Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund ta japin të gjithë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, sipas propozimit që kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se do t’i paraqitet qeverisë.
Mickoski deklaroi se pjesa teorike e provimit mund të zhvillohet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë kryer studimet, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten. Ndërsa pjesa praktike, ku simulohen proceset gjyqësore penale dhe civile, do të mbahet vetëm në maqedonisht.
Ky propozim nuk e përmbush kërkesën e studentëve shqiptarë, të cilët prej muajsh kërkojnë që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe.
Askush nuk na ka shpjeguar bindshëm pse provimi nuk mund të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe”, deklaroi përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi.
Ai ngriti edhe pyetjen se përse kandidatëve nuk u lejohet të paktën t’i japin përgjigjet në shqip gjatë pjesës praktike. Sipas Ademit, edhe kjo mundësi është refuzuar gjatë takimit me përfaqësuesit institucionalë.
Studentët e konsiderojnë propozimin një përmirësim krahasuar me variantet e mëparshme, por kërkojnë shpjegime ligjore, afate konkrete dhe garanci për zbatimin e një zgjidhjeje të plotë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë shqiptar, Bekim Sali, deklaroi se qeveria po punon për një zgjidhje që do të përfshijë edhe provimet e tjera profesionale.
“Kjo çështje po zgjidhet. Madje, jo vetëm për këtë provim, por edhe për provimet e tjera të kësaj natyre”, tha Sali, duke ia atribuuar përgjegjësinë për situatën qeverisjes së mëparshme.
Propozimi u kundërshtua edhe nga Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës, e cila akuzoi qeverinë se po e vendos gjuhën shqipe në të njëjtin nivel me gjuhët e huaja.
gijotina.com/










Discussion about this post