Organizata ndërkombëtare “Emergency” kërkon mbylljen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për kushtet e trajtimit të personave të ndaluar në qendrën e Gjadrit, përdorimin e medikamenteve psikotrope dhe kufizimin e të drejtave të tyre.
Shqetësimet janë bërë publike nga Emanuele Longo, koordinator mjekësor i Programit të Emergency në Itali, pas një misioni monitorimi në qendrat e emigrantëve në Shqipëri, të organizuar nga Tavolo Asilo e Immigrazione (TAI).
Sipas Longos, gjatë vizitës në qendrën e Gjadrit, një shtetas nga Senegali, i cili mbahej aty, ka rrëfyer se përdorimi i medikamenteve psikotrope bëhet shpesh në mënyrë të papërshtatshme. Sipas vlerësimit të tij, rreth dy në tre persona të ndaluar në këtë qendër i marrin këto medikamente.
Ai ka treguar gjithashtu historinë e tij personale, duke shpjeguar se kishte mbërritur në Itali përmes bashkimit familjar, kishte ndjekur disa vite shkollë dhe më pas kishte konvertuar lejen e qëndrimit në leje për arsye punësimi. Pas humbjes së vendit të punës, ai kishte humbur edhe lejen e qëndrimit, duke përfunduar në sistemin e Qendrave të Përhershme të Ndalimit për Riatdhesim (CPR).
Longo thekson se personat e ndaluar në këto qendra, përfshirë atë të Gjadrit, mund të mbahen deri në 18 muaj. Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, ata përballen me pasiguri, kufizim të lirisë dhe vështirësi të zgjatura për të mbajtur kontakte me avokatët dhe familjarët.
Përfaqësuesi i Emergency nënvizon se mungesa e një leje qëndrimi të vlefshme nuk duhet të justifikojë ndalimin administrativ dhe izolimin e këtyre personave, veçanërisht në kushte që, sipas tij, dëmtojnë shëndetin fizik dhe mendor.
Në përfundim, tre vite pas nënshkrimit të Protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët, Emergency përsërit kërkesën për mbylljen e qendrave në Shqipëri dhe për t’i dhënë fund këtij modeli, të cilin organizata e konsideron me kosto të papërballueshme njerëzore, sociale dhe demokratike.
Artikulli i plotë i “Ansas”
Një mur i lartë metalik, i mbikëqyrur nga forcat e rendit, rrethon Qendrën e Gjadrit në Shqipëri, e ndërtuar në kuadër të Protokollit Itali-Shqipëri për menaxhimin e personave emigrantë jashtë kufijve italianë.
Një vend që mbart histori izolimi dhe cenueshmërie, ku koha dhe hapësira janë koncepte të pezulluara dhe të pasigurta, ashtu si edhe të drejtat e njeriut.
“Kështu na e përshkroi këtë qendër një shtetas nga Senegali, i cili mbahet në Qendrën e Gjadrit”, kështu shprehet Emanuele Longo, koordinator mjekësor i Programit të Emergency në Itali, lidhur me misionin e monitorimit të qendrave në Shqipëri, të organizuar nga Tavolo Asilo e Immigrazione (TAI), ku ai mori pjesë.
“Burri na tregoi se në Qendrën e Gjadrit medikamentet psikotrope përdoren shumë shpesh në mënyrë të papërshtatshme. Sipas vlerësimit të tij, ato merren nga dy në tre persona mes atyre që mbahen në këtë qendër.
Ai na shpjegoi gjithashtu se kishte mbërritur në Itali përmes bashkimit familjar, kishte ndjekur disa vite shkollë dhe e kishte konvertuar lejen e qëndrimit në një leje për arsye punësimi. Më pas humbi vendin e punës dhe, bashkë me të, edhe lejen e qëndrimit, duke përfunduar në sistemin e Qendrave të Përhershme të Ndalimit për Riatdhesim (CPR)”, vijon Longo.
“Personat mund të mbahen në qendrat e CPR-së, si ajo e Gjadrit, deri në 18 muaj, në një gjendje pasigurie, privimi të lirisë dhe vështirësish të zgjatura për të mbajtur kontakte me avokatët dhe familjarët e tyre”, shpjegon Longo.
“Mungesa e një leje qëndrimi të vlefshme nuk mund të justifikojë ndalimin administrativ dhe izolimin e këtyre personave, aq më pak në kushte të tilla të dëmshme, të cilat shkatërrojnë shëndetin fizik dhe mendor.
Tre vite pas nënshkrimit të Protokollit, Emergency kërkon sërish mbylljen e qendrave në Shqipëri dhe tejkalimin e këtij modeli, i cili sjell kosto të papërballueshme njerëzore, sociale dhe demokratike, të analizuara edhe nga fushata ‘Renditi conto’ (Bëhu i vetëdijshëm), e promovuar së bashku me TAI”, përfundon Longo.









Discussion about this post