Një faturë e vetme, me vlerë mbi 11 milionë euro, ka “çoroditur” rutinën ditorë të Transaksioneve të Thesarit, të kryera nga Ministria e Financave.
Është një nga ato fatura, që nuk është likujduar nga insititucionet shtetërore, edhe kur duhej paguar ndonjë faturë e majme dhe urgjente e Rindërtimit.
Në 29 janar 2024, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka kryer një pagesë në vlerë 1.104.633.014 lekë të reja, me shënimin “Implementimi i laboratorëve SMART- për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”.
Kjo faturë shkon në llogari të shoqërisë “Albscan”, e cila udhëhoqi një grup prej katër kompanish që fituan tenderin me fond limit totale 1.669.372.673 lekë të reja.
Projekti i AKSHI-t synon përmirësimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit në 100 shkolla të ciklit para-universitar.
Por, në një Shqipëri, ku cilësia e mësimdhëines në lëndët bazë ka rënien më të larta në botë sipas testimit ndërkombëtar “Pisa” dhe ku shkollat në shumicën e qyteteve po vuajnë braktisjen e lartë të nxënësve, shpenzimi mbi 15 milionë euro për laboratorë SMRT është një luks tejet i tepruar.
Tenderi luksoz
Investimi për projektin e “Implementimit të laboratorëve SMART” është parashikuar nga qeveria Rama që në fillim të vitit 2023, duke përcaktuar edhe një buxhet mbi 13 milionë euro.
Në korrik të vitit 2023, qeveria e kuptoi se fondi për këtë projekt nuk mjaftonte dhe vendosi të shtojë edhe rreth 2.7 milionë euro të tjera, me një Vendim të Këshillit të Ministrave për rialokim fondesh për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
AKSHI shpall tenderin në Korrik të vitit të kaluar. Në procedurë marrin pjesë dy konkurentë-bashkimi i operatorëve “Albscan” & “AESS”, “Sinteza Co” & “Synapse”, e cila paraqiti ofertën 1.413.000.000 lekë, si edhe kompania “Infosoft”, me ofertë 1.585.000.000 lekë.
Në Tetor 2023, AKSHI mbyll tenderin, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga “Albscan” dhe që kishte paraqitur ofertën më të ultë. Ndërsa shoqëria “Infosoft” u skualifikua nga gara, pasi, në vlerësimin e AKSHI-it, nuk plotësonte kriteret teknike për disa nga pajisjet e kërkuara në dokumentet e procedurës.
Kontrata u nënshkrua në 24 Tetor 2023 dhe vetëm tre muaj më pas, AKSHI paguan rreth 75 përqind të kontratës.
Pak ditë më parë, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se “Do të vijojmë me investimet me 216 laboratorë Smart për vitin 2024, dhe duke vijuar nga 2025, do të kemi shtrirjen e këtyre laboratorëve në 650 shkolla të tjera, gjë që do të bëjë të mundur që edukimi digjital të bëhet pjesë e kurrikulës dhe e mësimit të përditshëm të fëmijëve që në moshë të vogël, por nga ana tjetër edhe të zhvillojë mendimin kritik.”
Manastirliu, ashtu si edhe të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë, janë të prirur të flasin me superlativa për projekte futuriste, ku shpenzohen dhjetra milionë euro, por u shmangen probleme therëse të arsimit.
Dhe ato problemet jetime të arsimit në Shqipëri, u publikuan në raportin ndërkombëtar “Pisa 2023”.
PISA, “medalje turpi” për Shqipërinë
Raporti “Pisa” kryen testime periodike në të gjithë vendet e botës, për vlerësimin e nxënësve të sistemit parauniversitar në tre fusha bazë: matematikë, lexim dhe shkenca.
Për fat të keq, Shqipëria ishte vendi i parë në botë për rënien më të madhe në të tre këta komponentë në vitin 2022, krahasuar me vitin 2018.
Sipas të dhënave të testit “Pisa 2022”, të publikuara në vitin 2023, Shqipëria rezulton se ka rënie me 69 pikë, krahasuar me 4 vjet më parë.
Referuar tabelës më poshtë, rezulton se Shqipëria ka rënien më të madhe në botë në këtë lëmë. Por jo vetëm këtu.
Në fushën e leximit, Shqipëria mban sërish rekordin negativ botëror.
Rënia është me 47 pikë më pak se në vitin 2018, duke shënuar 338 pikë.
E njëjta situatë është edhe në testimin e “PISA-s” për lëndët shkencore.
Në këtë fushë, Shqipëria ka marrë sërish “medaljen e turpit”, duke shënuar një rënie prej 41 pikësh, krahasuar me vitin 2018.
Raporti “PISA 2022” është pasqyra më realiste dhe më e ftohtë mbi gjendjen e arsimit parauniversitar në Shqipëri.
Braktisja masive e shkollave
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2021, në arsimin 9-vjeçar ishin të regjistruar 278 mijë nxënës, me një rënie vjetore 3%, ndërsa në 10 vjet, rënia ishte 34%.
Po sipas INSTAT, vitin e kaluar akademik ishin të regjistruar në arsimin e mesëm rreth 103 mijë nxënës me një rënie vjetore 4.1% dhe 31% më pak se në vitin 2020.
Ekspertët e çështjeve arsimore thonë se problemet madhore të sistemit arsimor parauniversitar janë zvogëlimi i numrit të nxënësve në nivel kombëtar, rritja e numrit të nxënësve në klasa kolektive, braktisja e përkohshme apo e përhershme e shkollës, mungesa e mjeteve didaktike, mjediseve argëtuese e sportive.
Sipas tyre, jo vetëm mësuesit, por edhe të rinjtë janë të demotivuar.
Mësuesit shkojnë në shkollë për të marrë pagën, ndërsa nxënësit thjesht se duhet të justifikojnë faktin se janë diku dhe shkolla është streha më e mirë. Mësuesit tanë janë të keqpaguar, nën trysni dhe të mbërthyer nga një drejtim shkolle, thellësisht politik dhe në shumicën dërmuese të paaftë për detyrën që u është besuar”, shtoi ai.
Qeveria “Rama” nuk ka hartuar asnjë plan apo projekt për të siguruar minimizimin e braktisjes së shkollave nga fëmijët dhe të rinjtë.
Fokusi qeveritar vijon të mbetet tek tenderat dhjetra milionë euro.
Discussion about this post