Kryebashkiaku Armando Subashi autorizoi para zgjedhjeve tenderin për blerjen e asfaltit për 3 vjet. Kështu, edhe zgjedhësit u mashtruan, edhe u mbush arka e firmës së mikut të tij “G.P.G Company”. Tenderi 2.5 miliardë lekësh ishte paracaktuar për Paqsor Buzin dhe këtë porosi e çoi në vend nënkryetari i bashkisë Vasil Bregu.
Ky i fundit ka firmosur më 30 qershor 2015, kontratën me kompaninë e Buzit me objekt “Blerje (funizim/vendosje) materialeve të nevojshme për reabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme dhe shesheve të Bashkisë Fier”.
Tenderi me vlerë mbi kufirin e lartë me fond limit 249 470 651,00 pa TVSH u shpall fillimisht më 24 janar 2025 dhe data e mbajtjes së procedurës ishte më 24 shkurt 2025. Megjithëse kishte mjaftueshëm pjesëmarrës, 7 kompani u munduan kot të bënin letrat, sepse Subashi nuk i ndahet Paqsor Buzit.
Ky i fundit u shpall fitues më 18 mars 2025 me ofertën 165 098 873,00 lekë pa TVSH.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është vlerësimi i Open Data Albania për procedurën e prokurimit. Tenderi është shënuar me ‘Flamur të kuq që është shenja e riskut të korrupsionit.
Megjithatë njëri nga pjesëmarrësit e pakënaqur e ka kundërshtuar këtë vendim. Operatori ekonomik BIBA-X SHPK ofroi ta bëjë këtë shërbim me 144 656 156 lekë pa TVSH.
Megjithëse kompania tjetër ofroi çmim më të favorshëm komisioni i Subashit e skualifikoi. Organizatorët e tenderit nuk pyetën për faktin se G.P.G. COMPANY SHPK bëri ofertë me vlerë më të lartë: 165 098 873 lekë pa TVSH.
Denoncimi në KPP i tenderit
Në mbledhjen e datës 11 prill 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim kërkesën e kompanisë “BIBA-X” shpk për shfuqizimin e vendimit komisionit të Subashit që e skualifikonte pa të drejtë.
Një nga argumentet që ka përdorur komisioni ishte largësia e Fabrikës së asfaltobetonit të BIBA-X SHPK. Objekti rezulton të ndodhet në një largësi afërsisht 54 km nga qendra e qytetit të Fierit. Ndërsa në dokumentet e tenderit, komisioni i Subashit e kishte vënë kufirin 50 km larg. Nuk duhet shkencë e madhe të kuptosh se për 4 km më shumë asfalti nuk do të ndryshojë gjendjen kimiko-fizike. Për më tepër, tani ka mjete që mund ta ruajnë asfaltin në temperaturën optimale për shtrimin e rrugëve. Shumë herë me këtë çështje është marrë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që e ka quajtur “kriter diskriminues’, pa mbështetje në ligj. Por në këtë rast edhe KPP, sa për formalitet, ka mbajtur qëndrim në krah të kompanisë së skualifikuar.
Komisioni i Prokurimit Publik me vendim Nr. 487 datë 11 prill 2025 vendosi: “Të pranojë pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “BIBA-X” SHPK në procedurën e prokurimit; Bashkia Fier të kryejë rivlerësimin e procedurës së prokurimit në përputhje me konstatimet e Komisionit të Prokurimit Publik.
Pesë ditë më vonë, Bashkia Fier e skualifikoi sërish kompaninë “BIBA-X” shpk me të njëjtat arsye si herën e parë, duke mos e përfillur “vendimin” e KPP.
Pra, për Bashkinë Fier e rëndësishme ishte që porosia për Paqsor Buzin të çohej deri në fund, pavarësisht se arka e bashkisë mund të kursente ca lekë të taksapaguesve fierakë, nëse merrte në konsideratë ofertën e skualifikuar.
Edhe Josif Gorrea në sqetullën e Paqsorit
Edhe kryebashkiaku i Divjakës i dha një dorë të madhe Paqsorit në një tender me “Flamur të kuq”. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Blerje çakëll makinerie (sp 1-100mm) për rrugë urbane dhe rurale në Bashkinë Divjakë”.
Fondi Limit i përllogaritur nga komisioni i Gorreas është 25 264 120,00 lekë pa TVSH. Për të justifikuar paratë janë futur në plan për shtresa çakëlli thuajse të gjitha rrugët kryesore të njësive administrative.
Ky tender është rutinë e përvitshme, por sivjet Gorrea ka pesëfishuar fondin, se ka rënë në lek! Në vitin 2022, tenderi i çakëllit e ka pasur fondin limit 2 678 307 lekë pa TVSH. Në vitin 2023 fondi ka qenë 6 346 416 lekë.
Dhe pasi ka miratuar këtë buxhet të madh dhe pasi i asfaltoi rrugët para zgjedhjeve, vjen super tenderi i çakëllit i cili është njoftuar në Agjencinë e Prokurimit Publik më 7 mars 2025, ndërsa fituesi është shpallur pas zgjedhjeve, më 23 maj 2025. Tenderi ka merituar “Flamurin e kuq” të korrupsionit.
Nga ana tjetër bie në sy se oferta më e lartë është paraqitur nga partneri i Paqsor Buzit në tendera Bashkim Dulla, pronar i “Boshnjaku B” shpk. Paraqitja ndarazi në këtë tender është vetëm sa për formalitet.
Për kujtesë, 12 gusht 2016, Bashkia Berat u ka dhënë Paqsor Buzit dhe Bashkim Dullës tenderin “Rikonstruksion i rrugës Stadium i Vjetër –Stadiumi i Ri, rruga Stadiumi Rruga Koli Vesho dhe sheshit para stadiumit”. Vlera e kontratës ishte 299 824 000,00 lekë
Më 18 shtator 2020, të bashkimi i kompanive të Buzit dhe Dullës mori nga Bashkia Peqin tenderin me objekt “Ndërtim i ujësjellësit për fshatrat Gjocaj, Celhakaj dhe Hashmataj, Bashkia Peqin” me fond limit 81 499 422,00 lekë pa tvsh. Pjesëmarrja e tyre të ndarë në tenderin e Bashkisë Divjakë është thjesht lojë.
Belinda Balluku, dirigjentja e tenderave elektoralë
Duek qenë se kanë efekt elektoral, për këto tendera ka qenë pa tjetër në dijeni edhe ministrja Belinda Balluku, e cila është kryetare e shtabit politik të PS-së për Qarkun Fier. Të paktën tenderin që do raportojmë më poshtë, ka qenë vetë Balluku që e ka miratuar. Nuk e besojmë se drejtori i Ujësjellësit Lushnjë, Klaidi Shkurti, ka guximin t’i japë Paqsor Buzit kontratën 5.7 miliardë lekë, 4 muaj para zgjedhjeve, pa pyetur Belindën.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Furnizimi me ujë i fshatrave Goricaj, Sopez, Senesa, Ferras, Mërtish, Këmishtaj, Spolate, Gradisht, Fier Seman, Gungas, Babunje, Babunje e re në Njësinë Gradishtë”. Fondi limit për këtë projekt me kohëzgjatje 1 vit e gjysmë është 571 515 049,00 lekë pa TVSH.
Në tender morën pjesë 5 kompani, por drejtori i Ballukut i skualifikoi 4 prej tyre dhe la vetëm “GPG Company” për vlerësim.
Kështu, pasi u eliminua konkurrenca, kontrata u nënshkrua me kompaninë e Paqsor Buzit më 13 janar 2025.
Pse Balluku mbështetet tek Paqsor Buzi?
Korrupsioni politik i “Rilindjes” me tenderat mbështetet tek një numër i vogël biznesmenësh që kanë dhënë “prova” më parë.
Biznesmeni Paqsor Buzi me selinë e kompanive në Lushnjë është i lidhur me të paktën 7 firma: G.P.G Company, Egnatia Hydropower, HIDROALBANIA ENERGJI, BETA, VELLEZERIT-TOLA, PARK SOL ENERGY dhe PAG Investment Group.
Përmes firmës së ndërtimit G.P.G Company ku është bashkëpronar, Paqsor Buzi ka marrë mbi 100 tendera me vlerë mbi 200 milionë euro, gjatë viteve të fundit.
Paqsor Buzi ka qenë një nga klientët kryesor të Fatos Tushes, kur ky i fundit ishte në krye të Bashkisë Lushnje.
Mbi 20 % të totalit të tenderave, Paqsor Buzi i ka marrë pikërisht nga Bashkia Lushnje, kryesisht me paracaktim dhe me oferta fituese në kufijtë e fondit limit, duke krijuar dyshime të forta se Tushe ishte indirekt pjesëtar në fitimet e kompanisë.
Fatos Tushe u arrestua me kërkesë të SPAK me 6 korrik 2021. Në 24 maj 2021, Tushe i ka dhënë tenderin e fundit Paqsor Buzit me vlerë 2.5 milionë euro.
Edhe Kontrolli i Lartë të Shtetit e ka përmendur disa here në raporte kompaninë e Paqsor Buzit, e cila pasi fiton tenderat në formë pazari, mashtron me zbatimin e kontratave, duke përvetësuar paratë publike me situacionet dhe faturat për punë të pakryera.
Në muajin shtator të vitit 2019, Buzi u arrestua nga policia së bashku më një grup biznesmenësh. Ata u dyshuan si të përfshirë në një skemë gjigante mashtrimi ndaj shtetit. Bëhej fjalë për mashtrim nëpërmjet tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Akuzat e ngritura ndaj tyre ishin për “krijim të skemave mashtruese me TVSH”, “falsifikimit” dhe “fshehjes së të ardhurave”. Sipas njoftimeve të policisë së asaj kohe, dëmi i shkaktuar prej tyre ndaj shtetit kapte shifrat e rreth 26 milionë eurove.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post