50-vjeçari Ardian Nikulaj përcillet sot (ora 13:00) në banesën e fundit, dy ditë pasi u qëllua në një atentat në lokalin e tij dhe mbeti i vrarë. Prej vitesh Nikulaj ishte i ndarë mes biznesit dhe politikës, teksa zotëronte disa biznese në Lezhë dhe ishte zgjedhur dhe kryetar i PSD-së në këtë qytet.
Sipas të dhënave, 50-vjeçari kishte në pronësi një resort në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku gjatë verës kanë performuar këngëtarë të njohur shqiptarë dhe DJ vendas e të huaj. Lokali ishte një nga më të frekuentuarit në sezonin veror dhe më luksozët.
Ndërkohë lokali tjetër në pronësi të Nikulaj, ku ndodhi dhe vrasja ndodhet në hyrje të Shëngjinit dhe gjithashtu është shumë i frekuentuar dhe ka një pozicion të zgjedhur në zonë nga shumë vizitorë dhe turistë si vendas ashtu dhe nga Kosova.
Por 50-vjeçari kishte dhe prona e biznese të tjera që zotëronte me familjen e tij.
Nga ana tjetër Nikulaj ishte i përfshirë në politikë dhe aktiv në mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat për çdo zgjedhje lokale apo të përgjithshme që zhvilloheshin në vend.
Sipas banorëve dhe njerëzve që e njihnin, pothuajse gjithmonë rreshtimi politik i 50-vjeçarit përcaktonte dhe fituesin e zgjedhjeve, çka tregon për një peshë në politikën e zonës. Këtë radhë edhe pse me PSD, ai mbështeste kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Bashkë fitojmë”, mjekun Pashk Gjoni dhe e kishte deklaruar hapur këtë gjë para bashkëqytetarëve të tij.
Nikulaj në 2021 ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Social-Demokrate. Prej 2019-ës ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe rikandidonte sërish për në këshill në zgjedhjet e 14 Majit. Më herët ka mbajtur disa poste në administratën lokale si drejtor i OSHEE-së dhe ALUIZNI-t.
Hetimet
Pikërisht përfshirja e tij e zëshme në politikë, ka bërë që policia të mbajë një nga pistat e hetimit për vrasjen e tij motivet politike.
50-vjeçari ishte i martuar dhe babai i 4 fëmijëve. Por ajo që bie në sy është fakti se Ardian Nikulaj kishte dy gra. Kjo gjë thuhet dhe në njoftimin e vdekjes dhe të ceremoninë mortore, ku shkruhet ndër të tjera: “bashkëshorti i Rudinës dhe i Verës”. Fakt që pohohet dhe nga banorët e zonës.
Për të zbardhur ngjarjen, hetuesit janë përqendruar në dy pista, hasmëria me fisin Palaj pasi në vitin 1999, Nikulajt i kishin vrarë vëllanë dhe disa vite më pas nga Palajt janë vrarë dy anëtarë të familjes.
Po kështu 50-vjeçari kishte ndërruar mbiemrin pasi në të shkuarën njihej me mbiemrin Marku. Biznesmeni rezulton i dënuar për disa vepra penale më herët.
Ai ka qenë i dënuar me 4 muaj burg, për prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve dhe për ‘armëmbajtje pa leje’. Po kështu ka qenë i dënuar në vitin 2003, dënim të cilin e ka deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit.
Ndërkohë që në vitin 2006 është dënuar me gjobë për kontrabandë mallrash dhe falsifikim dokumentesh.
Discussion about this post