Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka përjashtuar nga radhët e policisë shefin e krimeve, pasi ky i fundit kishte një sherr me të ashtuquajturën “gangstere” e Bilishtit. Në njoftimin e policisë thuhet se “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përmbushje të një prej prioriteteve të punës, për largimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilitdo që abuzon me detyrën, bazuar në hetimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit, si dhe duke marrë shkas nga publikime në media dhe në rrjete sociale të ndryshme, ka marrë disa vendime për punonjës policie, në disa qarqe të vendit”.
Njoftimi:
Policia e Shtetit / Reagim në përputhje të plotë me ligjin, ndaj atyre punonjësve të Policisë që abuzojnë me detyrën, kryejnë vepra korruptive apo cënojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përmbushje të një prej prioriteteve të punës, për largimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilitdo që abuzon me detyrën, bazuar në hetimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit, si dhe duke marrë shkas nga publikime në media dhe në rrjete sociale të ndryshme, ka marrë disa vendime për punonjës policie, në disa qarqe të vendit.
-Komisar P. S., me detyrë Shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll, është përjashtuar menjëherë nga Policia e Shtetit, për shkelje të Kodit të Etikës së Punonjësit të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës, pasi është konstatuar në paligjshmëri administrative me detyrat funksionale të punonjësit të Policisë së Shtetit dhe ka kryer veprime arbitrare, në tejkalim të kompetencave ligjore, gjatë trajtimit të një çeshtjeje.
-Inspektor B. Z., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Forcës së Fosaçme “Shqiponja”, e DVP Dibër, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave. Policia e Shtetit është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës, për ekzekutimin e menjëhershëm të tij.
-Inspektor P. M., me detyrë Ndihmëskontrollor i Policisë Kufitare, në Portin e Durrësit, është pezulluar dhe është transferuar në një detyrë tjetër, pasi ka shkelur atributet dhe kompetencat e punonjësit të Policisë. Bazuar në të dhënat e administruara nga rrjetet sociale, ka akuza se ish-punonjësi i Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të qytetarëve që udhëtonin drejt Italisë, ka kryer veprim korruptiv ndaj një shtetaseje, për ta lejuar që të kalojë kufirin.
-Nënkomisar G. A., me detyrë Specialist i Shërbimeve Operacionale të Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
-Inspektor A. Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguron qytetarët se është i vendosur për të ndëshkuar me ashpërsi dhe pa kompromis, në zbatim të ligjit, cilindo punonjës policie që do të abuzojë me detyrën apo do të cënojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe në këtë kuadër inkurajon qytetarët dhe mediat që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke kontribuar për të patur një Polici sa më të denjë, në shërbim të tyre.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit fton qytetarët që të mbështesin edhe më shumë Policinë, pasi ajo është në shërbim të tyre. Rastet e veçuara të veprimeve të paligjshme të disa punonjësve të Policisë nuk mund të përbaltin apo të njollosin imazhin, mundin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Discussion about this post