Partia Demokratike ka akuzuar Kryetarin e këshillit të Qarkut Lezhë, Agron Ivani, se po jep leje ndërtimi për godina shumëkatëshë, duke zaptuar çdo pjesë të bregdetit, në shkelje të hapur të ligjit.
Nga selia blu, zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli tha se Këshilli I Qarkut po merr attribute që nuk I takojnë si institucion, ndërsa referuar dokumenteve të bëra publike nga PD, pasi përfundon ndërtimi me dokumente tërësisht antiligjore, objektet legalizohen dhe nisin procedurat për shitjen e apartamenteve.
Sipas Vangjelit, përmes një skeme të tillë pasurohen qeveritarët dhe pseudo biznesmenët e Ramës, të cilët pastrojnë paratë dhe sigurisht një pjesë e mirë e tyre vendosen në qarkullim për blerjen e votave sa herë ka zgjedhje.
Deklarata:
Kryetari i këshillit të Qarkut Lezhë Agron Ivani, me anë të vendimit të tij nr.8, datë 19 Maj 2023 ka miratuar leje ndërtimi (shtyrje afati dhe ndryshim subjekti ndërtues), sipas vendimit të KRRT-së qarku Lezhë nr.24, datë 31 Mars të vitit 2009, me objekt:
“Objekt banimi dhe shërbimi 1, 8, 9, 10 kate me një kat parkim nëntokë në ishull Shëngjin Lezhë”.
Afati i kësaj leje ndërtimi është deri 31 Maj 2028.
Përveç faktit që investitori sipas kësaj lejeje është një subjekt i cili ka deklaruar një kapital 10 mijë lekë dhe ka vetëm 3 vite aktivitet tregtar aktiv, pa publikuar asnjë bilanc në QKB, përmes kësaj lejeje lëshuar nga Këshilli i Qarkut, nënshkruar nga Agron Ivani dhe specialisti i planifikimit Ferdinand Ndoj është vepruar në kundërshtim me nenet 27, 40, 59 të ligjit nr.107/2014 “Për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.
Leja e ndërtimit, dt. 13. 05. 2023 e Këshillit të Qarkut Lezhë për ’Shtyrje afati dhe ndryshim subjekti ndërtues’ është e paligjshme për disa arsye:
1- Dispozitat kalimtare të Ligjit Nr. 107/2014 ’Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, i ndryshuar’ (legjislacioni që rregullon sektorin), në pikën 1 përcakton se ”Për lejet e ndërtimit, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, përcaktuar në formularin e lejes përkatëse, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit, me kushtin që të mos kenë kaluar më shumë se 10 vjet nga data e miratimit të lejes së ndërtimit dhe subjekti të ketë paguar paraprakisht penalitetet e parashikuara nga neni 52, i ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
Leja origjinale është e dt. 31. 03. 2009, pra më shumë se 10 vjet.
2- Neni 40 i Ligjit Nr. 107/2014 ’Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, i ndryshuar’
(legjislacioni që rregullon sektorin), në pikën 6 përcakton se ”Për punimet e filluara prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe ende të papërfunduara, sipas projektit të miratuar, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejes së ndërtimit përcakton mënyrën e ndërtimit të detyruar ose vendos prishjen apo konfiskimin e ndërtimit”.
Neni 59 i Ligjit Nr. 107/2014 ’Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, i ndryshuar’
(legjislacioni që rregullon sektorin), në pikën 4 përcakton se”Zgjatja e afatit të lejes dhe ndryshimi i subjektit zbatues për lejet e ndërtimit të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhen sipas përcaktimeve të këtij ligji”.
Dhe neni 27 ‘Autoritetet përgjegjëse’, përcakton se “Autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e territorit janë: 1. Këshilli Kombëtar i Territorit. 2. kryetari i bashkisë.” dhe në asnjë rast Këshilli i Qarkut.
Pra, Këshilli i Qarkut ka kryer funksione që i përkasin autoriteteve të tjera të zhvillimit.
Këto veprime antiligjore të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë sigurisht nuk kryhen pa u vënë re nga institucionet e tjera ligjzbatuese por pjesë e kësaj skeme antiligjore dhe ndarjes së parave janë sigurisht edhe Bashkia e Lezhës, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, policia dhe prokuroria.
Me bekimin e tyre, lejohet të shkelet ligji me të dyja këmbët, duke ndërtuar godina shumëkateshe në Shëngjin, e duke zaptuar çdo pjesë të bregdetit të Shëngjinit dhe jo vetëm.
Por nuk mbaron këtu, pasi përfundon ndërtimi me dokumente tërësisht antiligjore, objektet legalizohen dhe nisin procedurat për shitjen e apartamenteve.
Kështu pasurohen qeveritarët e Ramës, dhe pseudo biznesmenët të cilët pastrojnë paratë dhe sigurisht një pjesë e mirë e tyre vendosen në qarkullim për blerjen e votave sa herë ka zgjedhje.
Partia Demokratike kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj leje ndërtimi dhe të tjerave të ngjashme me të duke kujtuar institucionet dhe shkelësit konkretë se kallzimi penal është gati….
Discussion about this post