Rebani Jaupi, kryepolici që drejtoi Policinë e Tiranës gjatë periudhës Maj 2019 deri në Tetor 2021 dhe njeriu që hartoi në vitin 2020 planin për goditjen e lojërave të fatit, është pyetur në SPAK, lidhur me bisedat që ka zhvilluar biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-shefi i komisariatit Nr.2 , Oltian Bistri.
Jaupi, ka shpjeguar planin operacional ‘Fati i Lojërave’ të hartuar prej tij në 20 shkurt 2020, i cili kishte si synim goditjen e aktivitetit kriminal të organizimit të lotarive dhe basteve sportive pa leje, pastrim të produkteve të veprave penale, fshehje të ardhurash etj.
Mekanizmi i veprimit dhe ndërhyrja në terren, shpjegohet që në territorin e komisariatit të policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 Tiranë, janë planifikuar të kontrollohen gjithsej 49 subjekte.
Në 18 shkurt 2020 Oltian Bistri komunikon me Pëllumb Gjoka dhe i ka kërkuar që të bëjë kujdes ditën e nesërme pasi policia do zhvillojë aksion për lojërat e fatit, ai ka dërguar mesazhet si më poshtë:
‘….Nesër mos e hap. Këto dy tre ditë. Mos i thuaj njeriu. Po dy tre ditë. Nesër ka aksion nga operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty tek ty, do të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur….’.
Ndërkohë 1 ditë më pas në 19 shkurt Bistri i kërkon Pëllumb Gjokës po lidhur me zhvillimin e aksionit për goditjen e lodrave të fatit pa licencë si më poshtë: ‘…Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet…’.
Në 20 shkurt 2020 në orën 00.00, Olti ka komunikuar sërish me Pëllumb Gjoka dhe i ka treguar se kur do bëhet operacioni i policisë për të cilin ka disa ditë që flet, ai dërgon mesazhet: ‘…E di, por tani takova të madhin edhe më tha: ‘…e shtymë për nesër në darkë ndaj…’
Në orën 19:25, Oltian i ka treguar Pëllumbit se do nisë aksioni dhe i kërkon që të bëjë kujdes dhe të fikë telefonat pasi mund të ketë veprime nga ana policisë:
‘…tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë, s’ka nevojë…’.
Ldhur me këto biseda, në 4 Prill 2024 është pyetur në SPAK ish-drejtori i Tiranës, Rebani Jaupi. Jaupi ka shpjeguar se në periudhën Maj 2019 deri më Tetor 2021 ka qenë drejtor i DVP Tiranë. Në lidhje me njohjen e tij me Oltain Bistrin, ka shpjeguar si më poshtë vijon:
‘… Oltian Bistrin, e kam njohur si person që ishte shef komisariati dhe punonjës policie, por me të kontaktin e parë e kam patur kur kam qenë drejtor i DVP Tiranë dhe kam patur një marrëdhënie institucionale, nuk kam zhvilluar marrëdhënie shoqërore me të….’.
Rabani Jaupi shpjegon edhe si është organizuar operacioni për goditjen e lojrave të fatit, ku ndër tjera deklaron si më poshtë vijon:
‘…dua të shpjegoj se rreth fillimit të vitit 2020, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sektori kundër krimit ekonomik, ka referuar një procedim penal në Prokurorinë e Tiranës për goditjen e aktivitetit të jashtëligjshëm të lojërave të fatit, më së shumti vënia e basteve sportive si në ambiente dhe në aparatura online. Ky procedim ndiqej nga oficerë të policisë gjyqësore të DVP Tiranë të seksionit të krimit ekonomik. Duke qenë se gjatë hetimit rezultoi se ky aktivitet ishte shtrirë edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë, në hetim u përfshi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Unë vetë nuk kam qenë i përfshirë në hetim, por kam qenë i përfshirë në rakordimin e veprimeve me të gjithë komisariatet. Ky hetim di që ka përdorur metoda speciale hetimi dhe janë përfshirë shumë burime njerëzore….’.
I pyetur lidhur me mënyrën se si është vendosur momenti i ndërhyrjes dhe i ndalimeve, Rebani Jaupi ka shpjeguar:
‘…kur është vendosur nga prokuroria që do bëhet goditja dhe ndalimi i personave, është bërë në një kohë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, na ka dhënë secilës drejtori nga një zarf të mbyllur ku ishin personat dhe subjektet që do u ndalonin. Me sa kujtoj ka qenë ditën që janë ekzekutuar masat. Kujtoj që masat dhe kontrollet janë kryer në orët e mbrëmjes, dhe unë një orë para se të niste operacioni, kam thirrur shefat e komisariateve dhe i kam dhënë secilit një zarf me personat që ishin në territorin e atij komisariati. Më pas secili ka vijuar punën për llogari të vetë….’.
Momenti kur janë ekzekutuar masat dhe ka vijuar operacioni i shpjeguar nga Rebani Jaupi, përputhet edhe me bisedën e Oltian Bistrit me Pellumb Gjokën në 19:25 ku ndër tjera i thotë që ende nuk i di emrat pasi nuk ja kanë dhënë.
Kjo pasi në 22 shkurt 2020, Oltian Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës, i thotë të hapë vendin ku zhvillon lojëra fati dhe komenton lidhur me operacionin e zhvilluar kundër lojrave të fatit si dhe i tregon faktin që ende po kryhen veprime për këtë operacion.
‘…hape vk…, mos lërë roje jashtë. Shumë rëndësi i dhanë operacionit. Jo se këto ditë vazhdon prap operacioni ndaj lëre larg….’.
Kjo bisedë, duke marrë parasysh edhe atë të datës 28 dhjetor 2020 midis personave, krijon bindjen se Oltian Bistri ka qenë në dijeni se ku zhvillohen lojërat e fatit pa licencë dhe me dashje ka lejuar këtë aktivitet.
Në një aktivitet të ligjshëm të licencuar nuk ka patur arsye të mbyllej apo ruhej nëse policia do zhvillonte operacione për lojëra fati.
Ndërkohë në datën 23 shkurt 2020, Olti Bistri komunikon me Pellumb Gjokën dhe i tregon se një pikë lojërash fati nuk mund të vazhdojë të kryejë aktivitet pasi Oltianit, ja kanë vënë në dukje eprorët e tij, ai dërgon mesazhet:
‘…O vlla keq puna me këto. Më thirrën lart, se mbajmë dot pikën aty. A t’ju q*sh ropt këtyre. Se di. Më duket se është interesuar Leshi vetë, por mos fol me asnjë. Lidhje shoqërore e jotja etj. Sigurohu që s’të ndjek njeri dhe eja lart tek fshati SOS pallati i brigadave te hoteli i Gaz Brahja….’.
Gjithashtu në 24 shkurt 2020, Oltian Bistri, i ka shkruar Pëllumb Gjokës, lidhur me një problem që i ka lindur për të hequr një marrëdhënie të papërcaktuar në bisedë dhe se pasojat nuk janë të mëdha pasi siç ka shpjeguar vetë në bisedë njëra ka qenë e Pëllumb Gjokës dhe tjetra janë dy tavolina.
Ai ka dërguar mesazhet: …ça ti bësh…vetëm ty të kisha…nja dy tavolina kam…ato i heq se si kam problem…V.K…’.
/OraNews/
Discussion about this post