Në projekt-buxhetin për vitin 2024, qeveria ka parashikuar të paguajë rreth 194 milionë euro detyrime që rrjedhin nga vendimet e Gjykatave të Arbitrazhit, ku kabineti “Rama” ka dalë humbës përballë kompanive private. Kjo shumë e parashikuar për t’u paguar për vitin e ardhshëm është një pjesë e vogël e detyrimit total që ka shteti shqiptar, pas humbjes së betejave ligjore në Gjykata Ndërkombëtare.
Por, pavarësisht kësaj, qeveria nuk ndalet në shkeljet e kontratave që ka nënshkruar vetë, duke rrezikuar të shtojë të tjera fatura të majme mbi taksapaguesit. Së fundmi, po zhvillohet një përplasje e re mes Ministrisë së Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku dhe kompanisë “A.N.K” shpk, në pronësi të familjes së ish-deputetit socialist, Ndue Kola, për nisjen e punimeve koncesionare për aksin rrugor Milot-Balldre.
Diçitura: Projekti i rrugës Milot-Balldre dhe ish-deputeti socialist, Ndue Kola
Ndryshe nga rastet e tjera, konflikti më i fundit po zhvillohet mes “Rilindësve” të Edi Ramës, me Ballukun nga njëra anë dhe biznesin e familjes së Ndue Kolës nga ana tjetër. Përfundimi-çështja pritet të shkojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ku kompania private, me shumë mundësi do të shpallet fituese dhe qeveria do të dënohet sërish me një gjobë të majme.
Përplasja Balluku- Kola
Shoqëria “ANK” shpk është krijuar në vitin 1998 nga Ndue Kola. Ai ia shet aksionet e shoqërisë vëllait të tij, Agim Kola, në vitin 2009, në kohën kur Ndueja mori mandatin e deputetit socialist. Prej asaj kohe, “ANK” është në pronësi të Agim Kolës.
Diçitura: Kontrata e shitjes së aksioneve të “A.N.K” ndërmjet Ndue Kola dhe Agim Kola
Ndërmjet shoqërisë “ANK” shpk dhe shoqërisë “Bardh Konstruksion” shpk, në cilësinë e koncesionarit, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor, është lidhur Kontrata e Koncesionit/PPP “Për Projektimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Segmentit Rrugor Milot – Balldre”, Nr. 1801 Rep, Nr. 469 Kol., datë 27.03.2019”.
Bazuar në nenin 6 të kontratës koncesionare “Kushtet paraprake”, palët kishin detyrimin të përmbushnin disa detyrime specifike përpara se të vijohej me fillimin e ndërtimit të segmentit rrugor.
Diçitura: Shpallja e fituesit të kontratës koncesionare Milot-Balldre
Neni 7 i kontratës koncesionare parashikon pasojat e mospërmbushjes së kushteve paraprake. Neni 8 i kontratës koncesionare parashikon detyrimin e shoqërisë koncesionare të mbajë të vlefshme dhe të depozitojë garancinë e kontratës në vlerën 2% të vlerës së punimeve ndërtimore të parashikuar për vitin e parë të ndërtimit.
Garancia e Kontratës mund të lëshohet nga një shoqëri sigurimi që operon në vendin tonë. Për këtë qëllim, paditësi ka paguar primin për lëshimin nga shoqëria “Sigal Uniqa Group Austria” Sh.a. të Sigurimit të Kontratës Nr. 16/TRSG21, Nr. i serisë; 062079, lëshuar më datë 08.11.2021.
Shoqëria e sigurimit “Sigal Uniqa Group Austria” Sh.a. ka kërkuar nga shoqëria koncesionare diskutimin në lidhje me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) me Nr. 1074/4 Prot., datë 13.09.2022 me lëndë “Mbi transferimin e vlerës së Sigurimif të Kontratës“.
Me shkresën nr. 09/11 prot., datë 09.11.2022, shoqëria koncesionare ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, informacionin/dokumentacionin që përbën pjesë e praktikës së këtij organi publik, në lidhje me kontratën koncesionare.
Nga ana e këtij organi publik, shoqëria koncesionare nuk rezulton që të ketë marrë ndonjë përgjigje konkrete.
Çështja në gjykatë
Në këto kushte, kompanitë koncesionare “ANK” dhe “Bardh Konstruksion i janë drejtuar gjykatës administrative të Tiranës, duke pretenduar, në mënyrë të përmbledhur se:
Ato kanë depozituar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; Garancinë e Kontratës; Projekt-zbatimin e kontratës brenda afatit ligjor; Marrëveshjen e Huasë Financiare me “Fermion Capital Management”; dokumentacionin e objekteve për shpronësim dhe të tjera detyrime sipas kontratës.
Pasi kanë dorëzuar këtë dokumentacion, kompanitë koncesionare pretendojnë se nga ana e Ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku nuk është përmbushur detyrimi për nisjen e zbatimit të kontratës.
Për shkak të mos përmbushjes së asnjë prej detyrimeve kontraktore dhe ligjore nga ana e të paditurit si autoriteti kontraktor, huadhënësi/financuesi i projektit Fermion Capital Management AG, ka paraqitur dyshimet e tij e ndoshta ka humbur besimin tek kontrata dhe serioziteti i Qeverisë Shqiptare për të zbatuar dhe përfunduar projektin.
Kjo u bë mëse evidente kur MIE ka refuzuar të vijonte me shqyrtimrn, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së drejtpërdrejtë.
Diçitura: Pjesë nga vendimi i gjykatës administrative Tiranë
Në këto kushte, kompania koncesionare kërkoi nga Gjykata Administrative e Tiranës që të detyronte Ministrinë e Infrastrukturës për vijimin e procedurave të zbatimit të Kontratës së Koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldre”, të miratuar me Ligjin nr. 52/2019, datë 18/07/2019.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Ministria e Ballukut, e mbështetur nga Avokatura e Shtetit nuk u morën me themelin e çështjes dhe me shkeljet e tyre. Ato ngritën pretendime të karakterit procedurial.
Më konkretisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Avokatura e Shtetit i kërkuan gjykatës që ta nxirrte çështjen jashtë juridiksionit të saj, pra të mos e merrte në shqyrtim. Sipas institucioneve shtetërore, konflikti mes palëve duhet të shqyrtohet nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.
Diçitura: Vendimi i gjykatës administrative, Tiranë
Këtë pretendim e mbështetën në parashikimet e kontratës. Konkretisht, neni 54.3 i kontratës parashikon se: “Kur marrëveshja nuk zgjidhet me negociata apo secila nga palët mund ta dërgojë marrëveshjen në Procesin e Arbitrazhit sipas rregullave të Arbitrazhit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (“Internacional Chamber of Commerce-ICC). …Vendi i Arbitrazhit është Parisi, (Francë) dhe gjuha e Arbitrazhit është gjuha angleze”.
Pasi dëgjoi palët, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi në 13 Shtator 2023 që të nxjerrë çështje nga juridiksioni gjyqësor. Gjykata theksonte gjithashtu që kundër këtij vendimi mund të bëhej ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.
Diçitura: Vendimi i Gjykatës së Lartë
Kompania koncesionare i drejtohet me ankim Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, në 2 Nëntor 2023, vendosi të lërë në fuqi vendimin e gjykatës administrative. Pra, përfundimisht, përplasja mes Ballukut dhe kompanisë së krijuar nga ish-deputeti socialist Ndue Kola e tashmë në pronësi të vëllait të tij, pritet të shkojë në Arbitrazh Ndërkombëtar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post