Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku një ushtar i Forcave të Armatosura është vetëplagosur me armën e tij të shërbimit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, gjatë kohës kur efektivi me iniciale O.D. ndodhej me shërbim roje në ambientet e bazës ushtarake.
Sipas burimeve spitalore dhe atyre pranë Bazës Ajrore, ushtari ka marrë një plagë tejet të rëndë me plumb në kraharor, në afërsi të zemrës. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë për të stabilizuar parametrat jetësorë. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet kritike dhe në kushtet e shokut emocional, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të tij për mjekim më të specializuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Ushtari me inicialet O.D. kishte pak kohë që i ishte bashkuar radhëve të Forcave të Armatosura. Deri më tani mbeten ende të panjohura shkaqet dhe rrethanat e plota që e çuan efektivin drejt këtij akti, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes.










Discussion about this post