Hasan Lika prej vitesh jeton përtej Atlantikut, në SHBA, por një vesh e mban gjithnjë në anën tjetër të globit për të parë se çfarë ndodh në ekipin e tij të zemrës, Partizanin, por edhe me futbollin shqiptar, për të cilin ai u investua për pjesën më të madhe të jetës së tij dhe la gjurmë që nuk shuhen. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lika tregon mbi ecurinë e “demave”, flet për Skukën dhe duelin e tij me Xhixhën, si dhe tregon skuadrën që e ka befasuar më së shumti në Superiore në këtë edicion.
Konsiderohet një sukses i madh ndërtimi i kompleksit?
Ndërtimi i kompleksit është diçka shumë e rëndësishme. Nuk është aspak e thjeshtë për një klub që të ketë bazën, që është fusha për t’u stërvitur, diçka që ka munguar për disa vite. Është shumë e rëndësishme për ekipin e parë dhe për të rinjtë. Meritat i takojnë presidentit që ka investuar për të ardhmen e Partizanit. Nuk është vetëm tani, por edhe për të ardhmen e largët. Partizani edhe kur ishte kompleksi kushtet nuk ishin të mira, mund të themi se ishin nën mesatare. Krahas rezultateve të ekipit në fushë, ndërtimi i kompleksit është gjëja më e rëndësishme. Kanë shtëpinë e tyre.
Me italianët nuk i ka shkuar mirë, por Kolela po korr sukses deri tani. E prisnit këtë ecuri të Partizanit në këtë sezon?
Nuk jam për këtë ndarjen mes italianëve dhe shqiptarëve. Në futboll kështu ndodh kur pret shumë nga dikush dhe kur nuk i jep kohën e duhur apo nxitohesh, por unë mendoj se zgjedhjet e trajnerëve janë bërë gjithnjë të mira te Partizani, jo larg pritshmërive. Kolela ka eksperiencë të konsiderueshme dhe kjo nuk është pak, pavarësisht se në Shqipëri nuk kishte drejtuar ndonjëherë ekip tjetër përveç Apolonisë.
Pritshmëria është e mirë për mënyrën se si luan. Të paktën me aq sa kam parë më ka pëlqyer në ato ndeshje. Sigurisht ka gjithnjë vend për përmirësim, por mendoj se Partizani është një ekip i mirë sot, që duhet të kërkojë të fitojë kampionatin. Mund të përfitojë edhe nga gabimet e të tjerëve. Ka një skuadër që luan e prodhon dhe në skuadër ka edhe lojtarë, që mund të zgjidhin situata në mënyrë individuale në momente të veçanta.
Mund të na përmendni ndonjë emër?
Unë mendoj se Skuka është një lojtar, i cili do të vazhdojë të kontribuojë me sukses te Partizani, aq më shumë që ka arritur ta tregojë veten në vazhdimësi. Sigurisht që është pozitive. Ka stabilitet në aspektin mbrojtës. Rruga është e mirë, por mendoj se ai ka cilësitë për të shkuar larg. Gjithmonë ka nevojë për përmirësim dhe sigurisht trajnerët e dinë ku është më së shumti dhe skuadra mund të përmirësohet edhe gjatë janarit.
Emrat nga vjet nuk ndryshojnë shumë në nivelin e cilësisë, por rezultatet po. Çfarë ka ndryshuar për mirë?
Këtë vit lojtarët e sezonit të kaluar kanë më shumë eksperiencë. Tani kanë përvojë mbi supe. Koha ka kaluar dhe ata janë mbledhur si skuadër në lidhje me bashkëpunimin. Gjithashtu kanë përfituar edhe nga ecuritë jo të mira të skuadrave të tjera pretendente, të cilat nuk kanë paraqitur atë që duhet të paraqisnin.
Si e shihni strategjinë e zgjedhur së fundmi nga klubi për t’u besuar më shumë të rinjve?
Gradualisht ka ardhur koha që t’i besohet dhe të punohet për të rritur futbollistë. Në fillim Partizani pas rikthimit në Superiore punonte më shumë për të ndërtuar një skuadër të suksesshme dhe kërkonte lojtarë me eksperiencë. Me kalimin e kohës politikat e klubit ndryshojnë dhe është shumë mirë që vazhdon dhe u krijon mundësinë e u jep besim të rinjve. Është shumë pozitive sepse garanton për të ardhmen.
Përse nuk po i ecën Partizanit në derbi dy vitet e fundit?
Nganjëherë në derbi fiton ai që bën golin, jo ai që luan. Tirana sigurisht që ka bërë më mirë, sidomos vjet, dhe i ka fituar derbet. Ndoshta është përkohësisht momenti i Tiranës, pavarësisht se Partizani mund të paraqitet më mirë në lojë. Gjithsesi, në tërësi Partizani gjithmonë derbet i ka kaluar me sukses. Më pas fitorja varet edhe nga shfrytëzimi i rasteve.
Po fitorja me Vllazninë ishte një tregues i karakterit të ekipit?
Është diçka shumë pozitive që stafi teknik dhe drejtues i kanë besuar lojës që kanë zhvilluar dhe kanë dalë në konkluzionin që skuadra bind në lojë pavarësisht rezultatit në derbi dhe rezultati do të vinte. Kur luan mirë, sigurisht që rezultati do të vijë. Në Shkodër, më pas, loja e mirë, sidomos në pjesën e dytë, mendoj se i dha shansin Partizanit të fitonte ndeshjen.
E rëndon disi Skukën ky presion që po ushtrohet mbi të këtë sezon?
Skuka është sulmues kryesor te Partizani, ka treguar se e meriton ta veshë atë fanellë, ka shënuar rregullisht. E ka bërë mirë detyrën, mendoj se do të vazhdojë me këtë ritëm. Nuk mendoj se duhet të futet nën presion. Pastaj normalisht që lojtarëve më të mirë dhe që shënojnë rregullisht, u kërkohet që të ndihmojnë ekipin. Është normale kjo dhe unë besoj se përderisa ka arritur ta përballojë deri më tani, do ta bëjë edhe në vazhdim. Skuka është një djalë që do t’i marrë këto përgjegjësi dhe do t’i kalojë me sukses. Kam shumë besim tek ai lojtar.
Si e shihni Xhixhën në krahasim me Skukën?
Xhixhën e kam parë me kujdes kur luante te Laçi. Skuka është qendërsulmues tipik. Xhixha është lojtar shumë i mirë krahu, që është në rritje të vazhdueshme. Tani është bërë shumë më i saktë dhe shumë më tepër teknik në finalizim në krahasim me dikur. Shpejtësinë që ka pasur, tani e ka harmonizuar edhe me aftësitë teknike. Kështu që mendoj se Xhixha dhe Skuka janë dy sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar.
Cili është ekipi që ju ka befasuar për mirë në këtë sezon?
Ekipi që më ka pëlqyer më shumë në lojë, të paktën për aq sa kam parë unë, është Erzeni i Shijakut. Nuk ka pasur aspak rënie në lojë dhe ka qenë stabël gjatë gjithë kohës. Skuadër shumë kërkuese dhe e aftë me topin në zotërim. Kapllani dhe drejtuesit kanë bërë një punë shumë të mirë. Loja e asaj skuadre është në rritje dhe japin shumë siguri. /Panorama Sport/
Discussion about this post