Që prej korrikut të vitit 2023, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, kërkon të xhirojë 2 milionë euro nga arka e shtetit në llogarinë e “Vëllezërve Hysa”. Por, aktorë të tjerë kanë hyrë në lojë dhe po e vonojnë drejtorin.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Ndërhyrje në ndërtimin e urave dhe nyjeve lidhëse Faza II’ , zhvilluar me datë 24 korrik 2023 nga autoriteti kontraktor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në atë kohë është shpallur fituese paraprake firma “VELLEZERIT HYSA” sh.p.k, pronarët e të cilës janë vënë edhe në pranga për mashtrime me tenderët.
Pikëpyetje rreth projektit
Ky tender 2 milionë euro ishte si një dhuratë nga Agolli për familjen Hysa. Është fond i madh për disa punë të papërcaktuara se në cilin vend do të ndërhyhet konkretisht.
“Vendndodhja e objekti do të bazohet në kërkesat e Njësive të Qeverisjes Vendore (NjVV) dhe vlerësimin tekniko-financiar që do të bëjë stafi i FSHZH, ku do të bëhet një listë sipas prioriteve në gjithë territorin e Shqipërisë” thuhet në dokumentet e tenderit.
Madje në preventivin e publikuar shihet se më shumë do të bëhen gërmime dhe pastrime nga barishtet, se sa ndonjë ndërhyrje e vërtetë në këmbët e e urave të rrezikuara.
Kontrata mbart një seri shkeljesh. Për këtë më datë 17 nëntor 2023, pas një ankesë të bërë në Komisioni i Prokurimit Publik u mor vendimi për anulimin e tenderit.
KPP vendosi të pranojë ankesën e operatorit ekonomik “ALBAVIA” SHPK për procedurën e prokurimit “Procedure e Hapur Marrëveshje Kuadër”. Autoriteti kontraktor u urdhërua të anulonte procedurën e mësipërme të prokurimit dhe me rihapjen e procedurës të ketë parasysh konstatimet e bëra.
“ALBAVIA” SHPK pretendonte se ofertat e tjera u skualifikuan pa të drejtë dhe se kriteret ishin hartuar sipas interesit të firmës “VELLEZERIT HYSA” sh.p.k dhe jo sipas ligjit. Pas vendimit të KPP, Agolli duhej të përmirësonte sipas ligjit, dokumentet dhe më pas të vinte në dijeni KPP për ndryshimet e bëra para se të hapte sërish garën.
Saga e vendimeve
Por, Agolli ka vazhduar këmbëngulë në vendimin e tij. Kështu më datë 30 nëntor të viti 2023 ka njoftuar se e ka zbatuar vendimin e KPP për ndryshimet dhe kërkonte të rifillonte procedurat.
Në të vërtetë asnjë ndryshim nuk ishte bërë komfort ligjit. Prandaj në 5 dhjetor 2023, KPP nxori një tjetër vendim ku thuhej “Të mos lejojë autoritetin kontraktor për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit. Autoriteti kontraktor të dërgojë në KPP dokumentet e reja të procedurës që do të ripublikojë, të modifikuara në përputhje me konstatimet e KPP-së të shprehura në vendimin Nr. 1178/2023, datë 17.11.2023. 3. Kopje e këtij vendimi i dërgohet për njoftim Agjencisë së Prokurimit Publik. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Duke justifikuar veprimet e veta Agolli dhe i ka kërkuar KPP-së që të lejojë vazhdimin e zhvillimit të këtij tenderi. Që prej më shumë se 5 muajsh Agolli kërkonte ta mbante në fuqi aferën e tij dhe në fakt, nuk zbatonte ligjin pas çdo raportimi që i bënte KPP-së.
Në 11 prill 2024, Komisioni vendosi që FSHZH të pezullojë procedurat me qëllim anulimin e tenderit dhe çështja të vazhdojë më tej me verifikime mes KPP dhe Agjencisë së Prokurimeve Publike, si institucione përgjegjëse.
“AK është ndaluar të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit dhe nuk ka asnjë udhëzim nëse duhet të pezullojë, anulojë, apo ndryshojë procedurën, ose informojë, kundërshtojë apo tjetër vendim. Në këto kushte, duke qenë se tashmë ka kaluar një kohë e konsiderueshme që kjo procedurë është e pezulluar dhe duke qenë në një situatë e veçantë, për të cilën nuk ka udhëzime apo parashikime konkrete në aktet nënligjore, do të kërkonim ç‘pezullimin e kësaj procedure me qëllim anulimin e saj nga AK dhe në vijim koordinimin trepalësh të AK, APP dhe KPP”, thuhet në vendimin e 11 prillit.
Nuk do ta besoni, por Agolli ka mbrojtur sërish me lëvizje dhe manovra tenderin, duke thënë se në disa raste vendimet e KPP nuk kanë qenë të qarta. Prandaj në mënyrë të prerë më datë 24 Prill 2024, Komisioni i Prokurimeve Publike ka vendosur që të mos lejojë Agollin të vazhdojë me procedurat e mëtejshme, si dhe të marrë në konsideratë detyrimet që ka për raportim ndaj APP dhe KPP.
Për kë po lufton Dritan Agolli?
Firma “Vëllezërit Hysa” ka qenë edhe më parë e hetuar për disa vepra madhore që janë kryer në territorin e Shqipërisë, madje administratori i kësaj firme ka qenë edhe i arrestuar kohë më parë për abuzimet në investimin e kryer në aksin Elbasan-Gjinar.
Prokuroria nisi të hetonte për abuzimet në këtë aks për shkak se 10 vjet pas nisjes së punimeve për 23 kilometra rrugë mes Elbasanit dhe Gjinarit, ajo nuk përfundoi asnjëherë dhe pjesë të ndryshme të rrugës janë dëmtuar nga rrëshqitja pas punimeve të kryera në të.
Nën akuzë ishin edhe tre administratorët e kompanive “Arifaj shpk” dhe “Vëllezërit Hysa Shpk”, Rezarta Bokçiu, Agron Hysa dhe Kujtim Hysa, si dhe kompanitë e përfaqësuara prej tyre, por çështja ndaj tyre u pushua në një proces paralel.
Administratorët akuzoheshin për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”.
Në shtator të vitit 2019, “Vëllezërit Hysa” dalin në skenë edhe për skandalin e tenderit 19 milionë euro për tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Emri i kompanisë “Vëllezërit Hysa” nuk shfaqet askund në tender, por njësoj si me skemën e “DH Albania” tek unaza e re, ajo ka përdorur 2 kompani të tjera të lidhura me të. Megjithëse kjo është një skemë mashtrimi, e ndaluar me ligj, Sonila Qato e shpalli fitues konsorciumin e kompanive “Vëllezërit Hysa”, oferta e të cilëve ishte 4 milionë euro më e lartë se konkurrentja tjetër.
Kompanitë që ka përdorur për mashtrim janë “Sulova” dhe “IRCOP”, një degë e kompanisë italiane e hapur pak ditë para tenderit. Dokumentet tregojnë se ato kanë të njëjtën adresë, të njëjtët numra telefoni me kompaninë “Vëllezërit Hysa”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post