Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka njoftuar organizimin e një marshimi solidariteti në mbështetje të studentëve, pas dhunës së ushtruar ndaj tyre. Me thirrjen “Stop dhunës ndaj studentëve”, sindikata synon të shprehë solidaritetin me të rinjtë dhe të kundërshtojë përdorimin e dhunës ndaj tyre gjatë demonstratave.
Nisma shënon një reagim edhe nga radhët e punonjësve të universiteteve, ndërsa protestat studentore dhe mënyra e ndërhyrjes së forcave të policisë vijojnë të jenë në qendër të debatit publik. Sindikata ka kërkuar respektimin e të drejtave themelore të studentëve dhe ka theksuar rëndësinë e dialogut mes institucioneve dhe komunitetit universitar për trajtimin e shqetësimeve të ngritura gjatë protestave.
Marshimi i paralajmëruar synon të përcjellë mesazhin se dhuna ndaj studentëve nuk duhet të tolerohet dhe se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen nga institucionet përgjegjëse. Në fund të deklaratës zyrtare, ata bëjnë thirrje që të ndalet dhuna edhe ndaj pengimit të gazetarve dhe operatorve të medias.
Ndërkohë, një ditë më parë, 963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike nënshkruan një deklaratë me pesë pika, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.
DEKLARATË PUBLIKE
Në solidaritet me studentët dhe në mbrojtje të punonjësve të medias.Tiranë, 19 tetor 2026. Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me studentët, gjimnazistët dhe qytetarët që protestojnë për dinjitet, të drejta dhe një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Në ditën e shtatë të protestës, kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit duhet të trajtohet me përgjegjësi politike. Mbështesim të drejtën e protestuesve për ta kërkuar këtë ndryshim në mënyrë paqësore, pa u përballur me dhunë, frikësim apo ndëshkim.
Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar të forcës nga Policia e shtetit. Kërkojmë hetim të pavarur e transparent të rasteve të denoncuara dhe përgjegjësi për çdo abuzim. Ruajtja e rendit nuk mund të justifikojë goditjet dhe trajtimin poshtërues të qytetarëve. Kundërshtojmë goditjet, kërcënimet dhe pengimin e gazetarëve, operatorëve e fotoreporterëve. Policia duhet të garantojë raportimin e lirë dhe të sigurt. Asnjë pjesëmarrës në protestë nuk ka të drejtë të sulmojë punonjësit e medias apo pajisjet e tyre. Dokumentimi i ngjarjeve është në interes të publikut dhe duhet të mbrohet.
Shprehim solidaritet me pedagogët dhe mësuesit dhe mbështesim qëndrimet e SPUSH-së dhe SPASH-it në mbrojtje të të drejtave të studentëve, nxënësve dhe punonjësve të arsimit. Kundërshtojmë presionin dhe kërcënimet politike ndaj tyre. Çdo përgjegjësi individuale duhet të përcaktohet mbi fakte dhe përmes procedurave ligjore. Dënojmë shkatërrimin e bizneseve, pronës publike dhe institucioneve artistike e kulturore. Këto veprime nuk justifikojnë dhunën ndaj protestuesve dhe nuk mund të përdoren për të shpërfillur kërkesat e tyre.
Si përfaqësues të artit, kulturës dhe medias, nuk mund të qëndrojmë spektatorë. Të rinjtë meritojnë arsim, punë dhe hapësira artistike e kulturore ku të zhvillohen. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për politikat e saj dhe t’i japë përgjigje kërkesës për ndryshim. SPAKMSH mbështet marshimin e solidaritetit të thirrur nga SPUSH më 20 tetor, ora 10:00, në sheshin përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, me mesazhin “Stop dhunës ndaj studentëve”. U bëjmë thirrje artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias të bashkohen paqësisht në mbrojtje të të rinjve dhe dinjitetit njerëzor.
Solidaritet me studentët dhe punonjësit e arsimit! Ndal dhunës dhe pengimit të gazetarve dhe operatorve të medias! Përgjegjësi institucionale dhe respekt për vullnetin qytetar! SINDIKATA E PAVARUR E ARTIT, KULTURËS DHE MEDIAS TË SHQIPËRISË. SPAKMSH.








Discussion about this post