar këtë të vërtetë, shpesh herë qeveria e propaganda e saj prodhon lajme se “do të vendoset këtu ose aty pagesa në fjalë”! Por në të vërtetë askush nuk guxon ta bëjë këtë në Vlorë. Autostrada Tiranë-Vlorë është 140 km, ndërsa ajo Milot – Morinë 100 km. Por te kjo 100-shi “malokët” paguajnë 10 euro shkuarje-ardhje. Në atë 140-shen asnjë grosh. Madje edhe prishtjet e banesave në dobi të oligarkëve bëhen sipas psikozës së luftës kundër “malokëve”!
Nocioni “malok” është një koncept dhe përdorim jo thjesht pezhorativ. Eshtë paraprirje e diskriminimit institucional, politik dhe shtetëror. Kështu funksionojnë të gjitha strukturat e shtetit tek ne. Me këtë standard u spastrua administrata shtetërore dhe qeverisja nga “malokët” kur në fuqi erdhi Rilindja. Me këtë mentalitet e spastroi Erion Veliaj bashkinë e Tiranës në vitin 2015. Me këtë psikozë shkojnë fondet te bashkitë jo-maloke. Dhe spazma e gjithë kësaj rrjete diskriminimi shkon deri të aksioma elektorale e Rilindjes se “Nëse zgjidhni kundërshtarin, “malokun”, atëherë nuk do të keni burime financiare për zhvillim”.
Këtë diskurs askush nuk përpiqet ta ndalojë. Qeveria jo e jo, sepse ajo vetë e kryeson luftën krahinore, madje nxit dasitë dhe urrejtjen. Dhe natyrisht që një qeveri mafioze dhe e mafies nuk mund të vegjetojë e të sundojë pa përçarje dhe urrejtje. Genta Bunga me siguri ka marrë përgëzime të përzëmërta nga kreu i qeverisë. Eshtë e kotë të presësh që ajo të ndëshkohet. “Malokizmi” është kthyer në një bërbindësh diskriminues i miratuar në institucionet shqiptare të shtetit. Nga ana tjetër e mbështet zonja Kim, për të cilën thuhet se është shprehur, “Kujdes gjatë vetingut ata të veriut, sepse janë kokëfortë”! Fatkeqësia qëndron gjithashtu në faktin se shumë ndërkombëtarë që lidhen me vetingun janë blerë nga Edi Rama dhe Soros. Gjithnjë për të çimentuar pushtetin arrogant, mafioz e tiranik të Ramës.
Kjo situatë alarmante duhet ndryshuar. Nëse nuk e bëjnë këtë institucionet shtetërore, atëherë do ta bëjnë qytetarët. Se kur, është thjesht çeshtje kohe! Por durohet gjithçka, ndoshta edhe varfëria. Varet si je mësuar të jetosh! Ndërsa diskriminimi është i padurueshëm për çdo rracë njerëzore.
Discussion about this post