Nga Xhevat Mustafa
Në këtë periudhë bollëku për skandale dhe dështime dhe kapsllëku për suksese e rritje, qoftë edhe të vockla fare, Edi Rama është kap prej vitesh te “fija e kashtës” e zbulimit të një sasie të madhe nafte në Shpirag!!!??? Sipas tij, me këtë “thesar” mund të bëhemi Katar, Kuvajt, Dubai, Arabi Saudite…! Bën sikur nuk i kujtohet se qysh sa ishte gjallë Enveri është folur dhe shkruar dhe janë bërë kërkime e studime qysh në vitin 1960 si dhe janë bërë “kurbane” nga Enveri edhe specialistë të shquar për këtë vendburim, me të dhëna për sasi kolosale nafte.
Kaluan rreth 38 vjet që ka shkuar në ferr monstra Enver Hoxha dhe shumica e shqiptarëve nuk e pamë as nga larg parajsën prej naftës dhe miliardave të Shpiragut, ashtu si më parë të Patos- Marinzës, Kuçovës…, qysh nga vitet 1920-1930, kur filluan të merrnin naftë me anije të mëdha miqtë italianë të mbretit Ahmet Zogu…!? Më vonë, mbi bazën e studimeve të hershme, edhe së bashku me specialistë sovjetikë, rumunë, polakë etj., pas viteve 1990 e në fillim të atyre 2000, në zonën e Shpiragut nisi kërkimet ngeshëm dhe me disa puse kompania ndërkombëtare ShellPetromanas, me emër autoritar dhe fuqi të madhe në këtë biznes shumë fitimprurës. Qysh më 6 nëntor 2013 nga drejtues të kësaj kompanie u njoftua në media, edhe në gazetën TEMA lajmi i gëzuar se nga “Shpiragu 2 kishte filluar të nxirreshin deri 1300 fuçi naftë në ditë”. Më 2 shkurt 2016 u njoftua se Petromanas do të tërhiqej nga ky bashkëpunim dhe do t’ia shiste aksionet e saj, në rreth 75%, kompanisë SHELL.
Sot, domethënë pas më shumë se 10 vitesh, mund të mendohet se janë nxjerrë sasi edhe shumë më të mëdha me naftë e gaz. Por, për shumicën e shqiptarëve, në dobi të rritjes së mirëqenies së tyre, milionat apo qindra milionat e fituar kanë fluturuar për në depozitat bankare të bosëve apo aksionerëve të njohur ose anonimë (të huaj dhe shqiptarë) të kësaj kompanie, kur ishte e përbashkët e më vonë, pas “divorcit”, të kompanisë Shell… Pra, kompania Shell-Petromanas dhe Shell ka shumë vjet që shpon e shpon thellë e më thellë. Por, në vend të naftës sikur kanë nxjerrë më shumë tronditje të ngjashme me të tërmeteve për qytetet dhe fshatrat përreth si dhe njoftime optimiste dhe shifra marramendëse për sasitë kolosale e fitimet e mëdha që do të kenë shteti dhe ekonomia e Shqipërisë nga “thesari me arë të zi” në Shpirag.
Sipas këtyre deklarimeve nga Shpiragu, që i kap në ajër kryeministri Edi Rama sapo dalin nga pragu, do të përmbytemi në naftë e gaz si dhe miliarda e Shqipëria do të kapë shpejt vendet shumë të pasura arabe. Më shumë për humor, merret me mend se ashtu si sheikët arabë që nuk iu dridhen gishtërinjtë e nuk u bëjnë sytë terr nga qindra milionat që hedhin lart e poshtë, mbi tavolina kabinetesh dhe restorantesh, mund të blejmë me dhjetëra e qindra miliona euro jo vetëm lojtarë të mëdhenj futbolli, por edhe ambasadorë, McGonigalë, ministra, kryeministra, presidentë të vendeve që na interesojnë për mbështetje politike…!? Ehuuuu, “aq shumë do të na rriten rrogat, pensionet dhe mbështetja sociale” sa do t’ua kalojmë zviceranëve, gjermanëve, austriakëve, danezëve, finlandezëve, amerikanëve… Lum kush të rrojë e Shqipërinë e asaj kohe, po nën mbretërimin e Edi Ramës, ta gëzojë! Por, kjo eufori e ky entuziazëm sikur na ftohen ca nga kthimi prapa në kohë, rreth 40 vjet, i kujtesës, tek ajo epokë e ferrshme, nën diktaturën komunisto-socialiste, gjatë së cilës na jepnin më shumë premtime dhe shifra marramendëse, më shumë propagandë partiake dehëse sesa bukë.
Edhe Enveri “zbulonte dhe nxirrte me bollëk naftë dhe gaz”, deri në kulmet apo rekordet vjetore 2.500.000 ton naftë më 1974 dhe 940.000.000 Nm3 gaz natyror më 1982, por shumicës së shqiptarëve vazhdoi sa qe gjallë ai dhe për mbi 38 vjet të tjerë të mos u vinte ndonjë e mirë dhe ndonjë ndryshim i madh në të ardhurat mujore dhe në nivelin e jetesës. Nuk shpëtuan as nga talonet me gramatura jo për njerëz, 4-6 vetë familja, por për zogj, pula, mace e maçokë e as nga radhët pak pas mesnate… As nga vendi i fundit apo i parafundit për 78 vjet në klasifikimet evropiane për nivelet e pagave, pensioneve, mirëqenies, zhvillimit, demokratizimit… Nuk na ndihmuan qindra mijëra, deri miliona tonelatat e naftës të Kuçovës, Patos- Marinzës, Ballshit, Cakranit, Gorishtit…, të dilnim nga varfëria dhe të jetonim si njerëz të Perëndimit, sepse shkollëmesmi Enver Hoxha, duke u vetëbërë “profesor, edhe mbi shkencëtarët me diploma djerse nga universitete prestigjioze të Lindjes dhe Perëndimit si dhe mbi gjeneralët me akademi ushtarake sovjetike, italiane, etj., i bëri miliardat që fitoheshin nga nafta rreth 1 milionë bunkerë, mijëra topa, tanke, autoblinda, avionë, raketa…
Me këto ai mashtronte shqiptarët dhe gajaste kryeqytetet e dy superfuqive e të aleatëve të tyre, se “mund të përballonte e të turpëronte për një kohë të gjatë” ushtritë e NATO- s e të Traktatit të Varshavës, bile edhe së bashku!? Kjo traditë po vazhdohet nga Ramaparti- qeveria. Ngjashëm si Enveri, Rama me shoqe e shokë po i bëjnë miliardat e përfituara nga pasuritë nëntokësore dhe nga taksat prej shumicës së popullit dhe të biznesmenëve të tri niveleve, në… inceneratorë të dukshëm apo edhe vetëm në letra, në fatura, dosje; në kulla, autostrada, aeroporte, tendera për check-up për Vilma Nushin; për sterilizimin e pajisjeve mjekësore për mikun italian Umbro Staccini dhe familjarë e miq të tij; për koncesione, PPP-ra… Vetëm disa milionë euro apo dhjetëra milionë lekë, si pikëza shurupi nga pikatoret që blihen nëpër farmaci, kanë shkuar për rritjen e pagave dhe të pensioneve të shumicës së shqiptarëve. Për më tepër e më keq, sa më shumë naftë të zbulojmë e të nxjerrin kompanitë që ua kemi besuar apo “falur” këtë thesar, në pikat e furnizimit të automjeteve me naftë dhe benzinë, si në shumicën e vendeve të botës, çmimet nuk ndryshojnë ndjeshëm. Ose rrinë njësoj, ose më lart shkojnë! Madje, paradoksalisht dhe jo rastësisht, më lart edhe se në vendet jo prodhuese për naftë, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi…!?
Kjo “çudi shqiptare” është shprehje e një panorame të përgjithshme. Kështu ndodh kudo në këtë vend anormal, me qeverisje të pandjeshme dhe me shtet jo njerëzor, jo social, jo ligjor jo funksional dhe jo demokratik. Çmimet rriten pafre e çmendurisht, pagat dhe pensionet “rriten” me përqindje dhe vlera, të cilat nuk mbulojnë koston e jetesës as të një dite për një person e jo më për një familje!? Në këtë gjase shtet “modern” për nga reklama kryeministrore, por më shumë “haxhiqamilist” për nga mentaliteti dhe praktikat, si kur je për 2-3 muaj në një vend perëndimor, tek fëmijët; si kur shkon për 2-3 javë me pushime në një plazh; sikur furnizimi i tyre ndërpritet me shumë orë e për ditë të tëra, përsëri faturat mujore të energjisë elektrike, nga OSHEE e të ujit, nga UKT, vijnë thuajse në të njëjtat vlera në lekë!!!??? Më e keqja dhe më nervozuesja: nëse ankohesh për këto vjedhje flagrante humb kohë kot dhe ndeshesh me shurdh-memecë…Ky përjetim i hidhur e fakt zhgënjyes, por paradoksalisht dhe çuditërisht jo revoltues në sheshe, i shtyn shumicën e shqiptarëve të mendojnë se kështu, me premtime dhe shifra mashtruese apo “droguese” do të vazhdojë edhe për shumë vjet të tjerë t’u nxihen jeta dhe Shqipëria!?
Me Enverin dhe Edin në krye, edhe sikur në vend të naftës të nxirret ar, ky popull përsëri do të mbetet për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies po në vendet e fundit në klasifikimet evropiane! Është sistemi, qeverisja komunisto-socialiste në të 3 nivelet e saj, mbush me enveristo-edramistë militantë dhe fanatikë; me dëftesa dhe diplomablerës; me drogaxhinj e burgaxhinj, që i bën të pavlefshme dhe i vjedh për vete, sojin e sorollopin dhe ortakët e huaj edhe arin e zi, edhe arin e vërtetë! Por, edhe dhjetëra milionat në tufa të rënda bankënotash me vlerat më të mëdha në euro, dollarë, paund, sfr apo në formë çeqesh! Kjo i shtyn jo vetëm skeptikët, por edhe objektivët, të mendojnë se këtë fat të keq e të pasuksesshëm do të kenë edhe miliona tonelatat dhe miliarda eurot nga thesari me naftë i Shpiragut!
Edhe këto nuk do ta bëjnë shumicën e shqiptarëve as pasur e as të lumtur! Tamam, siç nuk na e ndryshuan ndjeshëm më mirë jetesën lumenjtë me naftë të Enverit për 47 vjet, as ato gjatë 13 viteve të PD-Saliut dhe si të 19 viteve të Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Po kështu, nuk kanë sjellë bum në rritjen e mirëqenies as qindra tonelatat me dogra nga vendet përreth e më vonë, me kananibiz, prodhim nga e gjithë Shqipëria e lazaratizuar si dhe dhjetëra tonelatat, që vijnë me anije dhe maune mbush me banane nga Ekuadori, Meksika, Kolumbia…. Në të kundërt, janë shtuar varfëria, korrupsioni, emigracioni, kriminaliteti dhe janë sheikizuar bosët, oligarkët, “investistorët strategjikë” shqiptarë, “çuditërisht” apo “rastësisht” shumica ortakë e të afërm familjarë me figurat kryesore politike, partiake, qeveritare, pushtetore… të PS-Rilindjes!?
Discussion about this post