Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe arrestimin e saj.
“Janë zhvillime jo të zakonshme, madje të jashtëzakonshme, në raport me drejtësinë. Pjesa që lidhet me Ballukun ka të bëjë drejtpërdrejt me qeverinë,” u shpreh Koçi.
Ish-deputeti socialist tha se, sipas gjykimit të tij personal, reagimi institucional ndaj këtij rasti nuk ka qenë i duhuri. Ai vlerësoi se Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë ose të ishte shkarkuar, duke shtuar se mungesa e një veprimi të tillë komprometon momentin politik të qeverisë.
“Do të ishte më e udhës që ose të jepte dorëheqjen menjëherë, ose të ishte shkarkuar. Nuk e di pse nuk ka ndodhur kjo, por mendoj se është një qasje e gabuar dhe në një farë mënyre kompromenton momentin politik të qeverisë,” deklaroi Koçi.
Ai theksoi se ky qëndrim nuk përputhet me standardet e vendosura prej vitesh nga Partia Socialiste në raste të ngjashme, duke përmendur rastin e Erion Veliajt dhe situata të tjera. Koçi kujtoi se në PS ka ekzistuar një parim i qartë: kur ndaj një zyrtari nis një çështje penale, ai duhet të japë dorëheqjen dhe të pezullohet nga funksionet partiake deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Duke krahasuar rastin Balluku me atë të Veliajt, Koçi sqaroi se situatat ndryshojnë, pasi Veliaj është kryetar bashkie dhe qeveria nuk ka rol në procedimin e tij nga SPAK. Megjithatë, ai kujtoi se kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, duke kritikuar drejtësinë pa vënë në dyshim mbështetjen e mazhorancës ndaj reformës në drejtësi.
“PS ka qenë gjithmonë garantja e drejtësisë së re dhe ka mbajtur qëndrimin se ajo duhet mbështetur dhe jo penguar,” përfundoi Koçi.
Koçi u shpreh se beson dhe shpreson që Parlamenti do të votojë pro kërkesës së SPAK, duke theksuar se Kuvendi ka përgjegjësinë kushtetuese për të dhënë lejen për arrest apo për çdo masë sigurie që mund të vendoset ndaj një zyrtareje të nivelit të lartë.
“Unë besoj dhe shpresoj se Parlamenti do e votojë pro kërkesën e SPAK për lejen që duhet të japë Kuvendi për një arrest apo masë sigurie, që mund të jetë edhe arrest shtëpiak për zonjën Balluku,” deklaroi Koçi.
Koçi u shpreh se dorëheqja e Ballukut do të ishte një akt i mirëpritur dhe në përputhje me standardet që duhen respektuar në një shtet ligjor. Sipas tij, në kushtet aktuale, dorëheqja përbën një qëndrim korrekt përballë drejtësisë.
“Dorëheqja e Ballukut do ishte akt i mirëpritur, këto janë standarde. Për mua, kur flitet për trimëri, e vetmja trimëri sot është të jesh i ndershëm, të jesh i pastër dhe t’i nënshtrohesh ligjit dhe standardeve,” deklaroi Koçi.
Duke komentuar situatën politike dhe qëndrimet e opozitës, ish-deputeti socialist akuzoi PD se kërkesa për një qeveri teknike synon bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, opozita e sheh integrimin në Bashkimin Europian, të arritur nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, si një humbje politike për veten.
“Opozita do qeverinë teknike për të bllokuar integrimin në BE. Ata mendojnë se integrimi i arritur nën qeverisjen Rama është goditje për ta dhe një pasaportë që nuk duan t’ia lënë PS-së dhe Ramës,” tha Koçi, duke i cilësuar këto si “llogari shpirtngushta”.
Sipas Koçit, kur vihet në diskutim integriteti moral i një figure të lartë qeveritare, kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë moral dhe politik te mazhoranca. Ai theksoi se situata rëndohet edhe më shumë nga afera e AKSHI-t dhe zhvillimet skandaloze që lidhen me individë të përfshirë në përfitime tenderash në këtë institucion.
“Kur vihet në diskutim integriteti moral i një figure në qeveri, kjo ndikon moralisht. Këtu ka qëlluar edhe afera e AKSHI-t dhe zhvillimet skandaloze që lidhen me personazhe që kanë përfituar tendera në këtë institucion,” u shpreh Koçi.
Megjithatë, ish-deputeti socialist vlerësoi se, pavarësisht dëmit të mundshëm politik për mazhorancën, këto zhvillime përbëjnë një fitore të madhe për drejtësinë dhe interesin publik. Ai veçoi si tepër të rëndësishme zbulimin e mesazheve të Evis Berberit dhe regjistrimet e zbuluara nga zyra e Ergys Agasit.
“Unë mendoj se, pavarësisht dëmit që mund të ketë mazhoranca, ka qenë një fat i madh për drejtësinë dhe interesin publik zbulimi i mesazheve të Berberit dhe regjistrimeve të zyrës së Ergys Agasit,” deklaroi Koçi.
Sipas tij, këto zbulime janë thelbësore për funksionimin e një drejtësie më efikase dhe më të besueshme, edhe pse në afat të shkurtër mund të kenë kosto politike për Partinë Socialiste.
“Këto janë zbulime shumë të rëndësishme për një drejtësi që po bëhet më efikase, ndonjëherë pikërisht falë këtyre ngjarjeve,” përfundoi Koçi.










Discussion about this post