SPAK u mor me një leje karburanti që firmosi kryebashkiaku Devollit, Eduard Duro, por po i shpëtojnë tenderat me fitues të paracaktuar. Një prej këtyre prokurimeve me shkelje është kryer së fundmi, nga Bashkia Devoll, ku favorizohet haptazi kompania e biznesmenëve Astrit Varaku dhe Luan Mema. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rehabilitimi i terreneve sportive dhe ambjenteve të shkollës “Fuat Babani” Bilisht Devoll” me fond limit 28 644 819,00 lekë pa TVSH.
Tenderi është mbajtur më 23 shtator 2025, ndërsa fituesi është publikuar më 3 nëntor 2025.

Në këtë tender morën pjesë 12 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish, tre prej të cilave janë skualifikuar menjëherë në fazën e parë. Ajo që bie në sy është se janë eliminuar dy oferta që ishin më të ulëta se ajo e kompanisë së Astrit Varakut dhe Luan Memës.

Kështu, kompania e ndërtimit “ASI INVEST” Shpk ka bërë ofertën 19,185,600 lekë pa tvsh Po ashtu edhe “NIKA” Shpk ka propozuar ta bëjë këtë punë me 19,191,730 lekë pa tvsh.
Ndërsa oferta fituese e bashkimit të operatorëve “VILDEV – CO’’ Shpk me pronare Zhuljeta Myrtollari & A.L-ASFALT Shpk e Luan Memës dhe Astrit Varakut është me vlerë: 19,425,700 lekë pa Tvsh. Megjithëse nuk është oferta më e ulët, komisioni e ka shpallur fituese më 3 nëntor 2025.

Kush është Astrit Varaku?
Biznesmeni nga Durrësi i ka bërë paratë duke zhvatur buxhetin e shtetit, jo vetëm me tendera ku favorizohet nga zyrtarë të korruptuar, por edhe duke qenë pjesë e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të pasurisë shtetërore. Më 19 tetor 2020, me vendim gjykate, prokuroria dhe policia e Durrësit arrestoi drejtorin e përgjithshëm të Hekurudhës Shqiptare, Ilir Dashi. Ka qenë prokuroria e Durrësit ajo që ka kryer hetimet për kontratën abuzive të shitjes së 14 lokomotivave për skrap, tek kompania “Al-Asfalt”, e biznesmenit Astrit Varaku.
Prokuroria thotë se Ilir Dashi në cilësinë e përfaqësuesit të Hekurudhës Shqiptare ka lidhur kontratë në 30 janar 2017, me një subjekt privat duke shpërdoruar detyrën, Kjo pasi gjendja faktike e peshës së 14 lokomotivave ishte ne sasinë e 304 ton me tepër nga kontrata që Ilir Dashi ka firmosur realisht dhe i është bërë pagesa shoqërisë nënshkruese të kontratës, duke u sjellë një dëm ekonomik shtetit, në masën e 10.523.103.36 lekë pa TVSh. Sipas hetimit të kryera nga prokuroria, skandali i shitjes së skrapit është zbuluar pas një kallëzimi të kryer nga magazinierja e hekurudhës, shtetasja Merjeme Xhetani, e cila sapo kishte zbuluar skandalin është shkarkuar dhe përjashtuar nga puna.
Nuk dihet nëse i mbylli letrat e hetimit Dashi me Varakun, por kompania “AL-Asfalt” shpk do të vazhdonte të shtonte paratë përmes procedurave korruptive. Një nga këto tendera simbol korrupsioni është kryer në gusht 2023 me firmën e ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi (aktualisht i arrestuar për korrupsion). Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Riveshje dhe sistemim asfaltim nyja Shkozet mbikalimi Plepa”, për të cilin do të shpenzohen 1.2 miliardë lekë.
Për t’ia kujtuar SPAK, po botojmë dokumentin e mëposhtëm, ku tregohet se tenderi është marrë në shkelje të ligjit mbi prokurimin.

Në kontratë tregohet se 17 firma kanë paraqitur ofertat e tyre. Por, duke i qethur të gjitha nga lista, Berberi ia fali tenderin pa garë firmës A.L-ASFALT, në pronësi të biznesmenëve të njohur për abuzime me fondet, Astrit Varaku dhe Luan Mema. Pavarësisht se një tjetër kompani kishte ofertë më ekonomike, drejtori i ARRSH nuk e përfilli këtë kriter.
Paralelisht me tenderin e bashkisë Devoll, “AL Asfalt” shpk ka marrë një tender të madh nga kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli më 19 gusht 2025. Miqtë e tij Astrit Varaku dhe Luan Mema janë favorizuar haptazi ta marrin këtë kontratë. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, këtë situatë në tenderin e Rakip Sulit e konstaton Open Data Albania. Madje tenderi është “dekoruar” me një “Flamur të kuq” që është sinjali i riskut të korrupsionit.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtim Rrugët Blloku Bathore 1-5”.
Duro ia mori dorën SPAK-ut
Kryetari i bashkisë Devoll, Eduard Duro, e ka bërë “vaksinën” e SPAK dhe mendon se tashmë është i mbrojtur. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i shpalli të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Devollit, Eduard Duro dhe katër vartësit e tij, të akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre në dhënien e një lejeje dhe autorizimi një shoqërie, për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare më 5 shkurt, SPAK kërkoi dënimin përfundimtar me nga 1 vit burg për katër të pandehurit Eduard Duro, Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Mali. Ndaj ish-administratores së njësisë Qendër Bilisht, Vojsava Bregu, u kërkua dënimi me 8 muaj burg. Ndërkohë, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit për secilin e të pandehurve, duke i vendosur ata në shërbim prove. Prokuroria kërkoi dhe caktimin e dënimit plotësues, për heqjen e të drejtës të pandehurve për të ushtruar funksione publike, për një periudhë 3-vjeçare.
Pas kësaj “fitoreje”, Duro nuk po përmbahet sidomos me tenderat. Ndoshta kryebashkiaku llogarit se e ka kaluar radhën për në SPAK!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post