Në shumë dalje publike ministrja Belinda Balluku është munduar të fsheh gangrenën e aferave në këtë ministri, por raporti i fundit Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se bëmat e saj po shkojnë deri në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Auditimi në MIE për dy vitet e fundit, ndalet edhe tek çështja e parkut Fotovoltaik të Akërnisë. Kujtojmë se në datë 18 dhjetor 2020 në Gjykatën e Arbitrazhit ICSID u regjistrua kërkesa e kompanisë holandeze “Arka Energy B.V” kundër Republikës së Shqipërisë. Kompania është aksionarja e 100 për qind të kuotave të “Akërnia Solar”, e cila do të zbatonte projektin e ndërtimit të parkut fotovoltaik të Akërnisë në Vlorë. Aktualisht kjo çështje është me statusin “në pritje” për të kaluar më pas në hallkat e tjera procedurale.
Kompania e dërgoi çështjen në Arbitrazh pas refuzimit të ninistres Balluku për të nënshkruar kontratën për të cilën u shpall fituese. Pra, për ndërtimin e parkut fotovoltaik. Kompania ka kërkuar një dëmshpërblim në vlerën 110 milionë euro, por që në atë kohë ende nuk ishte e qartë se në çfarë argumentesh mbështetej padia.
Çfarë ndodhi me kontratën?
Ky projekt u kthye në këtë katrahurë për shkak të shtyrjeve të shumta të afateve për fillimin e punimeve. Në kontratën fillestare “Afatet” e vendosura për plotësimin e të gjitha “Kushteve Paraprake” duhet që të mundësonin fillimin e prodhimit të energjisë elektrike brenda 270 ditëve nga nënshkrim i saj, që është më datë 28.01.2019. Dhe me plotësimin e gjitha “Kushteve Paraprake”, palët do të nënshkruanin një marrëveshje në formën e një Akti Noterial.
Por, nënshkrimi i kontratës nuk u arrit për shkak mos darkordësimit në shtyrjen e afateve. Duket si një lojë fjalësh, por kjo aferë e Ballukut ka për të na kushtuar shtrenjtë. Në lidhje me respektimin e afateve të plotësimit të kushteve paraprake, ndërmjet palëve janë mbajtur disa komunikime shkresore. Kështu, më datë 20.10.2019, që përkon me datën e përfundimit të Kushteve Paraprake, MIE ka pranuar propozimin e Konsorciumit për shtyrjen e afatit të plotësimit të Kushteve dhe ka shtyre mbarimin me një vit (deri më datë 20.01.2020). Në përfundim edhe të këtij afati Konsorciumi i ka kërkuar përsëri ministrisë shtyrje afati prej 180 ditë. Por, këtë herë MIE, në përgjigje të këtyre shkresave, datë 31.01.2020 ka refuzuar miratimin e shtyrjes së plotësimit të kushteve paraprake dhe ka konfirmuar përfundimin e afatit të kushteve. Ky vendim bëri që kontrata përfundimtare mes palëve të mos nënshkruhej dhe “Arka Energy B.V” dërgoi çështjen në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Gjetjet e KLSH
A i plotësoi kushtet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë? KLSH ka evidentuar një sërë shkeljesh nga ana e Ballukut. Në raport thuhet se stërzgjatja e afateve nuk u bë vetëm për shkak të koncesionarit, por edhe për shkak se MIE i ka neglizhuar letrat e dërguara dhe në të shumtën e rasteve ka kthyer përgjigje me vonesë. Kështu koncesionarit i mbetej shumë pak kohë nga afati që i kishte kërkuar ministrisë. “Konsorciumi pretendon se MIE nuk u përgjigj fare ose dërgoi përgjigje të vonuara për shumë nga letrat e Konsorciumit. Pretendohet se përkundër kërkesave të përsëritura nga Konsorciumi, Ministria as nuk krijoi një ekip pune dhe as siguroi një pikë të vetme kontakti për projektin”, thekson KLSH.
Mungonte sheshi për panelet
Në letrën e saj të përfundimit, Ministria pohoi se Konsorciumi dështoi të paraqesë një plan zbatimi, pavarësisht se ky i fundit shpjegon qartë se plani nuk mund të përgatitej derisa Ministria të konfirmonte parcelën e tokës. Duheshin kryer studime të dosmosdoshme për parcelën e tokës. Por edhe këtij pretendim të koncesionarit, MIE nuk iu përgjigj, madje as nuk u ul për diskutime me palën tjetër, çka bëri që kjo e fundit t’i drejtohet Arbitrazhit.
“Ministria, pa ndonjë justifikim, pretendoi se raporti teknik i paraqitur nga Konsorciumi ishte hartuar dobët, në faze shumë të hershme dhe jo i detajuar sipas aspekteve teknike të projektit. MIE nuk e pranoi kërkesën e Konsorciumit për negociata me mirëbesim për të zgjidhur mosmarrëveshjen brenda 60 ditëve nga përfundimi i marrëveshjes, gjë që çoi në paraqitjen e Konsorciumit për arbitrazh”, thekson KLSH. Pra, dukjet sikur Belinda Balluku nuk kishte interes të ngrinte parkun fotovoltaik, por të prishte në mënyrë të njëanshme kontratën!
Ministrja nuk pyet për BERZH-in
Situata bëhet akoma më absurde kur ministrja Balluku refuzon mendimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Është pikërisht ky institucion që ka ndihmuar për hartimin e kritereve të projektit të qeverisë shqiptare për energjinë diellore dhe konkretisht të këtij tenderi. Në momentin që kompania holandeze paraqet mendimin e BERZH për parcelën e tokës që duhet për panelet, institucioni i Ballukut refuzon ta marrë në konsideratë.
“Edhe pse Konsorciumit nuk iu kërkua të justifikonte kërkesën e tij për tokë, subjekti paraqiti raporte teknike dhe gjithashtu i konfirmoi MIE se kërkesa e tij për tokë përfshinte zonën aktuale të kërkuar për ngritjen e impiantit dhe zonën shtesë të kërkuar për zbatimin e masave kompensuese nga mjedisi ndërkombëtar dhe standardi social (“Standardi i Performancës”) i miratuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“BERZH”). -MIE nuk pranoi arsyetimet e dhëna nga Konsorciumi dhe BERZH dhe refuzoi të sigurojë vendndodhjen dhe te drejtën e kalimit”, konstaton KLSH pasi ka audituar dosjen e projektit.
Rrezikohej Zona e Mbrojtur
Edhe në një pikë tjetër e KLSH evidenton se kontrata mbeti pezull dhe u zvarrit. Sipas KLSH, ministria nuk ka vërtetuar nëse punimet për projektin fotovolatik do të bëhej në një Zonë Natyrore të Mbrojtur. Në asnjë moment në kontratë nuk parashikohet nëse lejohet të ndërtohet në këtë zonë dhe cilat janë parametrat e lejuara. Parregullësia nga ana e ministrisë në këtë pikë është bërë një tjetër shkak që çështja të kalojë në Arbitrazh dhe të rrezikojë një dëm të madh ekonomik.
“Në raportin e hartuar nga grupi i punës për identifikimin e zonës ku do të zhvillohej projekti fotovoltaik, nuk është shprehur qartësisht se zona e Akërnisë është zonë e mbrojtur si park natyror kombëtar apo jo. Pra, nëse lejohet të ndërtohet në këtë zonë. Mosmarrja parasysh e këtij informacioni nga ana e grupit të punës, për zonën ku do të zhvillohej ky projekt, ka krijuar problematika, të cilat, referuar korrespondencave të mëtejshme, mund të shkojnë deri në arbitrazh ndërkombëtar, që do të bënte që ky projekt jo vetëm të mos zhvillohej, por të reflektohej edhe me humbje të konsiderueshme të fondeve buxhetore në disfavor të shtetit, në rast të fitimit të arbitrazhit nga subjekti priva”, thuhet në raportin e auditimit.
Balluku refuzonte të jepte informacion
Në lidhje me përfundimin e marrëveshjes për Zhvillimin e Projektit në mënyrë të njëanshme nga MIE, Konsorciumi “I. P. C., M. R. Ë. dhe M. L.” ka bërë kërkesë në arbitrazhin ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë. Institucioni i Presidentit të Republikës ka kërkuar zyrtarisht informacion dhe nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje. Më pas Presidenti Meta i ka kërkuar KLSH-së materialet e administruara mbi kërkesën në arbitrazhin ndërkombëtar të këtij Konsorciumit. Nga shqyrtimi i kërkesës së bërë në arbitrazhin ndërkombëtar, pretendimet e Konsorciumit ndaj MIE, konsistojnë si më poshtë:
“Sipas Marrëveshjes për Zhvillimin e Projektit nënshkruar midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Konsorciumit për zhvillimin e Impiantit Diellor 100 MË në Zonën Akërni, MIE duhej të përmbushte detyrimet e përcaktuara brenda 270 ditëve nga nënshkrimi (asnjëra prej tyre nuk është përmbushur)”. Në përfundim KLSH konstaton se këto shkelje mund të bëjnë që qeveria të humbasë në gjyqin e Arbitrazhit dhe minimalisht do të merreshin nga taksapaguesit shqiptarë 110 milionë euro, pa llogaritur këtu shpenzimet e projektit që nuk u zhvillua kurrë./ Esmeralda Hida
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post