Pasi gati 10 vjet betejash ligjore, familjarët e Petrit Jahaj, kapitenit të anijes “Iliria”, i cili vdiq në përpjekjet për të shpëtuar qindra pasagjerët e tragetit “Normal Atlantic” që po digjej pranë Sazanit, kanë arritur të marrin dëmshpërblimin për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur. Petrit Jahaj, kapiteni 60-vjeçar i rimorkiatorit ‘Iliria” ishte pushim në datë 29 Dhjetor 2014. Një alarm i lëshuar nga trageti italian, “Normal Atlantic”, në bordin e së cilës gjendeshin rreth 500 pasagjerë, ngriti alarmin në kapitenerinë e Portit të Vlorës.
Fillimisht, në ndihmë të tragetit shkoi rimorkiatori shqiptar “Adriatik”, i cili nuk arrinte të jepte i vetëm ndihëm e duhur. Në këto kushte, kapiteneria e Portit njofton me urgjenë kapitenin Petrit Jahaj dhe ky i fundit, po me urgjencë, mbledh ekuipazhin e rimorkiatorit të tij, “Iliria”, dhe niset me shpejtësi drejt Sazanit.
Diçitura: Pamje nga operacioni i shpëtimit të tragetit “Norman Atlantik”
Pas më shumë se 16 orësh operacion shpëtimi, anija “Iliria” goditet nga një dallgë e fuqishme, e cila lëviz me shpejtësi litarin prej çeliku të trashë, duke goditur për vdekje kapitenin Jahaj dhe anëtarin e ekuipazhit, Edmond Hilaj. Pas shuarjes së flakëve, në apelin e tragetit mungonin edhe 22 pasagjerë.
Ngjarja e rëndë angazhoi autoritetet nga Italia dhe Shqipëria. Në 30 dhjetor 2014, në Tiranë mbërrin kryeministri italian i kohës, Mateo Renzi. Vizita e tij ishte e planifikuar para tragjedisë. Por gjithësesi, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Renzi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhanë garanci se do të bënin gjithçka për hetimin e rastit dhe për zbutjen e plagëve të familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre në tragjedinë e “Norman Atlantic”.
Frazat ngushëlluese u përmbyllën me një foto-selfie shumë të kritikuar Rama-Renzi, ku mediat italiane i kujtuar kryeministrit të tyre se shteti duhej të merrej me tragjedinë e jo me album fotografik.
Diçitura: Foto-selfie Rama-Renzi në ditën e tragjedisë së tragetit “Norman Atlantik”
Nga ai takim duket se mbeti vetëm selfie. Autoritetet shqiptare harruan heronjtë e asaj tragjedie. Familjarëve të Petrit Jahaj iu deshën të paktën 10 vjet gjyqeve me shoqërinë publike “Anijet e Shërbimit Detar”, në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës, për të marrë dëmshpërblimin për jetën e humbur të bashkëshortit dhe babait të tyre.
Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë ka pranuar përfundimisht kërkesën për shërblim dëmi të familjarëve të kapitenit Jahaj, duke akorduar në total një shumë prej rreth 28 milionë lekë të reja (rreth 250 mijë euro).
Para se të arrihej në këtë vendim, bashkëshortja dhe fëmijët e Petrit Jahaj janë përballur me refuzimin e vazhdueshëm të shoqërisë publike të shërbimit detar për të paguar dëmshpërblimin, pavarësisht se Petrit Jahaj doli në det dhe humbi jetën pas urdhërit të dhënë nga drejtuesit e kompanisë publike.
Tragjedia e Norman Atlantic
Trageti “Norman Atlantik” u përfshi nga flakët mëngjesin e 29 dhjetorit 2014, vetëm pak milje larg bregetit të Vlorës dhe në bordin e të cilës ndodheshin 499 persona nga të cilët 477 shpëtuan, 11 ndërruan jetë dhe 11 janë ende të zhdukur.
Në vendimin gjyqësor, të siguruar nga “Gijotina”, paraqiten me detaje përpjekjet e rimorkiatorëve shqiptarë, të cilët ndërmorën një operacion shumë të vështirë shpëtimi. Në datë 29.12.2014, në tragetin e udhëtarëve “Norman Atlantic” ka ndodhur një defekt që ka shkaktuar flakë. Në këto kushte është kërkuar ndihmë nga kapiteni i kësaj anijeje.
Drejtoria e Përgjithshme Detare Durrës, duke vlerësuar situtatën e jashtëzakonshme detare në datë 29.12.2014, ka urdhëruar kapitenin e rimorkiatorit “Adriatik” për të manovruar për kapjen me cimë të tragetit të dëmtuar, me qëllim që të mbante në një distancë sigurie nga toka dhe Ishulli i Sazanit. Rreth orës 19.00 të po kësaj date, me kërkesën e administratorit të Anijeve të Shërbimit Detar Durrës dhe miratimin e kapitenerisë së porteve, i është dhënë leje rimorkiatorit “Iliria” të shkojë në asistencë dhe ndihmë të rimorkiatorit “Adriatik”, i cili mbante tragetin e dëmtuar. Në këtë mënyrë rimorkiatori “Iliria” ka qëndruar në asistencë të rimorkiatorit “Adriatik” nga ora 05.55 deri në orën 08.30 për arsye sigurie.
Diçitura: Detajet e tragjedisë detare, sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës
Rreth orës 16.30 të datës 29.12.2014, kapiteni i rimorkiatorit “Iliria” është njoftuar të thërrasë ekuipazhin dhe të qëndrojë në gatishmëri për të shkuar në ndihmë të rimorkiatorit “Adriatik”, i cili kishte dalë në ndihmë të tragetit “Norman Atlantic” të mbytur nga flakët.
Kapiteni i rimorkiatorit “Iliria” është njoftuar se arsyeja e daljes në det ka qenë ftohja e cimave të rimorkiatorit “Adriatik” të cilat ishin nxehur për shkak të mbajtjes së tragetit “Norman Atlantic”.
Në këto rrethana në orën 19.45 të datës 29.12.2014 rimorkiatori “Iliria” ka lënë terminalin PIA dhe është nisur në drejtim të rimorkiatorit “Adriatik” dhe tragetit “Norman Atlantic” duke mbërritur në vendngjarje në orën 22.00 të kësaj datë.
Menjëherë ekuipazhi i rimorkiatorit “Iliria” me pajisjet zjarrëfikëse ka filluar ftohjen e cimave të rimorkiatorit “Adriatik” të cilat ishin të lidhura me tragetin “Norman Atlantic”. Ky operacion ka vazhduar deri në orën 05.30 të datës 30.12.2014.
Në këtë orë rimorkiatori “Adriatik” ka njoftuar rimorkiatorin “Iliria” për një avari në lokalin e motorrave, duke i kërkuar ndihmë për rimorkim deri në riparimin e saj.
Ndodhur në këto rrethana, anëtarët e ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria” i japin cimën e rimorkimit rimorkiatorit “Adriatik” duke bërë rimorkimin e tij, ndërkohë që ky i fundit mbante të rimorkuar tragetin “Norman Atlantik”. Ky operacion ka vazhduar deri në orën 08.30 datë 30.12.2014, pasi rimorkiatori “Adriatik” ka njoftuar rimorkiatorin “Iliria” për riparimin e avarisë. Për këtë arsye nga ana e rimorkiatorit “Adriatik” është bërë lëshimi i cimës së rimorkiatorit “Iliria” për t’u shkëptur nga ky i fundit.
Në këto rrethana, kiçi i rimorkiatorit “Iliria” goditet nga dallga, duke bërë të mundur ngritjen e kiçit të rimorkiatorit rreth tre metra lart. Pas uljes së menjëhershme të kiçit, cima që ndodhej në kiçin e rimorkiatorit është bllokuar poshtë me helikën, duke shkaktuar tirimin apo tendosjen e pjesës së cimës që ndodhej në rimorkiator, për pasojë ka goditur dy marinarët e ekuipazhit shtetasit Edmond Hila dhe Petrit Jahaj.
Beteja gjyqësore për dëmshpërblimin
Pas kësaj ngjarjeje tragjedike, familjarët e kapiten Petrit Jahaj kërkuan shpërblimin e dëmit nga Agjencia e Shërbimeve Detare. Në Janar të vitit 2018, gjykata e Vlorës pranon kërkesën e 4 familjareve, duke caktuar shërblim në vlerë monetare për secilën prej tyre, për një shumë totale prej rreth 28 milionë lekë të reja. Ky vendim nuk kënaqi aspak shoqërinë publike, e cila nuk pranonte të kishte përgjegjësi për vdekjen e Petrit Jahaj (dhe të Edmond Hilajt).
“Agjencia e Shërbimeve Detare” i drejtohet Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku argumenton se: “nuk provohet me asnjë argument ligjor apo me prova konkrete ekzistenca apo paligjshmëria, me veprime apo mosveprime të shoqërisë “Anijet e shërbimit detar” në raport me punëmarrësin, të ndjerin Petrit Jahaj, sipas rrethanave e fakteve që lidhen në dinamikë me aksidentin në punë të datës 30.12.2014”.
Diçitura: Vendimi i Gjykatës së Lartë i vitit 2023, që vulosi përfundimisht dëmshpërblimin
Argumentat e shoqërisë shtetërore “Anijet e Shërbimit Detar” u rrëzuan të gjitha nga Gjykata e Apelit të Vlorës në Korrik 2018, e cila la në fuqi vendimin për dëmshpërblimin financiar të familjarëve të kapitenit Petrit Jahaj.
Kompania publike nuk dorëzohet dhe depoziton rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon rrëzimin e padisë dhe pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dëmshpërblimit, derisa të ketë një vendim përfundimtar.
Gjykata e Lartë pranon kërkesën për pezullimin e pagesës së dëmshpërblimit, me një vendim të marrë në nëntor 2018. Në qershor të vitit 2022, ndërkohë që po zhvillohej gjykimi i themelit, Gjykata e Lartë vendosi të heqë pezullimin e ekzekutimit të dëmshpërblimit financiar.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2023, Gjykata e Lartë vendosi mos-pranimin e rekursit të shoqërisë “Anijet e Shërbimit Detar” për çështjen e themelit, duke vendosur përfundimisht dëmshpërblimin financiar për familjarët e afërt të kapiten Petrit Jahaj, gati 10 vjet pas i ndjeri humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës.
Lexo edheVIDEO – Aksidenti me vdekje në Sukth, gjykata liron shoferët
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post