Pas disa seancash gjyqësore maratonë në gjykatën e Elbasanit, Klemend Balili, njeriu i bërë i famshëm për trafikun e drogës nga Saranda në drejtim të Greqisë, ka mundur të ndryshojë regjimin e vuajtjes së dënimit.
Nëpërmjet një vendimi të firmosur në datën 9 korrik 2021 nga gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, i dënuari me 10 vite burgim Klemend Balili, ka dalë nga sistemi i vuajtjes së dënimit nga një burg i sigurisë së Lartë në Peqin, duke u transferuar në një burg të sigurisë së zakonshme.
Gjykata ka urdhëruar që pjesën e dënimit të mbetur, Balili ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme, ku oraret e takimeve me familjarët dhe kushtet e tjera janë më të zbutura.
Me kërkesën e Balilit, për të ndryshuar kushtet e sigurisë të vuajtjes së dënimit ka qenë dakord dhe prokurori i Elbasanit, Mustafa Turku, i cili pasi është njohur me aktin e ekspertimit të dy mjekëve, i ka pohuar gjykatës se ishte dakord për ndryshimin e sigurisë së burgut, për të dënuarin Klemend Balili.
Balili, nëpërmjet avokatit të tij kishte depozituar gati 1 vit më parë kërkesën për të dalë nga burgu i sigurisë së lartë.
Avokati ka kërkuar një gjykim të shpejtë, për të mbrojtur shëndetin e Balilit, pasi sipas tij: “…për shkak të një regjimi të ashpër në sigurinë e lartë të burgut, i dënuari ka mungesë kontakti me mjekun dhe të afërmit…”.
Avokati ka argumentuar më tej në seancë gjyqësore se qëndrimi në një burg të sigurisë së lartë, ka sjellë përkeqësimin e shëndetit të Balilit dhe ky ambient i rrezikon seriozisht jetën.
Për tu bindur lidhur me gjendjen shëndetësore të Balili, gjyqtarja Pajtime Fetahu, ka tërhequr dosjen mjekësore të Balilit në burgun e Peqinit. Për më tepër ka caktuar dhe dy ekspertët mjeko-ligjorë, Elmaz Shaqiri dhe Sokrat Meksi, të cilët kanë kryer raportin mjekësor ku evidentohet gjëndja shëndetësore e Balilit.
Duke u bazuar në këtë raport mjeko-ligjor dhe kërkesën e prokurorit të çështjes, por dhe avokatit të Balilit, gjykata e Elbasanit ka miratuar në 9 korrik 2021, ndryshimin e sigurisë së vuajtjes së dënimit për Klemend Balilin.
Balili është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite burgim për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”.
Sipas dosjes hetimore, në ditët e para të muajit Maj 2016, Klement Balili, organizoi transportin nëpërmjet detit nga Shqipëria drejt Greqisë, të një sasie të madhe kanabisi 678 kg, në marrëveshje të plotë me koordinatorin e transportit Georgios Alyfandi, asistuar nga Ksenofonda Anagnostopulo dhe dy korrierë shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët ndodheshin në det, por që sipas akuzës koordinoheshin nga toka nga Balili që qëndronte në Sarandë.
Nga këtu, po sipas dosjes së sjellë nga pala greke Balili fliste me dy numra grekë, duke dhënë urdhra për korrierët e tij dhe koordinuar veprimet me kreun e organizatës greke Georgios Alyfantis.
Në datat 5 maj 2016 dhe deri në datë 8 maj 2016 kur është bërë dhe sekuestrimi i lëndës nakotike, sipas hetimeve Balili ka mbajtur kontakte me Georgios Alyfantis, i cili ishte pritësi dhe organizuesi i pritjes së sasisë së lëndës narkotike cannabis sattiva që vinte nga Shqipëria, me varkën e drejtuar nga Petro Dalanaj.
Konkretisht identifikimi i Balilit është bërë me sms-të e mëposhtme mes Alifandis, dhe Balilit ku greku i thotë shqiptarit “…Vëllai im, dërgo numrin e pasaportës tënde…”.
Person shqiptar që deri në këto momente ishte i panjohur në 11 mars 2016, ora 13:23 i dërgon numrin “BF2613552”, që nga konfirmimi në sistemin TIMS është i Klemend Balili, lindur më 20 mars 1972 në Shqipëri, banor në Sarandë Shqipëri.