Banorët e Patosit kanë dalë sot në protestë për herë të katërt kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier.
Protestuesit kundërshtojnë me forcë ndryshimet e propozuara në reformën territoriale, duke kërkuar që Patosi të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Sipas tyre, Patosi është një njësi vendore financiarisht e qëndrueshme, pa borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe me investime të rëndësishme në raport me madhësinë e saj.
Shqetësim kanë shprehur edhe pensionistët, të cilët frikësohen se pas bashkimit investimet do të përqendrohen në Fier, ndërsa problemet e Patosit do të mbeten në plan të dytë.
“Paratë dhe investimet duhet të shkojnë për të zgjidhur problemet tona këtu në Patos”, u shpreh një prej protestuesve.
Banorët kanë ngritur edhe argumentin historik, duke kujtuar lidhjen e qytetit me industrinë e naftës dhe historinë e punëtorëve të naftës.
“Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, deklaruan protestuesit.
Ata paralajmërojnë se protesta nuk do të jetë e fundit dhe se do ta përshkallëzojnë aksionin nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Sipas tyre, protesta mund të vijojë deri në bllokimin e rrugëve që lidhin zonat përreth me qendrën e Patosit.
Banorët kërkojnë ruajtjen e autonomisë lokale, investimeve dhe identitetit të Patosit si qyteti i naftëtarëve.










Discussion about this post