Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste ka sjellë kundërshtime brenda Asamblesë Kombëtare, e cila u mbajt me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit.
Bëhet me dije se Fatmir Xhafaj ka dalë kundër propozimit të Ramës, duke kërkuar që ndaj dy socialistëve të merren masa, por të mos shkohet deri te përjashtimi nga partia.
“Të jetë ditë e parë për të gjithë. Të marrin masa, por jo të përjashtohen”, mësohet të jetë shprehur Xhafaj gjatë diskutimeve.
Qëndrimi i tij vjen pasi Rama kërkoi që përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës t’i nënshtrohet votimit në Asamble. Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar as replikat mes kryeministrit dhe Spiropalit, ndërsa Ndreca, i cili është edhe avokati i Erion Veliajt, nuk ka qenë i pranishëm.
Ndërkohë, Rama ka mbajtur një qëndrim tjetër për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke kundërshtuar përjashtimin e tij me argumentin se “i ka duart e lidhura”, për shkak të situatës së tij ligjore.










Discussion about this post