Qeveria e Shqipërisë miratoi dje një tjetër vendim me efekt ekonomik dhe social. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi që pensioni i posaçëm shtetëror të llogaritet në masën 10 herë më të lartë se pensioni social. Efekti financiar i tij vlerësohet në shifrën e 207 milionë lekëve (1.94 milionë euro). Nga ky vendim përfitojnë nga zyrtarë e lartë të shtetit deri te familjet e atyre që kanë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Kostoja e kësaj VKM-je do të mbulohet nga buxhetit i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), ndërsa përgjegjësia rëndon mbi Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe vetë ISSH. Kujtojmë që javën e kaluar, qeveria miratoi dhënien e shtesave të pagave të muajve prill dhe maj për administratën, duke filluar të lëvrohet nga kjo javë, ndërsa pagat e reja të plota do fillojnë të jepen nga korriku. Rritja e pagave për administratën është llogarit me efekt financiar 390 milionë lekë (3.65 milionë euro).
Kategoritë që përfitojnë pension të posaçëm shtetëror
Ata që kryejnë funksione shtetërore dhe kushtetuese; universitetet, shkollat e larta, qendra e studimeve albanologjike, Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë me tituj shkenxorë; minatorët; Policia e Shtetit, FA, Garda e Republikës, Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia e Burgjeve, PMNZSH (zjarrfikësit), Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB); ish-punonjës në ndërmarrje ushtarake; ish-pilotët fluturues në pension; ish-oficerë të nëndetëseve në pension, ish-polumbarë në pension; ish-minatorë në industrinë e naftës dhe gazit dhe metalurgji; familjet me status “Dëshmori i Atdheut”.
Shuma e shtesave të pensionit të posaçëm shtetëror jo më shumë se 12-fishi i socialit
Qeveria ka përcaktuar që shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror të jetë 10-fishi i pensionit social, ndërsa shuma e tyre të mos jetë më e lartë se 12-fishi i pensionit social. “Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror të jetë sa dhjetëfishi i pensionit social, por shuma e pensionit, që i takon sipas ligjeve nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, nr. 8097, datë 21.3.1996, të mos kalojë dymbëdhjetëfishin e pensionit social”, shkruhet në VKM e titulluar “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurën e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”, të ndryshuar.
Çfarë ndodh nëse shuma e shtesave të pensionit shtetëror është sa 12-fishi i atij social?
Në rastet kur shuma e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror, me pensionet e përfituara nga ligjet e tjera e kalon dymbëdhjetëfishin e pensionit social, reduktohet shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror deri në masën që së bashku me pensionet e përfituara nga ligjet e tjera të jetë sa dymbëdhjetëfishi i pensionit social.
Rast përjashtimi
Shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendime individuale të Këshillit të Ministrave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të cilat së bashku me pensionin, që kalojnë dymbëdhjetëfishin e pensionit social, nuk janë objekt rishqyrtimi, sipas këtij vendimi.
Kush merr sipas ligjit pension të posaçëm shtetëror?
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që: kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës dhe kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.
Kush e bën propozimin për shtesë pensioni të posaçëm shtetëror?
Propozimi për shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga: personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës; Kryeministri; Kryetari i Kuvendit; Presidenti i Republikës.
Masa e përfitimit të pensionit të posaçëm shtetëror, sipas ligjit
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës;
Kush merr pension social në Shqipëri?
Për pension social kanë të drejtë të kërkojnë shtetasit shqiptarë që kanë plotësuar moshën 70 vjeç, janë me përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për pension dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Pensionit social i shtohet kompensimi i shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, si dhe kompensimi nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm.
Discussion about this post