Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u qëndroi gjatë bisedimeve përfundimtare shkaqeve të ankimit në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Tiranës, Ervin Pollozhani dhe kërkoi shkarkimin e tij për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Pollozhani kundërshtoi gjetjet për deklarime kontradiktore, si dhe pretendoi se kishte provuar burimet e ligjshme të pasurive, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij.
Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqësoi Dumanin në këtë çështje, parashtroi të martën me 25 nëntor gjetjet lidhur me burimet e një apartamenti, kthimin e një vlere nga shoqëria ndërtuese, një gjendje cash 1 milion lekë, si dhe shpenzimet e mobilimit.
Për apartamentin që zotëron subjekti dhe bashkëshortja e tij në Tiranë, janë deklaruar si burim krijimi të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti të mëparshëm. Ky i fundit është porositur e paguar në vitin 2007 nga bashkëshortja e subjektit dhe prindërit e saj, ndërkohë që kontrata e shitblerjes në vitin 2012 është nënshkruar vetëm nga subjekti e bashkëshortja. Po ashtu, në 2011-ën, kur ata kishin lidhur martesë, kompania ndërtuese u ka kthyer një shumë prej 4.4 milionë lekësh, për arsye se apartamenti i porositur kishte sipërfaqe më të vogël dhe se punimet nuk ishin si ato të përcaktuara në kontratë. Pollozhani ka deklaruar se nuk ka kontribuar në pagesën e çmimit të apartamentit të porositur në vitin 2007.
Sipas Brahos, apartamenti i mëparshëm i porositur dhe paguar në vitin 2007 nga bashkëshortja e prindërit e saj, nuk mbulohej me burim të ligjshme. Ai konstatoi se nga aktet dhe shpjegimet e subjektit, nuk u arrit të provohen një pjesë e të ardhurave të bashkëshortes dhe familjarëve të saj.
Megjithatë, nisur nga fakti se këto burime janë deklaruar si të krijuara e përdorura para martese, konsiderohen prej drejtuesit të SPAK si të pamjaftueshme për të sjellë penalizim veçmas, por është çmuar të trajtohen në vlerësimin e përgjithshëm të kriterit të pasurisë.
Në vijim, Braho u ndal në shumën 4.4 milion lekë të deklaruar se është dhënë prej shoqërisë ndërtuese pasi apartamenti i dorëzuar ishte më i vogël dhe nuk plotësonte kriteret e dakordësuara në 2007-ën. Sipas Brahos, dhënia e kësaj shume prej shoqërisë ndërtuese, që përbënë 30% të vlerës së apartamentit, është deklaruar në vitin 2011, kur subjekti kishte lidhur martesë me bashkëshorten.
Në vijim, Braho konstatoi se diferenca mes çmimit të paguar në vitin 2007 kur është lidhur kontrata e porosisë me atë të shitblerjes në vitin 2012, është 2.1 milionë lekë dhe jo 4.4 milionë lekë sa ka deklaruar subjekti se ka kthyer shoqëria ndërtuese. Ai shtoi se në kontratën e sipërmarrjes nuk janë përcaktuar penalitete në rast të mospërmbushjes së dorëzimit të banesës brenda afatit 6-mujor, ashtu si ishte parashikuar.
Drejtuesi i SPAK i cilëson të pabazuara edhe pretendimet për cilësinë e punimeve, duke argumentuar në kontratën e shitblerjes së vitit 2012 të nënshkruar nga subjekti e bashkëshortja citohet se shitësi e dorëzon pronën në gjendje të mirë, pa të meta dhe me cilësinë e përcaktuar më parë ndërmjet palëve, ndërsa shtohet se “blerësit marrin në dorëzim pronën pa paraqitur ndonjë rezervë…”.
Braho vërejti se subjekti nuk ka paraqitur ndonjë preventiv apo ndonjë dokument tjetër provues në lidhje me punimet e pakryera, të cilat pretendon se i ka kryer ai, si dhe rezulton të ketë deklaruar shpenzime për rikonstruksion apo punime shtesë të kryera në këtë apartament. Për rrjedhojë, pretendimet e tij për investime shtesë konsiderohen në nivel deklarativ.
Në vijim, Braho nënvizoi se mbetet e paqartë se si një apartament, i cili përfundimisht është blerë në vitin 2012 me vlerën 11.7 milionë lekë, që sipas pretendimeve të vetë subjektit punimet nuk ishin të një cilësie të mirë, është shitur pas rreth dy vitesh për rreth 18 milionë lekë. Braho theksoi se se ndryshimi i çmimeve nuk mund të justifikohet nga vlera e mobiljeve të deklaruara nga subjekti në shumën 1 milionë lekë dhe as nga luhatjet e rtegut gjatë viteve 2012-2014.
“…Vlerësojmë se pretendimet e subjektit lidhur me vonesën e dorëzimit të apartamentit, ndryshimin e sipërfaqes, cilësinë e punimeve dhe materialeve, si dhe punimet e pakryera mbeten në nivel deklarativ”, tha Braho.
Nisur dhe nga konstatimi iu pamundësisë financiare për krijimin e shumës 4.4 milionë lekë, drejtuesi i SPAK vlerëson se gjyqtari Pollozhani ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të kësaj pasurie të përfituar gjatë martesës dhe gjatë ushtrimit të detyrës, e cila është deklaruar si e përfituar nga shoqëria ndërtuese, vlerë që më vonë është pretenduar si një nga burimet e krijimit të një depozite bankare në emër të subjektit.
Tjetër problem i konstatuar nga Braho ishte dhe mospasqyrimi nga ana e subjektit në deklaratat periodike të një gjendje cash në shumën 1 milion lekë. Sipas tij, përveçse nuk është deklaruar ky kursim, shuma 4.4 milionë lekë e deklaruar si burim, nuk mbulohet me burime të ligjshme. Edhe në këtë rast, drejtuesi i SPAK konkludon se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.
Braho paraqiti vlerësim të njëjtë dhe për shpenzimet e deklaruara nga subjekti se janë përdorur për mobilimin e apartamentit në vitin 2016, me argumentin se nuk mbulohen me burime të ligjshme shpenzimet dhe investimet e kryera në atë periudha. Po ashtu, konstatohet se Pollozhani ka kryer deklarime kontradiktoe, pasi ka deklaruar vlera dhe burime të ndryshme për këto shpenzuime.
Në përfundim, drejtuesi i SPAK vlerëson se Pollozhani nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.
Pollozhani deklaroi se ankimi lidhet me burimin e burimit të apartamentit që ai zotëron. Ai vërejti se nuk është konsideruar nga ana e Komisioneres Publike momenti i krijimit të apartamentit të mëparshëm, përpara martesës me bashkëshorten. Subjekti këmbënguli se i ka shpjeguar në mënyrë të detajuar fondet që kanë shërbyer për krijimin e asaj pasurie, që përbëhen nga të ardhurat e bashkëshortes para martesës nga puna si mjeke e përgjithshme e mjeke promocioni, ato nga përkthimet, si dhe të prindërve të saj nga shitja e bimëve medicinale e të ardhura të tjera të tyre.
Pollozhani solli në vëmendje se bazuar në jurispudencën e Kolegjit, provohet ligjshmëria e këtyre burimeve. Ai tha se në ankim tentohet të përfshihen datat e njohjes e të fejesës me bashkëshorten, por sipas tij në atë kohë nuk bashkëjetonin dhe aq më tepër nuk merrnin vendime të përbashkëta.
Lidhur me nënshkrimin e kontratës së shitblerjes, ai sqaroi se është përfshirë në atë kohë për arsye të situatës së gjendjes civile, si i martuar.
Në vijim, Pollozhani nënvizoi se kthimi i vlerës 4.4 milionë lekë nga shoqëria ndërtuese kishte të bënte me diferencën mes përcaktimeve në kontratën e porosisë së vitit 2007, me gjendjen që u mor në dorëzim apartamenti.
Për depozitimin e një pjese të vlerës 4.4 milionë lekë në llogarinë e tij, Pollozhani tha se kjo ishte kryer me dakordësinë e bashkëshortes.
Ai shtoi se prindërit e bashkëshortes kanë kontribuar financiarisht dhe për vajzën tjetër të tyre, për shkollimin e saj, si dhe për dy djemtë të cilëve u kanë blerë tokë që të ndërtonin shtëpi.
Subjekti theksoi se me shpjegimet dhe provat që ka dorëzuar i ka përmbysur pretendimet e ngritura në ankim për pamundësi financiare prindërve dhe bashkëshortes për pagesën e çmimit të apartamentit në vitin 2007. Ai shpjegoi se prindërit e bashkëshortes kanë pasur të regjistruar biznesin e tyre me aktivitet të pandërprerë. Po ashtu, ritheksoi se bashkëshortja ka siguruar të ardhura të mjaftueshme nga punët si përkthyese, si mjeke promocioni, ndërsa familja nga tregtimi i bimëve medicinale. “Kam paraqitur dokumente”, deklaroi subjekti duke petenduar se vërtetohen të gjitha të ardhurat e deklaruara.
Lidhur me mosdeklarimin e gjendjes cash, subjekti shpjegoi se në vitet 2011 e 2012 nuk përcaktohej në formularin e deklarimit pasqyrimi këtij lloj likujditeti.
Ai shpjegoi se depozitimi i shumës 3 milionë lekë në llogarinë e tij nga vlera 4.4 milionë lekë e kthyer nga shoqëria ndërtuese, tregon se pjesa tjetër e mbetur ka shërbyer për cash-in.
Edhe për shpenzimet për mobilimin e dy apartamenteve, subjekti pretendoi se në formulare nuk ka pasur rubrikë për të kryer një deklarim të tillë. Ai këmbënguli se vërteton se ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e mobilimit të banesave.
Në vijim, Pollozhani u ndal në gjetjen e ONM-së lidhur me vlerën 4.4 milionë lekë të kthyer nga shoqëria ndërtuese, duke shpjeguar se këto fakte ishin hetuar më së paku pesë herë dhe nuk ishin evidentuar probleme.
Ai vërejti se vëzhguesi ndërkombëtar i ka kryer përllogaritjet duke përdorur kurse këmbimi valutor të ndryshëm, që kanë sjellë dhe konstatimin e vlerave të ndryshme.
Subjekti theksoi se vetë shoqëria ndërtuese ka sqaruar se vlera 4.4 milionë lekë është kthyer pasi apartamenti nuk është dorëzuar në kohë dhe me sipërfaqen e gjendjen e përcaktuar në kontratën e porosisë.
Pollozhani kundërshtoi edhe konstatimin për shitjen e apartamentit në një vlerë të konsiderueshme më të lartë sa ishte blerë, duke pretenduar se ashtu si ishte rritur çmimi i referencës, ishte rritur dhe ai i tregut të lirë. Sipas subjektit, nuk qëndron gjetja se është bërë për përfitim.
Në përfundim, gjyqtari Ervin Pollozhani kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit për konfirmimin e tij në detyrë.
Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 15 dhjetor, në orën 15:00. /BIRN










Discussion about this post