Qeveria e Kosovës është dashur t’i dëgjojë sugjerimet e vendeve partnere, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, lidhur me vendimin e saj për targat, thonë deputetë të opozitës dhe ish-diplomatë kosovarë.
Këtë mund ta bëjë edhe tani, thonë ata, edhe pse më 1 nëntor ka nisur zbatimi në faza i këtij vendimi.
Vendimi në fjalë parasheh riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës, e që konsiderohen të paligjshme. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kërkon që makinat me targa të tilla, që qarkullojnë kryesisht në veriun e banuar me shumicë serbe, të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Lexo edhe: Kosova paralajmëron përdoruesit e targave të makinave të lëshuara nga Serbia
Qeveria e Serbisë, e cila ushtron ndikim mbi serbët në veri të Kosovës, kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Verën e kaluar, çështja ka shkaktuar tensione në veri, për ç’gjë edhe është shtyrë zbatimi i vendimit për disa kohë. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar që zbatimi të shtyhet edhe për dhjetë muaj të tjerë, ndonëse kanë theksuar se Kosova ka të drejtë në këtë vendim.
Pavarësisht kësaj kërkese, Qeveria ka nisur zbatimin e planit të saj më 1 nëntor. Faza e para e tij parasheh qortimin e shoferëve me targa të paligjshme, e dyta gjobë dhe e treta targa provuese. Nga 21 prilli, sipas vendimit të Qeverisë, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa RKS.
Të enjten e 3 nëntorit, drejtori rajonal i policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq, u pezullua nga puna, për shkak të, siç u tha, refuzimit për të zbatuar planin e Qeverisë për targat.
Ky vendim i institucioneve të Kosovës u dënua nga Beogradi zyrtar, ndërsa Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës – paralajmëroi braktisjen e institucioneve të Kosovës në veri.
Qeveria e Kosovës, deri më tash, nuk ka dhënë ndonjë sinjal për shtyrje të mundshme të vendimit për targa, ndërsa sa i përket kërkesës së komunitetit ndërkombëtar, më herët, ka thënë se “është treguar konstruktive dhe kreative në adresimin e brengave që ndajnë për rajonin” aleatët e saj.
Rashit Qalaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta marrë parasysh kërkesën e SHBA-së dhe ta shtyjë vendimin për targat.
“Përshkallëzimi në terren është i pritshëm, për shkak të kërcënimeve dhe vendimeve që po i merr shteti serb. Unë nuk besoj se qytetarët e veriut do të bënin ndonjë rezistencë pa këmbënguljen dhe kërcënimet që po i bën presidenti i Serbisë”, thotë Qalaj për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët do të bëjnë “rezistencë”, nëse “Prishtina ua konfiskon pronat”, por nuk ka specifikuar më shumë.
Në fund të korrikut, para se të niste procesi i riregjistrimit të makinave, disa serbë në veri u rebeluan dhe ngritën barrikada. Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimit.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Qeveria është dashur dhe duhet të konsultohet me partnerët perëndimorë, sidomos me Shtetet e Bashkuara, për çdo vendim që ndërlidhet me veriun Kosovës.
“Duhet të ketë pajtim me SHBA-në. Ta dëgjojë, nëse ka kërkuar një afat kohor, sepse ne po e shohim se çfarë po ndodh”, thotë Kadrijaj.
Udhëheqësi i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar më 3 nëntor në llogarinë e tij në Facebook se “nëse kryeministri [Kurti] nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt po rrëshqet në tradhti”.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti po ashtu opozitare – kanë thënë se nuk kanë ende ndonjë qëndrim nëse Qeveria duhet të tërhiqet ose jo nga zbatimi i vendimit për targat.
Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se askush nga partnerët ndërkombëtarë nuk e ka kontestuar legjitimitetin e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të përçuar sovranitetin në veri të vendit.
Sipas tij, kërkesa për shtyrje të vendimit për targa ka qenë më shumë politike, për shkak të rrethanave dhe tensioneve të mundshme në veri të Kosovës.
Spahiu thotë se Qeveria e Kosovës ka mundur ta përfillë këtë kërkesë para fillimit të zbatimit të vendimit për targat dhe shton se këtë mund ta bëjë edhe tash.
“Natyrisht që mund [të tërhiqet], ndonëse tani pasojat do të ishin më të mëdha, në aspektin politik.
Por, një veprim i tillë nuk do të thotë se nuk mund të bëhet… të thuhet hapur që këtë po e bëjmë me kërkesën e partnerit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur aq kontribut të madh në pavarësimin e Kosovës”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, paralajmëroi se më 5 nëntor do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe të tjera.
Ajo, po ashtu, tha se serbët duhet t’i “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë. eputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se ky nuk është kërcënimi i parë i këtij lloji nga Lista Serbe.
Ai nuk pret që pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës në veri ta braktisin institucionin, për shkak se, sipas tij, ata janë të nevojshëm për vetë sigurinë e komunitetit atje.
Por, siç thotë Qalaj, braktisja e institucioneve tjera është e mundur dhe, nëse kjo ndodh, shton ai, situata mund të kthehet në vitin 2011, përkatësisht në kohën kur Kosova dhe Serbia nuk e kishin të nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Mund të ketë pastaj pasoja tjera, sepse kur nuk ke përfaqësues në institucione… Në këtë rast, kryetarët e komunave në veri janë zgjedhur me ligjet e Kosovës dhe nëse ata vendosin të largohen nga pozitat e tyre, e po ashtu edhe ministri [për Komunitete, Goran] Rakiq dhe përfaqësuesit e tjerë, atëherë e kemi një situatë, e cila ishte tejkaluar shumë vite më parë”, thotë Qalaj.
Kadrijaj vlerëson ngjashëm, duke thënë se braktisja eventuale e institucioneve nga pjesëtarë të komunitetit serb do t’i kthente proceset prapa.
“Nuk e kemi luksin të kthehemi prapa në kohë, sepse është dashur kohë e gjatë që të përpiqemi t’i integrojmë serbët në të gjitha institucionet. Janë shqetësuese veprimet që po bën kjo Qeveri”, thotë Kadrijaj.
Pjesëtarët e komunitetit serb, që jetojnë në anën jugore të Lumit Ibër, marrin pjesë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës qysh pas luftës më 1999. Serbët e veriut u bënë pjesë e tyre më 2014, pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve më 2013.
Ish-ambasadori Avni Spahiu thotë se gjuha e shantazhit dhe e kërcënimeve të Listës Serbe ndaj autoriteteve të Kosovës nuk është e re. Sipas tij, tërheqja eventuale e saj nga institucionet nuk mund të ketë efekt ligjor dhe as efekt në funksionimin e shtetit të Kosovës.
“Duhet thënë të vërtetën, sepse jo vetëm me këtë kërcënim [të Listës Serbe], por edhe me qëndrimin e tyre në institucionet e Kosovës, kanë punuar tërë kohën kundër interesave të Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës. Këtë duhet ditur dhe duhet thënë botërisht edhe në bisedimet që kemi me partnerët tanë.
Në të vërtetë, Lista Serbe është një dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe assesi një përfaqësues legjitim i interesave të komunitetit serb në Kosovë”, thotë Spahiu.
Lista Serbe ka kërcënuar në disa raste me pezullim e institucioneve, përfshirë një në vitin 2020, kur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se serbët do t’i braktisin institucionet e Kosovës nëse nuk formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Pas kësaj deklarate të Petkoviqit, edhe Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, asokohe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se do të shqyrtojnë se kur do t’i braktisin institucionet e Kosovës.
Megjithatë, një paralajmërim i tillë nuk është materializuar./ REL
Discussion about this post