Një student në protestën e sotme i është përgjigjur deklaratave të Ramës i cili më herët deklaroi se do të ndërpriten bursat për studentët që përfshihen në revoltë.
I riu tha se e gjitha është presion dhe se Rama po përdor çdo formë për t’u bërë presion studentëve.
“Qëllimi i kësaj proteste është që të arrijmë një jetesë standarde. Nuk është protestë luksi, ne po rrihemi për gjëra minimale. Gjithë studentët janë në një mendje, pa dorëheqjen e kryeministrit nuk tërhiqemi. Sot ai bëri një fjalim diktatorial, tha do ndërpritet bursat.
Unë mund të revoltohem të thyej një xham, më nxirr para gjykatës. A ka ndonjë ligj që dhuna në protestë të privon nga bursa? Ky është presion, por sado të mundohet ta fshehë, por ai po provon veglën e fundit për të intimiduar studentët…”, tha ai.
Një tjetër protestues që merr pjesë në protestat në Tiranë ka deklaruar se për muaj me radhë kërkesat e qytetarëve dhe protestat paqësore janë neglizhuar nga qeveria. Ai shprehet se reagimi i kryeministrit Edi Rama vjen vetëm pas përshkallëzimit të situatës në rrugët e kryeqytetit.
Në një prononcim, protestuesi tha se të rinjtë janë ndier të padëgjuar dhe të dhunuar, ndërsa theksoi se tashmë kërkesa e tyre nuk është më për dialog, por për largimin e kryeministrit nga detyra.
“Na neglizhuan tre muaj, nuk na dëgjuan, na dhunuan. Kur u bashkuam në protestë e i vumë flakën qytetit, ai do të flasë, por ne nuk duam më të flasim, tani duam dorëheqjen”, u shpreh i riu.
Deklarata vjen në ditën e shtatë të protestave të të rinjve në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Ndërsa situata mbetet e tensionuar, një pjesë e protestuesve këmbëngul se dorëheqja e Ramës është kërkesa e tyre kryesore.










Discussion about this post