Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe ish-deputetin Bujar Muça, vëllai i Luan Muçës, i njohur si drejtues i “Delta Group”. Muça është përfshirë në listën e personave të kërkuar që prej ditës së djeshme, ndërsa ende nuk është bërë e qartë se çfarë roli dyshohet se ka pasur në ngjarjen që po hetohet.
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor ka gjetur njolla gjaku në një prej automjeteve të sekuestruara. Ky detaj ka ngritur dyshimet se gjatë përplasjes mund të jetë plagosur edhe një person.
Për të verifikuar këtë pistë, efektivët po kryejnë kontrolle në spitalet e Fierit, Vlorës dhe Tiranës, për të parë nëse është paraqitur ndonjë person me dëmtime që mund të lidhen me ngjarjen.
Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që gjaku të jetë shkaktuar nga ndonjë dëmtim prej xhamave të thyer të automjetit dhe jo domosdoshmërisht nga një person i plagosur.
Një ditë pas përplasjes së bujshme të armatosur në Radhimë, mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, të dy kanë dhënë versionet e tyre para hetuesve për shkakun dhe dinamikën e ngjarjes. Përplasja në hotelin “Regina Palm” të Bedinajt çoi në arrestimin e pronarit të “Delta Group”, Luan Muçës, si dhe Klaudio Lleshajt, 29 vjeç, Mandrit Lleshajt, 33 vjeç, Blerim Hetës, 40 vjeç, dhe Angjelo Breshanit, 29 vjeç. Në kërkim janë shpallur gjashtë persona, mes tyre edhe Bujar Muça, vëllai i Luan Muçës, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit. Përpara hetuesve, Bedinaj dhe Muça kanë dhënë versione të ndryshme. Bedinaj ka qëndruar në deklarimin e tij të parë, duke pretenduar se konflikti lidhet me një gjobë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Muça e mohon këtë dhe e lidh përplasjen me një çështje pronësie.
Sipas dëshmisë së Vasil Bedinajt, ai kishte menduar se takimi me Luan Muçën do të zhvillohej për çështje biznesi, pasi Muça merret me tregtinë e hidrosanitareve.
“Mendova se do të takoheshim për çështje biznesi, pasi ai merret me hidrosanitare. Ndërkohë që kam qenë vetëm në ‘Regina Palm’, Luani ka ardhur dhe ka thënë: ‘Dua 5 milionë euro dhe ke afat 48 orë të zhdukesh nga Shqipëria’. Më pas, m’u afruan shumë persona dhe nuk më linin të çohesha. Punonjës të tjerë të stafit janë mbajtur nën kërcënimin e armës që të mos afroheshin. Disa prej truprojave të tij më qëlluan në kokë”, ka deklaruar Bedinaj.
Ndërkohë, Luan Muça ka mohuar akuzën, duke deklaruar se “nuk kam vendosur gjobë”. Muça, së bashku me Klaudio dhe Mandrit Lleshajn, pronarë të kompanisë së sigurisë “Swat Security”, kanë pretenduar se përplasja me Bedinajn lidhet me një konflikt mbi pronësinë e një toke.
Dyshohet se në qendër të konfliktit dyshohet se është një sipërfaqe toke në Palasë, ku parashikohet ndërtimi i një resorti nga pronari i “Delta Group”. Të dyja palët pretendojnë të drejta mbi pronën. Mësohet se Luan Muça e kishte blerë tokën dhe kishte marrë edhe dokumentacionin e pronësisë, ndërsa Vasil Bedinaj kishte blerë një sipërfaqe pranë saj, ku dyshohet se njëra prej parcelave të tij mbivendoset me pronën që, sipas pretendimeve, Muça e ka blerë dy herë. Pas përplasjes në hotel, konflikti vijoi edhe gjatë largimit të personave me automjete, me palët që ndoqën njëra-tjetrën dhe pati shkëmbim zjarri. Në “Range Rover”-in ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, u gjetën dy plumba, ndërsa një tjetër “Range Rover”, ku udhëtonin Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio e Mandrit Lleshaj, u aksidentua gjatë ndjekjes. Në këtë automjet u sekuestruan një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë. Ndërkohë, një Audi A8, në pronësi të Renato Kodrës, me targë AB 295 YB, u gjet i djegur në Radhimë; brenda tij u gjetën gëzhoja dhe gjurmë gjaku, duke ngritur dyshimet se përveç Luan Muçës dhe Mandrit Lleshajt, të dëmtuar në aksident, mund të ketë pasur edhe një person tjetër të plagosur.










Discussion about this post