Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha shteti i tij ka politikat dhe interesat e veta dhe nuk është shërbëtor “as i Rusisë, e as i Shteteve të Bashkuara”.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiç tha se shteti i tij respekton Kartën e OKB-së dhe integritetin territorial të Ukrainës, teksa tha se shtetet nuk respektojnë rezolutën 1244 dhe “integritetin territorial të Serbisë”.
Ai përsëriti akuzat ndaj Perëndimit se ka shpërfillur Kartën e OKB-së, kur ish-Jugosllavia e atëhershme u bombardua nga NATO-ja, bombardime që çuan në çlirimin e Kosovës.
“Të gjithë në botë flasin për Ukrainën, askush nuk guxon të flasë për Serbinë, por edhe kur flasin, ata thonë se si ne do ta nisim luftën në Ballkan nën urdhrat e Rusisë. Ata kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ne nuk jemi as shërbëtorë të Rusisë, e as të SHBA-së. Ne kemi politikat tona dhe interesat tona”, tha Vuçiç.
Autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Serbinë se është “dorë e zgjatur e Rusisë” dhe Moska po tenton ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë.
Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Moskës, për nisjen e pushtimit të Ukrainës më 2022.
Në fjalimin e tij, ai foli për Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Ai akuzoi shtetet perëndimore për armatosjen e Kosovës, teksa tha se sipas rezolutës 1244 të OKB-së, të vetmet forca të armatosura në Kosovë janë ato të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.
“Ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë, që tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë ofruar armë në baza ditore të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”, tha Vuçiç.
Më 2018, Kosova ka miratuar ndryshimet ligjore për shndërrimin e FSK-së në Ushtri. Ky proces pritet të përfundojë më 2028. FSK-ja mbështetet nga shtete të ndryshme me armatime, sikurse nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.
Vuçiq tha se kur i pyesin se në bazë të çfarë dokumentesh ndërkombëtare e ofrojnë një ndihmë të tillë për FSK-së, ai tha se marrin “përgjigjen më idiote” se “nuk e pranojmë Kartën e OKB-së sepse situata ka ndryshuar sepse e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës”.
“Mesazhi i tyre për ne është: Ne kemi fuqinë, ne jemi Zoti, nuk na intereson për OKB-në, ligjet dhe rezolutat e OKB-së. Mund të bëjmë çfarë të duam”, tha Vuçiç, duke pyetur liderët e pranishëm në OKB se si duhet të veprojë Serbia.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta që nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë sulmit u vra një polic i Kosovës. Ndërkaq, në përleshjet që pasuan u vranë tre sulmues serb.
Kosova e cilëson sulmin si terrorist dhe fajëson Serbinë se qëndron prapa tij, por Beogradi mohon se ka pasur gisht në të.
Po ashtu së fundi, tensionet janë rritur edhe për shkak të një sërë vendimesh të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Vuçiq në fjalimin e tij përmendi ndalimin e përdorimit të dinarit serb për kryerjen e pagesave në Kosovë, mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë, që tha se vë në rrezik “jetën e serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare”, por edhe ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, përfshirë të patriarkut serb.
Kosova është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për disa vendime, sikurse mbyllja e disa institucioneve në veri, që kanë vepruar sipas sistemit serb. Bashkësia ndërkombëtare i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
“Si mund të ketë paqe në Kosovë kur rendi juridik dhe të drejtat fundamentale të një kombi të tërë minohen në mënyrë sistematike”, pretendoi Vuçiç.
Vuçiç tha po ashtu se shteti i tij mbetet i përkushtuar për paqe dhe në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
gijotina.com/
Discussion about this post