Disa vite më parë, Koço Kokëdhima konsiderohej si “beu i Jugut”. Biznesmen dhe botues prej shumë vitesh, Kokëdhima arriti të bëhej një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, në ditët e para të pushtetit të tij, në vitin 2013. Kokëdhima fitoi mandatin e deputetit dhe më shumë se aq. Ai siguroi edhe një status shumë të veçantë në krah të Ramës-ata të dy deklaronin se do të pleqëronin në Vuno, pasi të mbyllnin jetën aktive politike dhe profesionale. Por atyre ditëve u mbaruan kreditet. Kokëdhima u largua me stil nga Rama, ndërsa tani vijon bizneset e tij, me të mirat dhe kusuret.
Një prej këtyre kusureve është një histori e nisur shumë vite më parë, kur Kokëdhima bleu aksionet kryesore të kompanisë publike të naftës, Parkut të Punonjësve të Naftës në Patos. Ai akuzohet nga ish-bashkëpunëtorët e tij për një sërë veprash penale të kryera gjatë aktivitetit të kësaj kompanie, përfshirë pastrim parash dhe falimentin të provokuar.
Është një nga ato histori tipike, të cilat në botën e biznesit shoqërohen me batutën: “Mos pyet për milionin e parë!” Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë preu shpresat e Kokëdhimës për të mbyllur një herë e përgjithshmonë këtë telash penal, i cili po i pret rrugën të paktën prej vitit 2018.
Diçitura: Gjykata e Lartë urdhëron Prokurorinë e Fierit të hetojë Kokëdhimën për pastrim parash
Pesë vjet më parë, dy përfaqësues të kompanisë, Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj, kallëzuar penalisht Kokëdhimën për katër vepra penale: “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Falimentimit të provokuar” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Prokuroria e Fierit, e cila zhvilloi hetimet, kërkoi në gjykatën e qytetit pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale.
Gjykata e Fierit, me një vendim të qershorit 2021, rrëzoi kërkesën e prokurorisë, duke e urdhëruar që të vijojë hetimet, pasi i konsideroi të paplota. Koço Kokëdhima e ankimon vendimin në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Kjo e fundit, në Korrik të vitit 2021, e ndryshon vendimin e shkallës së parë, duke pranuar kërkesën për pushimin e hetimeve penale. Kallëzuesit Jaupaj dhe Merkaj ankohen në Gjykatën e Lartë. Pak ditë më parë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi përfundimisht se prokuroria e Fierit duhet të vijojë hetimet kundër Koço Kokëdhimës.
Historia e plotë
“Gijotina.com” ka siguruar vendimet e gjykatave për këtë çështje, e cila mund të rrezikojë seriozisht biznesmenin Koço Kokëdhima. Në datën 13.04.2018, shtetasit Shenasi Japuaj dhe Fatmir Merkaj në cilësinë e përfaqësuesave të shoqërisë A.P.N.Patos, kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, duke kërkuar fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Koço Kokëdhima, në cilësinë e administratorit të shoqërisë A.P.N-Patos.
Në datën 30.04.2018, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur mosfillimi i procedimit penal, në lidhje me kallëzimin penal të paraqitur nga ana e shtetasve Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj. Me vendimin Nr.3144, datë 09.10.2018 të Gjykatës së Apelit Vlorë është vendosur ndryshimi i vendimit Nr.1091, datë 12.06.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier duke u urdhëruar organi i prokurorisë për regjistrimin e procedimit penal që i përket kallëzimit penal të paraqitur nga shtetasit Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj.
Në këto rrethana, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur regjistrimi i procedimit penal Nr.1692 i vitit 2018, për veprat penale të “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Falimentimit të provokuar” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
.
Diçitura: Detaje nga kallëzimi kundër Kokëdhimës, sipas vendimin të gjykatës së Fierit
Të pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale, kallëzuesat Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj kanë deklaruar se, shoqëria anonime e Parkut të Naftës dhe Transportit të Punëtorëve Patos, me ortak të kallëzuarin Koço Kokëdhima dhe 314 punëtorë (të cilët përbëjnë 47% të kapitalit), ka funksionuar rregullisht sipas objektit të veprimtarisë së saj, nga viti 1996 deri në vitin 2010.
Gjatë kohës që, i kallëzuari Koço Kokëdhima ka qënë drejtues në këtë shoqëri, nuk i ka marrë mendim dhe as i ka përfshirë në bordin mbikqyrës në cilësinë e aksionerëve, me qëllim që ata të mos kishin vendimmarrje dhe përfitime ekonomike. Kallëzuesat kanë deklaruar se, ata nuk kanë patur dijeni për bilancet e shoqërisë, për fitime apo humbjet e saj, si dhe në lidhje me arsyet e falimentimit të saj. Të gjitha mjetet dhe makineritë që kanë qënë në pronësi të shoqërisë, janë shitur nga ana e personit të kallëzuar, pa marrë mendimin e aksionare dhe të ardhurat e nxjerra nga shitjet, i ka përfituar në emrin e tij.
Kallëzuesat kanë pretenduar gjithashtu se, i kallëzuari Koço Kokëdhima ka përvetësuar fondin prej 140 (njëqind e dyzetë) milionë lekë, dhënë shoqërisë A.P.N-Patos nga fondi i Entit Kombëtar të Banesave, duke i kaluar ato tek shoqëria “2K”. Me urdhrin Nr.52, datë 16.10.1995, Ministria e Financave, Drejtoria e Shoqërive Publike, është bërë e mundur transformimi i Parkut të Punonjësve të Naftës Patos në shoqërinë anonime “Parku i Punonjësve të Naftës”, e cila me vendimin Nr.12897, datë 30.10.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar si person juridik, duke fituar personalitet juridik.
Bazuar në urdhrin Nr.2/3, datë 26.10.1995, Ministria e Financave, Drejtoria e Shoqërive Publike, është zhvilluar ankandi në lidhje me privatizimin e P.P.N-Patos, ku personi i kallëzuar Koço Kokëdhima ka privatizuar 56.94 % të kapitalit të përgjithshëm të kësaj shoqërie dhe në vijim, pas lidhjes së kontratave të shitjes së aksioneve, në periudhën Prill-Korrik 1996, i kallëzuari ka blerë prej punonjësve të shoqërisë edhe 33.71 % të kapitalit të shoqërisë, duke u bërë aksioner në masën 90.66 % të kapitalit.
Me vendimin datë 26.01.2004 të Asamblesë së Jashtëzakonshme të shoqërisë P.P.N-Patos, në mënyrë unanime, është vendosur miratimi i raportit të drejtorit për shitjen e aseteve të paluajtshme të shoqërisë, vendim i cili është depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit Nr.12874/4, datë 31.03.2004 të kësaj gjykate.
Me vendimin Nr.676, datë 02.05.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur pranimi pjesërisht i padisë së ngritur nga ana e aksionarëve të shoqërisë P.P.N-Patos (ish-punonjësit e kësaj shoqërie), duke u vendosur detyrimi i shoqërisë që të informojë dhe të vërë në dispozicion të palëve paditëse kopje të të gjithë dokumentave të shoqërisë që i përkasin tre viteve financiare të fundit.
Pas kërkesës së paraqitur nga ana e Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier me vendimin Nr.5245, datë 26.03.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur çelja e procedurës së falimentit të shoqërisë “SH.A.P.P.N”, procedurë e cila është ndërprerë me vendimin Nr.597, datë 14.11.2013, për shkak se masa e falimentit nuk mjaftonte për mbulimin e shpenzimeve të kësaj procedure.
Me shkresësn Nr.7649/1 Prot., datë 22.05.2019 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier i është vënë në dispozicion organit procedues i gjithë dokumentacioni në lidhje me shoqërinë “SH.A.P.P.N”, kaluar në status pasiv në datë 23.09.2014 dhe konkretisht bilancet e viteve 1998-2010, librat e shitjeve dhe të blerjeve, vendimin e asamblesë datë 30.07.2009, si dhe konfirmimin se për këtë subjekt, nuk kanë filluar procedurat e falimentit.
Me shkresën Nr.1261/4 Prot., datë 20.02.2020 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier është informuar organi procedues, në lidhje me faktin se, pranë këtij institucioni rezulton i regjistruar tatimpaguesi “SH.A.P.P.N” sh.a, pa ofertë publike, me NIPT J72510416D, me administrator z.Vladimir Shehaj, me objekt të veprimtarisë, transportimin e punonjësve të naftës në të gjitha zonat e naftës, transport udhëtarësh, si dhe servis për tipe të ndryshme automjetesh, me datë regjistrimi 08.01.1998, me status pasiv prej datës 23.09.2004. Detyrimet tatimore të palikujduara deri në datën 17.02.2020, rezultojnë në vlerën 1.220.000 lekë.
Duke marrë në konsideratë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal, të paraqitur nga kallëzuesat Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj nga ana e organit procedues është kërkuar vënia në dispozicion e raportit të auditit pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe me shkresën Nr.322/1 Prot., datë 16.05.2019 të këtij institucioni është vënë në dispozicion njoftimi mbi kontrollin e ushtruar pranë KPTHN-Ballsh e vitit 1996, si dhe raportet e auditimit për vitet 2011, 2013, 2015 dhe 2017 në shoqërinë “Albpetrol” sh.a.
Me shkresën Nr.1384/1 Prot., datë 12.06.2019 të Entit Kombëtar të Banesave (EKB), i është bërë me dije organi procedues se, shoqëria “Parku i Punonjësve të Naftës Patos”, me anë të shkresës Nr.245, datë 15.08.1995 ka xhiruar fondin prej 7.800.000 lekë përkundrejt degës rajonale të EKB-së përmes dy urdhër-xhirimeve, datë 07.11.1995 dhe 14.11.1995. Fondi total, ne shumën 7.800.000 lekë është bërë kthim në llogarinë e shoqerisë “P.P.N.P” përmes urdhër-xhirimit, datë 26.04.1996.
Nga ana e organit procedues janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale, kallëzuesat Shenasi Jaupaj dhe Fatmir Merkaj, të cilët i kanë qëndruar pretendimeve objekt i kallëzimit penal të paraqitur nga ana e tyre, si dhe personi i kallëzuar Koço Kokëdhima dhe shtetasja Herjeta Deliaj, në cilësinë e përfaqësueses ligjore të personit të kallëzuar. Shtetasi Koço Kokëdhima ka deklaruar se, shoqëria Parku i Punonjësve të Naftës Patos, ka qënë ndërmarrje shtetërore, e cila është shndërruar në shoqëri aksionare, sipas ligjit të kohës dhe në vijim është privatizuar përmes shitjes 100 % të aksioneve të shoqërisë.
Diçitura: Koço Kokëdhima është pyetur gjatë hetimeve
Deklaruesi rezulton të ketë privatizuar 59.94 % të kapitalit dhe në vijim, në periudhën Prill-Korrik të vitit 1996, ka blerë 34 % të kapitalit nga aksionarët e shoqërisë, në përputhje me parashikimet ligjore. Ai ka qënë aksionar maxhoritar në përfafërsisht 92% të kapitalit dhe kjo shumicë i krijonte mundësinë për çdo vendimmarrje, sipas parashikimeve ligjore.
Personi i kallëzuar ka deklaruar se, çdo transaksion financiar i shoqërisë, është kryer me transparencë dhe është reflektuar në bilancet fiskale të shoqërisë, të cilat janë çertifikuar nga ekspertët kontabël të liçencuar, si dhe nga vetë administrata tatimore. Në lidhje me shitjen e aseteve të shoqërisë, personi i kallëzuar ka deklaruar se, ato janë shitur me vendime të asamblesë së shoqërisë, sipas vlerave të tregut, duke iu njohur e drejta e parablerjes punonjësve të shoqërisë, të cilët kishin qënë më parë aksionarë të saj.
Nga viti 1996 deri në vitin 2010, shoqëria ka bërë përpjekje maksimale për të përmirësuar pozitën e saj në treg, por vështirsitë për shkak të konkurëncës ndikuan në daljen e saj nga tregu. Shtetasja Herjeta Deliaj ka deklaruar se, kontratat e shitjes së aksioneve midis personit të kallëzuar Koço Kokëdhima dhe ish-aksionarëve të shoqërisë, janë realizuar sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe Ligjit Nr.7538, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.
Kjo shtetase ka deklaruar se, shuma prej 7.800.000 lekësh është kaluar nga ndërmarrja P.P.N.P në favor të Entit Kombëtar të Banesave dhe më pas, për shkak të daljes së shoqërisë me humbje, është kërkuar kthimi i saj në llogarinë e shoqërisë. Kalimi i kësaj shume përmes sistemit bankar, nga shoqëria P.P.N.P në drejtim të një subjekti tjetër tregtar, nuk përmban elementë të ndonjë vepre penale, por përfaqëson krijimin e një marrëdhënieje juridike midis këtyre dy subjekteve.
Ka rezultuar e provuar se, për të njëjtat rrethana fakti objekt i procedimit penal Nr.1692 të vitit 2018, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier janë regjistruar dhe më pas janë pushuar procedimet penale si më poshtë: (i).Së pari, në datën 06.11.1997, mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga 39 punonjës të shoqërisë P.P.N-Patos, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur regjistrimi i procedimit penal Nr.579 i vitit 1997.
Ka rezultuar se, objekt i këtij procedimi penal kanë qënë:
– Së pari, pretendimi i ngritur nga ana e kallëzuesave, se drejtori i shoqërisë P.P.N-Patos, i kallëzuari Koço Kokëdhima, nuk kishte regjistruar shoqërinë në degën e tatim-taksave, duke iu shmangur pagimit të detyrimeve tatimore;
– Së dyti, pretendimi i ngritur nga ana e kallëzuesave, se drejtori i shoqërisë P.P.N-Patos, i kallëzuari Koço Kokëdhima, kishte abuzuar me fondin e banesave prej 14 (katërmbëdhjetë) milionë lekësh, të dhëna nga Enti Kombëtar i Banesave.
Ka rezultuar se, në datën 28.12.1998, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur pushimi i procedimit penal Nr.597 i vitit 1997, me arsyetimin se, fakti nuk përbën vepër penale, vendim i cili nuk rezulton të jetë cenuar nga Prokurori i Përgjithshëm, pas ankimit të paraqitur nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
(ii).Së dyti, në datën 26.05.2008, mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga shtetasit Shenasi Japuaj, Gani Kapaj dhe Fatmir Merkaj ish-punonjës të Ndërmarrjes Shtetërore të Naftës Patos, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur regjistrimi i procedimit penal Nr.423 i vitit 2008, për veprat penale të parashikuara nga nenet 164 dhe 168 të Kodit Penal.
Ka rezultuar se, objekt i këtij procedimi penal ka qënë pretendimi i kallëzuesave se, personi i kallëzuar Koço Kokëdhima, në kundërshtim me Ligjin Nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, ka riblerë aksionet brenda shoqërisë në mënyrë të pamotivuar, duke gënjyer shumë nga aksionarët e shoqërisë, veprim të cilin e ka kryer me qëllim që numri i aksioneve të shoqërisë të zbriste nën 10%, për të ndikuar në vendimet e marra nga shoqëria.
Kallëzuesat kanë pretenduar gjithashtu se, personi i kallëzuar Koço Kokëdhima, nuk ka marrë mendim prej tyre për hartimin e dokumentacionit të shoqërisë, nuk i ka thirrur në mbledhjet vjetore të asamblesë, duke mo marrë pjesë në asnjë vendim të marrë nga shoqëria.
Ka rezultuar se, në datën 30.09.2009, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur pushimi i procedimit penal Nr.423 i vitit 2008, me arsyetimin se, fakti nuk përbën vepër penale, pasi personi i kallëzuar Koço Kokëdhima ka qënë vetëm aksioner i shoqërisë, duke mos patur pozicione drejtuese dhe nga hetimi ka rezultuar se, ky shtetas nuk rezulton të ketë ndikuar apo të ketë marrë pjesë në ushtrimin e detyrave nga ana e drejtorëve të shoqërisë, ose anëtarëve të këshillit mbikqyrës të saj.
Me vendimin Nr.618, datë 22.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur prishja e vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier “Për pushimin e procedimit penal Nr.423 të vitit 2008”, duke lënë si detyrë për organin e prokurorisë, kryerjen e një akti ekspertimi kontabël, me grup ekspertësh, si dhe administrimi i të gjithë dokumentacionit të shoqërisë, në lidhje me shitjet e kapitaleve themelore.
Në zbatim të detyrave të lëna nga gjykata, nga ana e organit të prokurorisë është vendosur kryerja e aktit të ekspertimit kontabël, më grup ekspertësh për këtë qëllim është administruar akti i ekspertimit kontabël, datë 01.03.2012, sipas së cilit, nga shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit të vënë në dispozicion, nuk konstatohet asnjë informacion që të vërtetojë devijim të të ardhurave apo shpenzimeve të deklaruara në pasqyrat financiare.
Në lidhje me pasuritë e paluajtshme, investimet dhe amortizimet e tyre, nga ana e ekspertëve është arritur në përfundimin se, nuk mund të konkludohet për vlerën fizike dhe çmimin e shitjes, pasi objektet nuk ekzistojnë aktualisht. Ka rezultuar se, pas kryerjes së detyrave të lëna nga gjykata, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier është vendosur pushimi i procedimit penal Nr.423 i vitit 2008, me arsyetimin se, nuk mund të provohet që administratorët e shoqërisë të kenë veprar në kundërshtim me ligjin dhe kompetencat e caktuara në statut, me qëllim përfitimi material për vete apo persona të tjerë
Diçitura: Gjykata e Fierit ishte e para që urdhëroi prokurorinë të vijonte hetimet për Kokëdhimën
Në përfundim të shqyrtimit të zhvilluar në seancë paraprake, në lidhje me kërkesën e paraqitur nga ana e organit të prokurorisë për pushimin e procedimit penal Nr.1692 të vitit 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin Nr.428, datë 02.06.2021, ka vendosur:
“1.Kthimin e akteve të çështjes penale Nr.520003-00605-62-2021 (347), datë 05.03.2021, që i përket procedimit penal Nr.1692 të vitit 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vazhdimin e hetimeve paraprake. 2.Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të plotësojë hetimet paraprake të këtij procedimi penal, duke kryer veprimet procedurale hetimore sipas përcaktimeve të evidentuara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi. 3.Hetimet lidhur me këtë procedim duhet të përfundojnë brenda 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve, nga data e marrjes formë të prerë të këtij vendimi. 4.Ky vendim t’i njoftohet drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier.
Pikërisht, është ky vendim i Gjykatës së Fierit, i cili është lënë në fuqi së fundmi nga Gjykata e Lartë dhe që ngarkon prokurorinë të vijojë hetimet kundër Koço Kokëdhimës.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post