Janë padyshim ata që kanë bindur më shumë. Kampionati Evropian bëhet i bukur kur në fushë dalin Spanja e Gjermania, dhe këto dy fuqi futbolli do të ndeshen në çerekfinale, në një klasike e vërtetë, që tifozët mund ta shohim të premten, pavarësisht se kjo mund të cilësohej si finalja e Euro 2024.
Përballja u konfirmua ndërsa “Furitë e Kuqe” ishin vërtet të furishëm ndaj Gjeorgjisë, në sfidën e fazës së 1/16-ve, ku pavarësisht tronditjes fillestare, skuadra e trajnerit De la Fuente tregoi diferencën në klas dhe fitoi 4 me 1.
Spanja na e tregoi që në sfidën e dytë se çdo të thotë ta kesh kundërshtar. Italia u ‘shkel me këmbë’, edhe pse u mund 1-0 dhe tashmë “Iberikët” kanë golaverazhin 9-1.
Gjermania gjithashtu duket e rikthyer në kohët e lavdishme. “Pancerat” kanë shfaqur formë të madhe dhe lojë të bukur në Evropian, teksa kanë regjistruar tre fitore e një barazim, 10 gola të shënuar e vetëm 2 të pësuar dhe për më tepër, për trajnerin Julian Nagelsmann realizojnë të gjithë.
Bilanci mes dy skuadrave është thuajse i barabartë, me 9 fitore të Gjermanisë, 8 barazime e 8 humbje. Më herët, padyshim që epërsia ishte për “Die Manschaft” që arritën fitore në fazat finale të turneve të mëdhenj si në Botërorin 1982, Euro 1988 e Botërorin 1994, mirëpo prej çerek shekulli tradita ka ndryshuar.
Spanja ka 4 fitore, 3 barazime e vetëm një humbje që nga viti 2000, përfshi sukseset në finalen e Kampionatit Evropian në 2008, ku fitoi me rezultatin 1 me 0, pas golit të Fernando Torres dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2010 e fituar po me rezultatin 1 me 0, kësaj here me golin e kapitenit legjendar, Carles Puyol, ndërsa kulmi u arrit në duelin e Nations League, në nëntor të vitit 2020, ku “Iberikët” luajtën “tenis”, me 4 herë kampionët e botës, duke i mundur me rezultatin e thellë, 6 me 1.
Discussion about this post