Përmbarimi Shtetëror përballet me një problem të rëndë që ka prekur familjet e divorcuara: Prindërit nuk zbatojnë vendimet e gjyqit! Rreth 8 mijë prindër nuk paguajnë pensionin ushqimor, ndërsa 1300 dosje presin në Përmbarim për çështjen “Takim me fëmijët”. Janë vetëm 59 përmbarues në të gjithë vendin që duhet të përballojnë dhe vendosin drejtësi e barazi në këto çështje familjare. Sipas një auditimi të KLSH, Shërbimi Përmbarimor nuk arrin që të zbatojë në afat vendimet, sidomos ato që lidhen me çështjet e divorcit.
Kush e paguan psikologun në “takimet me fëmijët”?
Reforma në drejtësi solli implementimin e disa akteve ligjore, të cilat patën efekt pozitiv për qytetarët. Një ndër këto akte ishte edhe Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili ka si qëllim të ofrojë ndihmë juridike falas për të siguruar akses të barabartë të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë. Ndër të tjera, kjo ndihmë konsiston edhe në përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore, shpenzimeve gjyqësore dhe nga detyrimi për parapagim të tarifave të vënies në ekzekutim të Urdhrave të ekzekutimit për individët me të ardhura të pamjaftueshme.
Megjithatë ligji nuk shprehet për shpenzimet e tjera përmbarimore. Për shembull, në rastin e ekzekutimit të vendimeve me objekt takimin e fëmijëve të mitur nga prindi jokujdestar (pas divorcit bashkëshortor), nevojitet prezenca e një eksperti psikolog që asiston procesin, në zbatim të nenit 523 të Kodit të Procedurës Civile.
Nga intervistat e zhvilluara me përmbaruesit është konstatuar që pagesa për psikologun zakonisht është mbuluar nga vetë pala kreditore. Roli i psikologut në procedurat e ekzekutimit është i domosdoshëm, por nuk janë të pakta rastet kur kreditori refuzon të parapaguajë shpenzimet për të, duke vështirësuar realizimin e ekzekutimeve me objekt “takim me fëmijë”. Në rastet e individëve me të ardhura të pamjaftueshme, zyrat e përmbarimit i janë drejtuar për ndihmë pushtetit vendor (Bashkive), të cilët kanë vënë në dispozicion punonjës socialë sipas mundësisë. Duhet mbajtur parasysh që punonjësit socialë nuk janë profesionistë të licencuar për të ushtruar rolin e psikologut, megjithatë është gjetur një zgjidhje e improvizuar për të mos penguar ekzekutimin e vendimeve të kësaj natyre.
Prindërit e ndarë që nuk paguajnë pensionin ushqimor
Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ndjek veprimet procedurale për realizimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, brenda afatit ligjor të arsyeshëm, me objekt “pension ushqimor”, “takim me fëmijë”, “kujdestari fëmije”, “urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes” dhe “urdhër i mbrojtjes”. Kjo është në kuadrin ligjor për barazi në martesë dhe në jetën familjare, por edhe të përmbushjes së të drejtës së kreditorit (prindit kujdestar).
Referuar të dhënave progresive për vitin 2022 rezulton një total çështjesh prej 9,455 çështjesh, nga të cilat 8,176 janë me objekt “pension ushqimor”, 1,279 çështje me objekt “takim me fëmijë” dhe 14 me objekt “kujdestari fëmije”. Nga këto, 8,117 çështje “pension ushqimor” janë në ekzekutim të vazhdueshëm, nga të cilat në 2,740 nuk shlyhet detyrimi për pamundësi paguese nga ana e debitorit dhe veprimet procedurale përsëriten në mënyrë të vazhdueshme për verifikim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tij me qëllim ekzekutimin e detyrimit, për 1,345 çështje detyrimi shlyhet pjesërisht dhe jo i plotë, gjithashtu për paaftësi paguese.
Një tjetër problem i hasur në praktikën përmbarimore rezulton edhe emigrimi i shumë prindërve të divorcuar, të cilët duke qenë larg, nuk paguajnë detyrimin ushqimor dhe nuk u rezulton pasuri e sekuestrueshme. Për rrjedhojë këto tituj ekzekutivë mbeten të pazbatuara sepse prindi debitor nuk merr pagesë papunësie, pasi është larguar dhe nuk plotëson kushtet e ligjit për ta përfituar atë. Kjo ndikon në mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm, duke çuar në mosrealizimin e të drejtës ligjore të palës së interesuar.
Çdo përmbarues ka 839 dosje në vit!
Gjatë vitit 2022, përmbarimi shtetëror ka pasur një total prej 57035 çështjesh, duke përfshirë pensionet ushqimore dhe takimet me fëmijët, të cilat janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Në këtë periudhë, 15434 çështje kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale.
Ndërkohë, gjatë vitit 2021 ka pasur një total prej 55 213 çështjesh, por vetëm 172 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Gjatë vitit 2020 ka pasur një total prej 50 983 çështjesh, ku 329 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Numri i çështjeve të ekzekutuara ka qenë i përafërt gjatë viteve në fjalë, por diferencën e bëjnë dosjet e mbartura. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e vështirësive të hasura në vendosjen e pasurive në sekuestro, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me institucionet e përfshira.
Duke marrë në konsideratë statistikat e paraqitura më lart, konstatohet se raporti midis dosjeve për ekzekutim dhe numrit faktik të përmbaruesve është jo proporcional. Konkretisht, nëse do të bëhej një pjesëtim i thjeshtë në fund të vitit 2022, rezulton se për çdo përmbarues shtetëror janë afërsisht 839 dosje në ekzekutim. Një ngarkesë e ngjashme konstatohet edhe në vitet e kaluara, ku në vitin 2020 ky raport është afërsisht 809 dosje për përmbarues dhe në vitin 2021 rreth 824 dosje për përmbarues.
Në rend kronologjik vihet re një rritje e lehtë pas çdo viti, e cila rrezikon të thellohet për shkak të dosjeve të mbartura.
Nga praktika ndër vite e shërbimit përmbarimor shtetëror sugjerohet që numri i dosjeve për secilin përmbarues mos të jetë më i madh se 200. Megjithatë, në lidhje me këtë shifër nuk ka një kriter të miratuar zyrtarisht.
Kushtet e punës: Dosjet ruhen në tualet
Problemet me infrastrukturën dhe mungesa e mjeteve të nevojshme janë konstatuar në të gjitha zyrat rajonale përmbarimore. Nga vizitat e zhvilluara në 9 zyrat rajonale rezultoi se ambientet e punës janë të vogla dhe në disa raste (si p.sh. në Berat dhe Lushnje), përmbaruesit nuk kishin një hapësirë pune të dedikuar, por iu duhej të ndanin me njëri-tjetrin tavolinën dhe mjetet e punës (kompjuterin).
Një tjetër çështje është mungesa e ambienteve të arkivës, për mbajtjen e dosjeve të përmbarimit. Përjashtim bëjnë rrethe si Vlora, Shkodra dhe Korça, të cilat kishin përshtatur zyra si ambiente arkive. Ndërkohë, në disa raste të tjera situata paraqitej më problematike. Për shembull në zyrat rajonale Lushnje dhe Berat, dosjet e arkivës mbaheshin në shkallët e ndërtesës së Gjykatës apo në tualet.
Njoftimi i debitorëve
Një tjetër problem i evidentuar në zyrat përmbarimore të Fierit dhe Tiranës, por i parashtruar gjithandej, është vështirësia e lajmërimeve për debitorët, për shkak të pasaktësive në adresa. Njoftimi shkresor bëhet nëpërmjet dorëzimit nga shërbimi postar i akteve që duhet t’i njoftohen personit debitor, kudo ku ai gjendet. Mungesa e njoftimit sjell vonesa në etapa të ndryshme të ekzekutimit të vendimeve. Një prej tyre është masa e sekuestros, e cila sipas nenit 581 të Kodit të Procedurës Civile, vendoset pasi përmbaruesi gjyqësor të ketë njoftuar me shkresë debitorin.
Vështirësitë me adresat përbëjnë një problem të njohur në vendin tonë dhe për këtë arsye, me qëllim eliminimin e vonesave të shkaktuara gjatë procesit të ekzekutimit të vendimeve, merr rëndësi primare ezaurimi i të gjitha hapave të përcaktuara në Kod për njoftimin e palëve.
Konkretisht, në një rast të shqyrtuar në zyrën rajonale Fier, kur shërbimi postar nuk arriti të njoftojë debitorin në adresën e tij, pasi ky i fundit ishte larguar, përmbaruesi kërkoi pranë gjykatës së shkallës së parë emërimin e një përfaqësuesi kryesisht për të (sipas nenit 522 të K.Pr.C). Gjykata, pasi bëri verifikimet e veta dhe ezauroi etapat për lajmërimin e debitorit, caktoi një përfaqësues brenda 10 ditëve nga kërkesa e përmbaruesit. Në lidhje me këtë rast, praktika e shërbimit përmbarimor shtetëror kishte konfuzion në interpretimin e ligjit. Kjo pasi nuk përcaktohet qartë momenti kur do të konsiderohej se debitorit nuk i dihet vendbanimi, ku më pas rrjedhimisht do t’i drejtohej gjykatës për caktimin e një përfaqësuesi kryesisht.
Kadastra bllokon vendimet e përmbaruesve
Përmbaruesi gjyqësor, në fillim të procesit të ekzekutimit, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 apo 10 ditor.
Me kalimin e afatit të lajmërimit për ekzekutim, përmbaruesi fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestro mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën e nevojshme për plotësimin e detyrimit. Megjithëse sekuestro është një nga mjetet më të rëndësishme procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve, në praktikë janë hasur shumë pengesa në realizimin e saj.
Shërbimi Përmbarimor Shtetëror, që nga shtatori i vitit 2019 është përballur me refuzimin e zyrave vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për zbatimin e urdhrave të sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme të debitorëve, me argumentin se duhet parapaguar tarifa e shërbimit.
Duke qenë se as kreditori dhe as shërbimi përmbarimor nuk kanë mundësi të parapaguajnë tarifën e urdhër sekuestros, procedura e ekzekutimit ngelet pezull. Si rrjedhojë, individët me të ardhura të pamjaftueshme pësojnë diskriminim indirekt, në rastet kur janë kreditorë të një titulli ekzekutiv.
Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk sekuestron makinat e debitorëve
Një tjetër pengesë e konstatuar është edhe sekuestro e automjeteve të debitorëve. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor argumenton se nuk është institucioni kompetent për vendosjen e sekuestros mbi dokumentacionin dhe automjetet e palëve debitorë dhe se nuk disponon fizikisht dokumentacionin përkatës, si p.sh. leje qarkullimi dhe certifikatë pronësie.
Përmbarimi kërkon nga DPSHTRR vetëm shënimin bllokues në regjistër mbi dokumentacionin e mjetit, në mënyrë që debitori të mos ketë mundësinë ta tjetërsojë atë pa përmbushur detyrimin. Dy institucionet kanë zhvilluar edhe një takim të përbashkët në datën 09.01.2020 për të diskutuar çështjet në fjalë, por megjithatë nuk kanë arritur në një zgjidhje të dakordësuar. Mungesa e një marrëveshje për zgjidhjen e sekuestros së vendosur mbi automjetet ka cenuar veprimtarinë e shërbimit përmbarimor shtetëror, duke u bërë shkak për bllokimin e ekzekutimit të vendimeve në të gjitha zyrat rajonale të përfshira në auditim.
IKMT nuk e ndihmon Përmbarimin
Problem përbën edhe mungesa e gatishmërisë së Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit pranë pushtetit vendor. Në rastet kur titujt ekzekutivë kanë për objekt lirimin dhe dorëzimin e një sendi apo prishjen e një objekti, zyrat rajonale përmbarimore kërkojnë mbështetjen e IMT-ve për të vendosur në dispozicion mjetet e nevojshme (p.sh. fadroma). Megjithatë, jo gjithmonë këto të fundit janë të gatshme për të ofruar mbështetje për përmbaruesit. Shpeshherë i është dashur vetë palës kreditore të sigurojë mjetet e nevojshme me shpenzimet e veta. Ky shqetësim është shprehur edhe në komunikimet zyrtare ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Konkretisht, në zyrat rajonale ku grupi i auditimit ka zhvilluar intervista dhe pyetësorë janë konstatuar 31 dosje që hasnin pengesa të tilla.
Këtu ka vend të kujtojmë thënien e filozofit britanik të shekullit XIX Jeremy Bentham: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post